Përcaktohet kalendari i Diamond League-s

Atletika

Përcaktohet kalendari i Diamond League-s

Më: 13 maj 2020 Në ora: 14:51
Përcaktohet kalendari i Diamond League-s

Drejtuesit e Diamond League-s bënë të ditur kalendarin paraprak për sezonin e vitit 2020. Gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe pasojat ashtu si edhe në shumë sporte të tjera është duke i vuajtur gjithashtu edhe atletika.

Gjithçka është modifikuar, jo vetëm kalendari por edhe fazat stërvitore të vetë atletëve, që tani do të duhet të mendojnë për një zgjatje të mundshme, përsa i përket sezonit të vitit 2020.

Në “mbretëreshën e sporteve” edicioni i fundit i Diamond League-s u mbyll me dy mitingjet në Zyrih dhe Bruksel, respektivisht në datat 29 gusht dhe 6 shtator, ndërsa sivjet gjithcka pritet të fillojë në mesin e muajit gusht. Një ndryshim rrënjësor në kalendar, por në mënyrë të kuptueshme këto janë pasojat e pandemisë së virusit COVID-19, që ka modifikuar kështu jo vetëm fillimin e garave por gjithashtu edhe regjimin stërvitor apo ngarkesën e duhur fizike që duhet të marrin atletët gjatë fazës së tyre përgatitore. Drejtuesit kanë preferuar të shkurtojnë kalendarin, duke zbutur disi programin vjetor të atletëve, për shkak të situatës së pazakontë. Sezonin e kaluar Diamond League përmbante në total 14 gara, ku fituesit u shpallën pikërisht në ndalesat e fundit që u mbajtën në Zvicër dhe Belgjikë, ndërsa në edicionin e sivjetshëm kalendari provizor përmban vetëm 11 etapa gjithsej.

Mbetet akoma e paqartë në mesin e muajit shtator nëse Golden Gala mitingu I përvitshëm që zhvillohet në Itali do të mbahet në Olimpico të Romës apo në Stadiumin San Paolo të Napolit. Një ndër mitingjet më të rëndësishëm ishte ndalesa në kryeqytetin britanik, me garat e quajtura Muller Anniversary Games, sidoqoftë drejtuesit e Federatës së Atletikës në Mbretërinë e Bashkuar konfirmuan heqjen nga kalendari të etapës londineze.

Fillimisht Stadiumi Olimpik në kryeqytetin britanik ishte planifikuar për të pritur gara në Diamond League në datat 4 dhe 5 korrik, sidoqoftë impakti I pandemisë së koronavirusit ndihet edhe në këtë pjesë të globit dhe drejtuesit e federatës vendase me shumë zhgënjim pranuan se e kanë të pamundur për të pritur garat e sivjetshme, madje fshirja e garës në Stadiumin Olimpik në Stratford pritet të influencojë, në reduktimin e të ardhurave të atletikës britanike, që priste të përfitonte shuma të mëdha nëpërmjet biletave, sponsorëve apo dhe të drejtave televizive.

Në mënyrë të kuptueshme një vendim I tillë u mor për hir të sigurisë, por shumë mendohet se ka influencuar gjithashtu edhe fakti që në Stadiumin Olimpik të Stradfordit zhvillojnë ndeshjet “çekanët” e West Ham United dhe sic dihet me ngjeshjen e kalendarit në Premier League do të jetë shumë e vështirë që ky impiant të jetë I lirë dhe në dispozicion të drejtuesve të federatës. Edicioni i 11 i Diamond League-s është planifikuar që të zhvillohet në harkun e vetëm dy muajve, nga gushti deri në muajin tetor. Shkurtimi i kalendarit nënkupton gjithashtu edhe ndryshimin e përllogaritjes së pikëve, sidoqoftë një gjë është e qartë që në përfundim nuk do të ketë gara përmbyllëse sic ndodh zakonisht me mitingjet që mbahen në Zyrih dhe Bruksel.

Përveç etapës së Londrës janë anuluar gjithashtu edhe garat që ishin planifikuar në Rabat dhe Zyrih. Garat do të startojnë më 14 gusht në Principatë, ndërsa dy ditë më vonë do të zhvendosen në ishull, më saktë në Gateshead.

Muaji gusht do të vijojë me Mitingun e Stockholm-it një javë më pas, ndërsa shtatori është muaji më I ngjeshur I këtij aktiviteti. Kështu në datat 2, 4 dhe 6 do të zhvillohen radhazi gara respektivisht në Lozanë, Bruksel dhe Paris. Më datë 17 shtator në Itali mbetet për t’u përcaktuar Roma ose Napoli, ndërsa dy ditë më pas do të shkohet në Lindjen e Largët në Shangai.

Në fund në muajin tetor më datë 4 atletët do të shkojnë në Eugene, në Oregon në Shtetet e Bashkuara, pesë ditë më vonë do të garohet në Doha në Katar dhe gjithçka do të mbyllet në Kinë më datë 17 tetor, në një qytet që mbetet ende për t’u përcaktuar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat