Iki në Itali për t’u bërë futbollist dhe përfundoi atlet

Atletika

Iki në Itali për t’u bërë futbollist dhe përfundoi atlet

Më: 3 shtator 2020 Në ora: 13:52
Iki në Itali për t’u bërë futbollist dhe përfundoi atlet

26-vjeçari David Nikolli është një nga sportistët shqiptarë që ka arritur të tregojë aftësitë e tij në shtetin fqinj të Italisë, por jo si futbollist. Edhe pse kjo ka qenë ëndrra e tij kur vendosi të lërë Shqipërinë për të shkuar në Itali. Në një rrëfim për gazetën më të madhe sportive italiane, “Gazzetta Dello Sport”, Nikolli rrëfen aventurën e tij.

“Kur isha 16 vjeç u nisa drejt Italisë për t’u bërë futbollist. Një rrugë e gjatë, duke kaluar shumë shtete t i sh-Jugosllanisë. Doja të bëhesha dikushi në futboll. Me skuadrën e Sant’Angelo Lodigiano arrita deri në kategorinë “Eccellenza”. Madje isha edhe golashënuesi më i mirë në grup, por gjithnjë problem i lejes më pengonte”, thotë Nikolli.

Ndërkohë, gjatë kësaj kohe ka punuar shumë, deri në selinë më të madhe të Amazon në Itali. “Zgjohesha në 4 të mëngjesit, punoja deri në 3 pasdite dhe më pas nisa stërvitjen”, thotë Nikolli. Tani merret me atletikë, prej gati 3 vitesh dhe garon për ekipin e Atletico Cento Torri në Pavia. “E nisa me 4-5 herë në javë dhe tani stërvitem e garoj çdo ditë”, shprehet Nikolli.

Atleti shqiptar, që garon kryesisht në 1500 metra, shprehet se ka si ëndërr të shkojë në Lojërat Olimpike. Distancë ku po përmirësohet vazhdimisht. “Koha më e mirë është 3’39”19, por mund të rritem. Objektivi im është koha minimale që të çon në Olimpiadë, 3’35”00 dhe besoj se do ta arrij. Nëse do të kisha një sponsor do të më ndihmonte akoma më shumë edhe pse klubi ku garoj bën shumë për mua”, thotë Nikolli.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat