Gega kërkon sonte kurorën

Atletika

Gega kërkon sonte kurorën

Më: 20 gusht 2022 Në ora: 11:27
Gega kërkon sonte kurorën

Mbrëmja e sotme është një prej më të rëndësishmeve për atletikën shqiptare, që do të shohë sërish në pistë Luiza Gegën.

Pas kualifikimit me kohën më të shpejtë për në finale, rekordmenia kuqezi sot ka një tjetër takim me historinë, teksa në orën 22:13 do të marrë pjesë në finalen e 3000 metrave me pengesa të Kampionatit Europian që po mbahet në stadiumin olimpik të Mynihut.

Luiza vjen në këtë garë në një formë shumë të mirë dhe pas një sezoni fantastik, që vetë atletja e quan si më të mirin e karrierës.

Rekorde mbi rekorde dhe paraqitje mbresëlënëse, ku pas vendit të pestë me rekord kombëtar një muaj në Botëror, tashmë Gega kërkon titullin kampion Europe.

Ndonëse nuk do të jetë e lehtë, Luiza është më se e vetëdijshme për aftësitë e saj dhe beson se do të kthehet në atdhe me medalje të artë, që do të ishte rezultati më i madh i të gjitha kohërave për të dhe rrjedhimisht edhe për atletikën shqiptare.

Këtë konfirmoi edhe vetë 33-vjeçarja një ditë më parë në prononcimin e saj për “Panorama Sport”, ku pas kualifikimin për në finale, ndër të tjera deklaroi:

“Finalja nuk është asnjëherë e lehtë, por e shikoj shumë të realizueshme mundësinë e marrjes së medaljes. Kam besim te vetja, sepse kam pasur sezon shumë të mirë dhe ndihem në formë.

Për sa i përket ngjyrës së medaljes, në fakt edhe dua ta them edhe jo, sepse gara të ofron të papritura, por i kam të gjitha mundësitë për medalje të artë dhe për këtë do të luftoj që në fillim dhe uroj shumë që t’ia dal.

Kjo do të jetë ajo finalja e madhe e të gjitha këtyre garave të rëndësishme që unë kam pasur dhe uroj që ta mbyll siç duhet”, u shpreh atletja.

Kështu, në mbrëmjen e sotme e gjithë Shqipëria do t’i këtë sytë te Luiza Gega, duke shpresuar në një tjetër rezultat të madh nga kampionia kuqezi në evenimentin më prestigjioz të atletikës në kontinentin e vjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat