Erzen Zyberaj krenar për triumfin spektakolar: Është gara më e rrezikshme në Turqi 

Atletika

Erzen Zyberaj krenar për triumfin spektakolar: Është gara më e rrezikshme në Turqi 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 25 korrik 2023 Në ora: 19:42
Erzen Zyberaj

Vetëm të mendosh pjesëmarrjen në Ultramaratona është ngarkesë në vete, kur kihet parasysh peripecitë që të presin gjatë rrugës, në shtegun 100 kilometra.

Kjo për atletin e mirënjohur të ultramaratonave, Erzen Zyberaj, aspak nuk paraqet ngarkesë por e motivon edhe më shumë, sidomos ndihet super krenar kur ngadhënjen dhe e lartëson shtetin e Kosovës.

Zyberaj ka treguar formë të jashtëzakonshme të dielën që e lamë duke e triumfuar në Ulludag të Turqisë. 

Image

Erzen Zyberaj

Ky titull në Ulludag, gjatë do të mbetet në kujtesën e tij, për faktin se u ballafaqua me rrezikshmëri gjatë vrapimit!    

Zyberaj është krenar për triumfin spektakolar, por ajo që e brengos më së shumti, nuk ndihmohet nga institucionet shtetërore.

“Bota sot”: Sa ishte e vështirë të fitosh garën në Uludag, 100 kilometra dhe me cilat peripeci u ballafaquat?

Erzen Zyberaj: Ka qenë e vështirë për shkak se Uludag Ultramaraton 100 kilometra me lartësi mbidetare 2.500 metra dhe ngjitje vertikale 4.620 metra është gara më e rrezikshme në Turqi për nga terreni, sepse është një shteg shumë teknikal ( gurë të thepisur, rrënjë të drunjve jashtë toke, gropa te vogla ndër barishta, teposhtëze të rrezikshme etj.

Po ashtu temperaturat kanë qenë mjaft të larta deri në 40 gradë. 

Kam pasur një fillim të mirë të garës deri në kilometrin e 15 por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë si ne i planifikojmë.

Një shqetësim në stomak me ka bërë që të vuaj gjatë gjithë garës, ku në mesin e rrugës rreth kilometrit të 52 gjendjen e kisha shumë të renduar dhe kisha frike se nuk do te mundem te vazhdoj tutje per shkak qe dhimbja ishte totalisht e papërballueshme. 

Por kisha diçka më të forte se dhimbja e barkut, qëllimin se për çfarë kishim shkuar atje dhe vazhdova duke ecur e duke luftuar me veten deri në fund!

“Bota sot”: Cila është sfida e radhës?

Erzen Zyberaj: Unë dua t’i falënderoj të gjithë shoqërinë e ngushtë dhe të gjerë që me kanë ndihmuar që unë të jem pjesëmarrës në këtë garë. 

Shpresojmë që të gjejmë mbështetje në ditët e ardhshme pasi që këto distanca kërkojnë shumë punë, mund, kohë e sakrificë që të përballemi me sfidat dhe garat e radhës që do t’i kem.

“Bota sot”: Sa iu ndihmon shteti?

Erzen Zyberaj: Përkrahja nga institucionet shtetërore është për të ardhur keq, sepse sa do që në mundohemi dhe bëjmë përpjekje që Kosovën ta çojmë sa më lartë me përfaqësimin tonë dhe të bëhemi shembull për gjeneratat e reja, si duket puna dhe suksesi ynë dikujt aty i pengon.

“Bota sot”: Sa është vështirë të vraposh në këto gara?

Erzen Zyberaj: Ultramaratonat kërkojnë shumë përgatitje dhe kohë që të jesh në nivel, sepse është shumë e vështirë të ushtrosh deri në 8 orë në ditë, ku kjo punë normal që e ka edhe koston e vet.

“Bota sot”: Ku i zhvilloni përgatitjet speciale?

Erzen Zyberaj: Kryesisht në malet e tona në Kosovë.

Varësisht prej garës që e kemi mundohemi t’i përshtatemi terrenit në të cilin kemi për të vrapuar. 

Unë jetoj në Prishtinë dhe një pjesë të ushtrimeve e bëj në Parkun e Gërmisë.

“Bota sot”: Cilat janë synimet?

Erzen Zyberaj: Synimet janë që në të ardhmen të fitoj disa prej garave të Ultramaratonave më të njohura të botes dhe emrin e shtetit të Kosovës ta vendosim sa më lart.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat