Halil Sylejmani: Synojmë që të përfaqësojmë denjësisht Kosovën në Kampionatin Botëror

Atletika

Halil Sylejmani: Synojmë që të përfaqësojmë denjësisht Kosovën në Kampionatin Botëror

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 3 gusht 2023 Në ora: 15:16
Halil Sylejmani

Edhe dy javë do të fillojë Kampionati Botëror i atletikës.

Gara prestigjioze e mbretëreshës së sporteve do të mbahet në Budapest të Hungarisë. 

Rreth 2000 atletë e atlete nga më shumë se 200 shtete do të marrin pjesë në Botëror. 

Image

Halil Sylejmani

Kosova do përfaqësohet me atletët e saj, me synime që të prezantojnë shtetin sa më denjësisht.

Presidenti i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, tha se po bëhen përgatitjet e fundit për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror.

Sylejmani njihet si krahu i djathtë i atletikës në vendin tonë, shprehet se është një kampionat ku marrin elita e atletëve botëror. 

“Prej se jemi bërë anëtar të Federatës Botërore në Pekin të Kinës, ne marrim pjesë me atletë.

Është një respekt i madh nga Federata Botërore e atletikës, e cila e ka lënë këtë mundësi sepse ka shumë shtete të cilat nuk kanë kapacitete të rezultateve më të mëdha, andaj kjo është e mirëseardhur që të marrim pjesë dhe të përfaqësohemi denjësisht si të gjitha shtetet pjesëmarrëse të këtij kampionati”, thotë Sylejmani për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Në Budapest krahas që do të zhvillohet kampionati, do të mbahet edhe Kongresi i Federatës Botërore të Atletikës, ku do të marr pjesë edhe Sylejmani.

Është një kongres domethënës dhe do të diskutohen gjërat që e preokupojnë këtë sport.  

“Në këtë kampionat është kongresi i atletikës, ku do të bëhet edhe thirrje të ndryshme dhe të shohim si shkon puna. Unë do të jem dhe sigurisht edhe një anëtar tjetër, kështu që do të përfaqësojë denjësisht federatën.

Sado kudo do të takohemi më shumë personalitete të federatave simotra në botë dhe po ashtu do të ketë edhe takime të ndryshme”, ka nënvizuar numri një i atletikës.

Sylejmani tha se do të luftojnë që të marrin më me shumë atletë në të ardhmen në garat e mëdha. 

“Besoj se do të bëjmë diçka.

Do të kërkojmë të bashkëpunojmë me federatat e fuqishme dhe të tjerët.

Të bëjmë diçka që nesër të marrim pjesë më shumë garues”, ka përfunduar Sylejmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat