Gega, në garë me kohën për Botërorin

Atletika

Gega, në garë me kohën për Botërorin

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 12:07
Gega

Ka pësuar një dëmtim dhe rrezikon për garën kualifikuese të 23 gushtit në Budapest!

Luiza Gega është në garë me kohën për të qenë gati për garën e saj në Kampionatin Botërori të Atletikës, që po mbahet në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, ka sqaruar në një komunikim elektronik me Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar se, pas një seance stërvitore para dy javësh, sportistja ka ndjerë në darkë një shqetësim të lehtë në 3 muskujt kryesorë pas kofshës, të njohur ndryshe si “harmstring”.

“Që në atë moment ka filluar trajtimi, edhe pse dëmtimi dukej shumë i lehtë për të krijuar shqetësime më pas”, - ka pohuar Stërmasi, i cili ka shpjeguar se, si masë paraprake, ka mbërritur në Dardhë, aty ku po stërvitej Gega, edhe një fizioterapist, i cili ka qenë aty me të përgjatë gjithë 10 ditëve në vijim.

Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi dëmtimin, por, sipas kreut të organizmit që qeveris atletikën shqiptar, “mjekët thone që duhet trajtuar si dëmtim dhe kjo është bërë, por askush nuk mund të thote nëse atletja do të mundet të jetë në 100% të mundësive të saj”.

“Muskuli i saj gjatë kësaj jave ka reaguar çuditshëm, sidomos kur ka stërvitje me kalime të pengesave, sepse aty ka shtrirje të muskulit maksimalisht, - ka thënë Stërmasi, duke vijuar: “Luiza do të tentojë deri në momentin e fundit që të jetë gati dhe të garojë. Por, nëse nuk do jetë gati, të paktën gjatë nxemjes, nuk do të rrezikoj ta fus në garë.

Por, e keqja është se, edhe po ishte mirë në nxemje, gara është shumë e gjate dhe muskuli do të reagojë ndryshëm.

Pra, janë disa gjera që nuk i parashikojmë dot, por, sidoqoftë, po bëhet çmos për rikuperimin e saj”, - ka përfunduar presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi.

Megjithatë, koha nuk është në anën e Luiza Gegës, pasi në mbrëmjen e 23 gushtit është gara kualifikuese, për të siguruar vendin në finalen e 27 gusht në garën e 3,000 m me pengesa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat