Franca i jep fund subvencioneve për veturat elektrike kineze

Auto

Franca i jep fund subvencioneve për veturat elektrike kineze

Më: 22 shtator 2023 Në ora: 00:57
Foto ilustrim

Shumica e veturave elektrike të prodhuara në Azi ka të ngjarë të përjashtohen nga një skemë franceze e subvencionimit për blerjen e automjeteve të tilla nga viti i ardhshëm, pasi Parisi kërkon të reduktojë numrin e automjeteve elektrike nga Kina dhe të shtyjë prodhimin vendas.

Qeveria franceze do të nxjerrë një dekret të martën që përshkruan kriteret e reja për dhënien e subvencioneve. Në Francë, ky kriter do të praktikohet sipas skemës së mëposhtme të subvencionimit: deri në 7000 euro për personat me të ardhura më të ulëta që blejnë një EV dhe 5000 euro për të tjerët. Lista e automjeteve të pranueshme do të publikohet në mes të dhjetorit, u tha gazetarëve një zyrtar i qeverisë franceze.

Blerësit e disa veturave të prodhuara aziatike mund të marrin ende rimbursime, “por kjo nuk do të ishte më rasti për shumicën prej tyre sipas modelit që kemi krijuar”, tha zyrtari francez, duke shtuar se “nëse nuk bëni automjete në në vend, do ta keni të vështirë të qëndroni të kualifikuar për bonusin e gjelbër.”

Kjo praktikisht do të thotë se Dacia Spring, që prodhohet në Kinë, mbetet pa bonus gjatë blerjes.

Agjencia franceze e tranzicionit mjedisor do të vlerësojë kërkesat e prodhuesve të veturave dhe do të vendosë se cilat modele do të vazhdojnë të kualifikohen për subvencionin bazuar në të ashtuquajturin “rezultat mjedisor” – duke përdorur kritere të tilla si materialet, konsumi i energjisë, lloji i baterisë dhe ndikimi në mjedis.

Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi për herë të parë masën në muajin maj. Ai më pas tha se përdorimi i “parave të taksapaguesve francezë” për të subvencionuar veturat e prodhuara jashtë BE-së duhet të ndalet.

Zyrtarët francezë këmbëngulin se masa e re do të jetë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe se nuk duhet të dëmtojë marrëdhëniet me kinezët. Megjithatë, kjo temë ka rrënjë shumë më të thella dhe po ndërlikohet çdo ditë e më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat