Vritet një ushtar amerikan në Afganistan - Bota Sot
Vritet një ushtar amerikan në Afganistan

Azia

Vritet një ushtar amerikan në Afganistan

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 16:11
Afganistan

Përmes një deklarate, misioni mbështetës nën udhëheqjen e NATO-s në Afganistan, njoftoi se të shtunën atje u vra një ushtar amerikan. Në deklaratë nuk jepeshin detaje të mëtejshme dhe as emri i ushtarit të vrarë pa informuar më parë të afërmit.

Vrasja e ushtarit e çon numrin e viktimave mes ushtarëve amerikanë në Afganistan në të paktën shtatë vetë gjatë vitit 2019. Rreth 20,000 trupa të huaja, shumica prej tyre amerikanë, ndodhen në Afganistan si pjesë e një misioni të NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të trajnuar, ndihmuar dhe këshilluar forcat afgane. Disa forca amerikane kryejnë operacione kundër terrorizmit dhe grupeve militante islamike.

Vitin e kaluar në Afganistan u vranë një numër rekord prej 3,804 civilësh afganë, për shkak të shkallëzimit të sulmeve ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe shtimit të numrit të sulmeve vetëvrasëse me bombë, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të muajit shkurt.

Presidenti amerikan Donald Trump kërkon të ketë një zgjidhje politike me talebanët, për t'i dhënë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan. Talebanët nga ana e tyre, kërkojnë një tërheqje të plotë të forcave të huaja përpara se të përfshihen në një marrëveshje zyrtare të paqes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...