Kina premton reduktimin e dioksidit të karbonit me mbi 65 % brenda 2030

Azia

Kina premton reduktimin e dioksidit të karbonit me mbi 65 % brenda 2030

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 16:56
Presidenti i Kinës, Xi JingPing

Epidemia e koronavirusit të ri ka sjellë një reflektim të thellë mbi marrëdhëniet midis njeriut e natyrës dhe e ardhmja e qeverisjes globale të klimës ka tërhequr më shumë vëmendje.

Kina shpall një varg masash të reja për përballimin e ndryshimit global të klimës.

Presidenti i Kinës, Xi JingPing deklaroi ambicien e Kinës për të ulë lëshimin e saj të dioksidit të karbonit për njësi të PBB-së me mbi 65 për qind deri në 2030”

Deklarata u bë në një videofjalim në Samitin e Ambicies për Klimën me titull “Vazhdojmë trashëgiminë – Fillojmë fazën e re përballë ndryshimit global të klimës”

“Këtu dëshiroj të shpall se Kina do të ulë lëshimin e saj të dioksidit të karbonit për njësi të PBB-së me mbi 65 për qind krahasuar me 2005-n, deri në 2030. Do të rrisë pjesën e karburanteve jofosile në konsumin e energjisë parësore në rreth 25 për qind. Do të rrisë vëllimin e rezervës pyjore me 6 miliardë metra kubë në krahasim me nivelin e 2005-s dhe do ta shtojë kapacitetin e përgjithshëm të instaluar të energjisë diellore dhe të energjisë së erës në mbi 1.2 miliard kilovatë deri në 2030”, tha Xi JingPing, raportojnë mediat botërore si Xinhua, Reuters.

Tre propozimet

Në këtë samit presidenti i Kinës, Xi Jingping paraqiti tre propozime.

Së pari, bashkim për krijimin e situatës së re të qeverisjes së klimës me bashkëpunim e përfitime të përbashkëta. Përballë sfidës së ndryshimit të klimës, fatet e njerëzimit janë të lidhura ngushtë. Pala kineze mirëpret që vendet e ndryshme të përkrahin “Marrëveshjen e Parisit” dhe të japin kontribut më të madh përballë ndryshimit të klimës.

Së dyti, forcimi i ambicieve për krijimin e një mekanizmi të ri të qeverisjes klimatike. Vendet e ndryshme duhet të ndjekin parimin e përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme, dhe të shtojnë masat sipas situatës dhe aftësisë së tyre. Vendet e zhvilluara duhet t’u ofrojnë vendeve në zhvillim mbështetje në financim, teknologji dhe ndërtimin e kapaciteteve.

Së treti, forcimi i besimit dhe këmbëngulja në konceptin e ri të përtëritjes së gjelbër në qeverisjen e klimës. “Duhet të mbështesim me forcë një stil jetese të gjelbër e me lëshim të ulët karboni dhe të kërkojmë mundësi zhvillimi e motivim nga zhvillimi i gjelbër”, tha kreu i shtetit kinez.

Xi theksoi gjithashtu se Kina ka dhënë kontribut për nënshkrimin e “Marrëveshjes së Parisit” mbi përballimin e ndryshimit të klimës dhe është zbatuese aktive e kësaj marrëveshjeje.

Samiti i Ambicies për Klimën u organizua nga OKB-ja dhe vendet përkatëse për të përkujtuar 5-vjetorin e nënshkrimit të “Marrëveshjes së Parisit”, për të mobilizuar komunitetin ndërkombëtar që të forcojë veprimet lidhur me klimën dhe për të nxitur procesin e multilateralizmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat