Pakistan, kërkohet rishqyrtim i vendimit të Gjykatës mbi vrasjen e gazetarit amerikan

Azia

Pakistan, kërkohet rishqyrtim i vendimit të Gjykatës mbi vrasjen e gazetarit amerikan

Më: 29 janar 2021 Në ora: 21:34
Daniel Pearl

Autoritetet në Pakistan i kërkuan të premten Gjykatës së Lartë që të rishikojë vendimin e saj për të liruar Omar Sheikun dhe tre bashkëpunëtorët e tij të dënuar për rrëmbimin dhe ekzekutimin me prerje koke së gazetarit amerikan Daniel Pearl. Lajmi u konfirmua për Zërin e Amerikës nga avokati i familjes Pearl.

Administrata e zotit Biden shprehu zemërimin e saj me vendimin e marrë të enjten nga Gjykata e Lartë e Pakistanit që shpalli të pafajshëm shtetasin britanik të dënuar në 2002 për rrëmbimin dhe ekzekutimin me prerje koke të gazetarit të “Wall Street Journal”.

Disa orë pas vendimit, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki nënvizoi angazhimin e administratës për të garantuar drejtësi për familjen gazetarit të vrarë.

"Vendimi për të shfajësuar dhe liruar Sheikun dhe të dyshuarit e tjerë, është një ofendim për viktimat e terrorizmit kudo në botë, përfshirë Pakistanin", tha ajo, duke i bërë thirrje "qeverisë pakistaneze për të shqyrtuar me shpejtësi mundësitë ligjore, përfshirë lejimin e Shteteve të Bashkuara për ta ndjekur penalisht rastin e vrasjes brutale të shtetasit dhe gazetarit amerikan".

Të enjten gjykata liroi nga akuzat Ahmed Omar Sheikun dhe tre bashkëpunëtorët e tij pakistanezë, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre nga burgu.

Të katër personat kanë kryer 18 vjet në burg në Pakistan për vrasjen makabre të gazetarit të “Wall Street Journal”.

Një gjykatë që trajton çështje të anti-terrorizmit në provincën pakistaneze të Sindh-ut, atje ku ndodhi krimi 18 vite më parë, e pati dënuar Sheikun me vdekje për organizimin dhe vrasjen e gazetarit. Të tre bashkëpunëtorët e tij u dënuan me burgim të përjetshëm. Por në prill të 2020, një gjykatë apeli në Sindh e rrëzoi vendimin, duke e ulur dënimin e Sheikut në shtatë vjet burg, duke e akuzuar atë vetëm për rrëmbim. Gjykata urdhëroi lirimin e tij duke i njohur kohën e kryer në burg. Gjykata urdhëroi gjithashtu edhe lirimin e bashkëpunëtorëve të Ahmed Omar Sheikut. Por autoritet pakistaneze nuk i kanë lejuar ata ende të dalin nga burgu.

Vendimi i gjykatës në muajin prill nxiti prindërit e gazetarit të vrarë amerikan dhe qeverinë rajonale ta apelojnë çështjen në Gjykatën e Lartë për të kërkuar rivendosjen e dënimeve të vitit 2002, çka çoi në vendimin e marrë të enjten. Avokati i familjes Pearl, Faisal Siddiqi, vuri në dukje se trupi gjykues i Gjykatës së Lartë i përbërë nga tre gjyqtarë vendosi 2 me 1 në favor të mbështetjes së pafajësisë Ahmed Omar Sheikut.

"Vendimi i së enjtes është shpërfytyrim i plotë i drejtësisë dhe lirimi i këtyre vrasësve vë në rrezik gazetarët kudo ndodhen, si dhe popullin e Pakistanit", tha familja Pearl në një deklaratë që u publikua nga zoti Siddiqi.

"Nxisim qeverinë e SHBA-së të marrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për të ndrequr këtë padrejtësi", shtuan ata.

Daniel Pearl ndodhej në Pakistan për të raportuar mbi rrjetet e militantëve islamikë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, para se të rrëmbehej në Karaçi e më pas të ekzekutohej./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat