Dështojnë sërish përpjekjet, anija vazhdon të mbajë të bllokuar Suezin

Azia

Dështojnë sërish përpjekjet, anija vazhdon të mbajë të bllokuar Suezin

Më: 28 mars 2021 Në ora: 17:54
Foto

Anija gjigande mbetet e bllokuar në kanalin e Suezit në Egjipt, pasi përpjekjet për ta larguar atë, gjatë baticës të shtunën, dështuan.

Zyrtarët e kanalit thanë se sidoqoftë është bërë pak progres dhe ata shpresojnë që anija do të mund të çlirohet nga cektira ku ka mbetur mbrëmjen e të dielës.

“Ever Given” është e bllokuar në kanal, një nga trajektoret më të frekuentuara në botë, që nga e marta. Më shumë se 300 anije janë të ndalura në të dyja anët e kanalit. Disa anije transporti tashmë janë vënë në lëvizje duke vijuar rrugëtimin në një trajektore tjetër, përreth Afrikës, por ky udhëtim është ndjeshëm më i gjatë.

Të shtunën, rreth 20 mijë tonë rërë u larguan dhe 14 rimorkiatorë tërhoqën “Ever Given”, në përpjekje për ta çliruar atë. Edhe pse rryma e fuqishme dhe era vështirësoi përpjekjet, rimorkiatorët mundën ta zhvendosnin atë në 30 gradë, në të dyja drejtimet. Pamjet e postuara në “Twitter”, duket se tregonin rimorkiatorët që u binin borive për të festuar këtë fitore të vogël.

Tani zyrtarët thonë se uji ka filluar të rrjedhë nën anije dhe se me shpresë, shumë shpejt ajo do të mund të zhvendoset për të liruar kanalin. Sipas të dhënave, bllokimi po ndal mallra me vlerë 9.6 miliardë dollarë në ditë ose ndryshe, po bllokon 400 milionë dollarë çdo orë.

Vetë Egjipti po humbet 14 milionë dollarë të ardhura çdo ditë që kanali qëndron i mbyllur. Zyrtarët egjiptianë ndërkohë kanë falenderuar SHBA, Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për ofertat për ndihmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat