Iran, 7 kandidatë për garën presidenciale, pengohen aleatët e Rouhanit

Azia

Iran, 7 kandidatë për garën presidenciale, pengohen aleatët e Rouhanit

Më: 25 maj 2021 Në ora: 16:22
Rouhani

Irani miratoi 7 kandidatë për zgjedhjet presidenciale të 18 qershorit mes tyre Ebrahim Raisin, klerikun e vijës së ashpër që udhëheq sistemin gjyqësor. Ndërkohë autoritetet penguan pjesmarrjen në garë të kandidatëve të njohur, aleatë të presidentit aktual, mes tensionesh me Perëndimin mbi programin e vjetëruar bërthamor të Iranit.

Sipas njoftimit të kryer nga televizioni shtetëror, shefi i gjyqësorit Ebrahim Raisi, emri i të cilit është i lidhur me ekzekutime masive në vitin 1988, ndodhet në pozita dominuese në garën e pritshme.

Ai është kandidati më i shquar mes grupit të shtatëshes që ka gjasa për sukses në zgjedhje. Sondazhet e opinionit publik tregojnë se fushata e tij anti-korrupsion ka tërhequr mbështetjen e iranianëve. Zoti Raisi besohet gjithashtu të jetë i preferuari i Udhëheqësit Suprem 82-vjeçar të Iranit, Ali Khamenei.

Por ajo që ra në sy ishte vendimi i Këshillit Kushtetues të Iranit për të ndaluar nga pjesmarrja në garë disa kandidatë. Në krye të tyre ishte ish-kryetari i Parlamentit Ali Larijani, me bindje konservatore dhe gjatë viteve të fundit një aleat i zotit Rouhani. Zoti Larijani e kishte pozicionuar veten si një kandidat pragmatist i cili ka mbështetur marrëveshjen bërthamore të Iranit me fuqitë botërore, firmosur nga zoti Rouhani në vitin 2015. Irani nuk po i përmbahet më kushteve të kësaj marrëveshjeje dhe diplomatët në Vjenë po përpiqen të negociojnë një rikthim të Teheranit dhe Uashingtonit tek marrëveshja.

Gjatë një komenti në median sociale zoti Larijani u duk se sinjalizonte se nuk do ta kundërshtonte vendimin.

"Unë e kam bërë detyrën time përpara Zotit dhe kombit tim të dashur dhe jam i kënaqur", shkruante ai në Twitter. "Faleminderit të gjithë atyre që shprehën mirënjohje dhe shpresoj se do të merrni pjesë në zgjedhjet për mbështetjen e një Irani Islamik", vijonte ai më tej.

Këshilli Kushtetues ndaloi gjithashtu kandidimin e ish-Presidentit të vijës së ashpër, Mahmoud Ahmadinejad si dhe Nënpresidentin kryesor të zotit Rouhani, reformistin Eshaq Jahangiri. Zoti Ahmadinexhad e pati injoruar një paralajmërim të zotit Khamenei në vitin 2017 dhe u regjistrua për garën presidenciale, por u refuzua aso kohe nga Këshilli Kushtetues, një panel prej 12 anëtarësh nën drejtimin e zotit Khamenei.

Gjatë një seance të parlamentit të martën, ligjvënësi Ahmad Alirezabeigi tha se shtëpia e zotit Ahmadinexhad ishte "nën rrethim" nga forcat e sigurisë që prej një dite më parë. Ai paralajmëroi se vendimi do të ndrydhte pjesëmarrjen në zgjedhje. Që nga revolucioni islamik i vitit 1979 teokracia e Iranit e ka mbështetur legjitimitetin e saj pjesërisht tek pjesëmarrja në zgjedhje.

Më herët gjatë ditës së sotme televizioni Shtetëror citonte zëdhënësin e Këshillit Kushtetues Abbas Ali Kadkhodaei, të thoshte se "vetëm shtatë" emra ishin miratuar nga rreth 590 persona që ishin regjistruar në panelin e klerikëve dhe juristëve që mbikëqyret nga zoti Khamenei. Në vitin 2017, u regjistruan 1,630 kandidatë që kishin gjasa për sukses./VOA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat