Kina reagon ndaj deklaratave të ShBA për origjinën e virusit: Manipulim politik dhe zhvendosje e fajit

Azia

Kina reagon ndaj deklaratave të ShBA për origjinën e virusit: Manipulim politik dhe zhvendosje e fajit

Më: 28 maj 2021 Në ora: 08:41
Kina

Kina ka denoncuar përpjekjen amerikane për të vijuar hetimet për origjinën e virusit Covid-19, për të vërtetuar nëse është krijuar apo jo në një laborator në Wuhan.

Një ditë më parë presidenti amerikan Joe Biden tha se ai pret brenda 90 ditëve një raport të plotë nga agjencitë amerikane të inteligjencës në lidhje me këtë çështje.

Ministri i jashtëm kinez akuzoi SHBA-në për manipulim politik dhe zhvendosje të fajit. Edhe njëherë ai refuzoi çdo mundësi të krijimit të virusit vdekjeprurës në një laborator të qytetit kinez Wuhan.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme Zhao Lijian tha se kjo tregoi që SHBA “nuk kujdesen për faktet ose të vërtetën dhe kanë zero interes në një studim serioz të bazuar në shkencë mbi origjinën”.

“Qëllimi i tyre është të përdorin pandeminë për të ndjekur stigmatizimin, manipulimin politik dhe zhvendosjen e fajit. Ata janë duke mos respektuar shkencën, të papërgjegjshëm ndaj jetës së njerëzve dhe kundërprodhues ndaj përpjekjeve të bashkërenduara për të luftuar virusin,” tha ai.

Zëdhënësi gjithashtu tha se agjencitë e inteligjencës amerikane kishin një “histori të errët” të përhapjes së dezinformatave.

Prej fundit të vitit 2019, kur u publikuan rastet e para me koronavirus në Kinë, janë konfirmuar mbi 168 milionë raste në mbarë botën dhe më shumë se 3.5 milionë të vdekur.

Zyrtarët kinezë lidhën rastet e hershme të Covid me një treg të prodhimeve të detit në Wuhan, duke i çuar shkencëtarët në teori se virusi u kishte kaluar njerëzve për herë të parë nga kafshët.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se është “jashtëzakonisht e pamundur” që virusi të përhapet nga një rrjedhje laboratori, pas një vizite në Wuhan për të hetuar origjinën e shpërthimit të koronavirusit, shkruan A2.

Por raportet e fundit të mediave amerikane kanë paraqitur prova në rritje që virusi mund të ketë dalë nga një laborator në Kinë, ndoshta përmes një rrjedhje aksidentale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat