Izraeli heton lidhjen e mundshme mes vaksinës Pfizer dhe miokardit

Azia

Izraeli heton lidhjen e mundshme mes vaksinës Pfizer dhe miokardit

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 20:16
Pfizer

Ministria e Shëndetësisë në Izrael ka raportuar për një lidhje të mundshme midis dozës së dytë të vaksinës anti-COVID të “Pfizer”/”BioNTech” dhe rasteve të miokardit, një inflamacion ky i muskulit të zemrës, në mesin e burrave nën moshën 30-vjeçare.

Ministria ka bërë të ditur se nga dhjetori i vitit 2020 deri në maj të vitit 2021, janë raportuar 275 raste të miokardit nëpër vend, teksa 148 prej tyre janë evidentuar brenda një periudhe jo shumë të vonshme pas injektimit të dozës së dytë të kurës.

27 raste janë raportuar te personat që kanë marrë vetëm dozën e parë, nga më shumë se 5.4 milionë sa e morën. Ndërsa, shifra është rritur në 121 nga mbi 5 milionë brenda 30 ditëve, pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Ministria izraelite ka njoftuar se shumica e të prekurve ishin burra nën moshën 30-vjeçare, ndërsa në veçanti ishin djem të moshës 16 deri 19-vjeçare. Shumica e rasteve ishin të lehta, me ç’rast pacientët janë liruar nga spitali pas katër ditëve, si ndodh zakonisht me rastet e miokardit.

Është raportuar edhe një vdekje e lidhur me miokardi, mirëpo kjo ndërlidhje nuk është vërtetuar plotësisht. Raporti ka zbuluar se lidhja mes vaksinës dhe miokardit ulet me rritjen e moshës. Por, ekspertët në Izrael kanë thënë se këto raste nuk do ta ndalin procesin e vaksinimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat