Talibanët: Kontrollojmë pjesën më të madhe të Afganistanit

Azia

Talibanët: Kontrollojmë pjesën më të madhe të Afganistanit

Më: 9 korrik 2021 Në ora: 16:48
Talibanët

Një delegacion i Talebanëve që po viziton Moskën tha të premten se ky grup kontrollon mbi 85 për qind të territorit në Afganistan dhe siguroi Rusinë se nuk do të lejonte që vendi të përdorej si një platformë për të sulmuar vendet e tjera.

Pretendimi i Talebanëve se kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit, gjë që kundërshtohet nga qeveria afgane, është i pamundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Forcat e huaja, përfshirë Shtetet e Bashkuara, po tërhiqen nga Afganistani pas rreth 20 vitesh luftimesh, një veprim që ka inkurajuar kryengritësit Talebanë të marrin nën kontroll më shumë rajone të vendit.

Kjo ka bërë që qindra punonjës afganë të sigurisë e refugjatë të largohen përtej kufirit, në Taxhikistanin fqinj, gjë që ka rritur frikën në Moskë dhe vende të tjera se ekstremistët islamikë mund të infiltrojnë në Azinë Qendrore, një rajon që Rusia e sheh “si një territor që e kontrollon”.

Të premten gjatë një konference shtypi në Moskë, tre përfaqësues të grupit Taleban u përpoqën të sinjalizojnë se ata nuk përbëjnë një kërcënim për rajonin.

Ata thanë se Talebanët do të bënin gjithçka mundeshin për të parandaluar Shtetin Islamik që të vepronte në territorin afgan dhe se do të përpiqeshin gjithashtu të shkatërronin prodhimin e drogës.

"Ne do të marrim të gjitha masa në mënyrë që Shteti Islamik të mos veprojë në territorin afgan. Territori ynë nuk do të përdoret kurrë kundër fqinjëve tanë", tha një nga përfaqësuesit e grupit Taleban, Shahabuddin Delawar.

Anëtarët e të njëjtit delegacion thanë një ditë më parë se grupi nuk do të sulmonte kufirin mes Taxhikistanit dhe Afganistanit, mbi të cilin ka shqetësime në Rusi dhe në vendet e Azisë Qendrore.

Të premten sipas një njoftimi të Agjencisë së lajmeve “Interfax”, Ministria e Jashtme ruse tha se Moska ka vërejtur një rritje të mprehtë të tensioneve në këtë kufi, dy të tretat e të cilit kontrollohet aktualisht nga Talebanët.

Ministria e Jashtme e Rusisë u bëri thirrje të gjitha palëve në konflik në Afganistan të tregojnë përmbajtje dhe tha se Moska dhe blloku ushtarak i udhëhequr prej saj (CSTO) do të veprojnë me vendosmëri për të parandaluar agresionin në kufi nëse do të jetë e nevojshme, njoftoi RIA.

Delegacioni Taleban tha të premten se grupi do të respektojë të drejtat e pakicave etnike dhe se të gjithë qytetarët afganë duhet të kenë të drejtën për arsimim të denjë në kuadrin e ligjit islamik dhe traditave afgane.

"Ne duam që të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë afgane të marrin pjesë në krijimin e një shteti afgan", tha zoti Delawar./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat