Ebrahim Raisi, president i ri i Iranit

Azia

Ebrahim Raisi, president i ri i Iranit

Më: 6 gusht 2021 Në ora: 17:55
Ebrahim Raisi

Ebrahim Raisi, një politikan i besuar i Ajatollahut të Iranit u bë presidenti i ri i vendit, pasi bëri të enjten betimin në një ceremoni në parlament.

Me ardhjen e tij në postin e presidentit, ithtarët e vijës së ashpër kanë tani nën kontroll të gjitha degët e qeverisë.

Ish-kreu i gjyqësorit, Ebrahim Raisi njihet si një politikan që ushqen mosbesim të thellë për Perëndimin. Ai merr drejtimin e vendit në një koë tensionesh kur bisedimet jo të drejtpërdrejta të Iranit me Shtetet e Bashkuara për të rigjallëruar marrëveshjen bërthamore të 2015 kanë ngecur. Uashingtoni mban në fuqi sanksione të rënda ndaj Iranit, ndërkohë që tensionet mes Teheranit dhe fqinjëve rajonalë janë acaruar më tej kohët e fundit.

I veshur me çallmën e zezë tradicionale për shiitët iranianë, Raisi bëri betimin me dorën mbi Kuran.

Në fjalimin e tij ai theksoi rëndësinë e diplomacisë për heqjen e sanksioneve amerikane dhe ndreqjen e marrëdhënieve me fqinjët, me një aludim të nënkuptuar për Arabinë Saudite. Por ai sinjalizoi gjithashtu se Irani synon të zgjerojë autoritetin në rajon, si kundërpeshë ndaj armiqve të tij në atë pjesë të botës.

Ebrahim Raisi siguroi një fitore dërrmuese në zgjedhje që u karakterizuan nga pjesëmarrja më e ulët në historinë e vendit. Ai ndeshet me një numër problemesh të brendshme, ndër to inflacion jashtë kontrollit, mungesa të furnizimit të rregullt me energji elektrike dhe ujë dhe protesta popullore. Sanksionet e rënda kanë dërrmuar ekonominë, kanë zhvlerësuar ndjeshëm monedhën vendase dhe kanë rënduar ndjeshëm mbi qytetarët e thjeshtë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat