​Krejt çka u tha në konferencën e parë të talibanëve pas marrjes së Kabulit

Azia

​Krejt çka u tha në konferencën e parë të talibanëve pas marrjes së Kabulit

Më: 17 gusht 2021 Në ora: 17:37
Foto

Një konferencë shtypi e talibanëve sapo është mbajtur në Kabul. Ky është fjalimi i parë publik i talibanëve që kur ata morën kontrollin mbi Afganistanin të dielën.

Zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid tha se "Ne kemi pushtuar të gjithë vendin brenda dy ditësh, por nuk jemi arrogantë për shkak të kësaj”.

“Ne duam të sigurohemi që të mos ketë më luftë në Afganistan. Ne i kemi falur të gjithë ata që luftuan kundër nesh. Armiqësitë duhet të marrin fund. Ne nuk duam asnjë armik të jashtëm apo të brendshëm. Situata aktuale është ende ushtarake, por kur të formojmë një qeveri, gjithçka do të jetë shumë më e qartë. Ky është një vend mysliman, siç ishte 20 vjet më parë, por ne kemi ndryshuar në atë periudhë. Ligjet që do të zbatohen në vend do të jenë përgjegjësi e qeverisë së ardhshme," shtoi ai.

I pyetur për të drejtat e grave, ai tha: "Ne do t'i lejojmë gratë të punojnë dhe studiojnë brenda kornizës sonë".

"Gratë do të jenë në gjendje të punojnë dhe studiojnë, por, do të jenë shumë aktive në shoqërinë tonë, por natyrisht brenda kornizës sonë," tha ai.

"Ne garantojmë të gjitha të drejtat e grave sipas ligjit të Sheriatit. Gratë mund të punojnë në arsim dhe shëndetësi. Nëse komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar, le ta dinë se gratë tona do të kenë të gjitha të drejtat sipas ligjit të Sheriatit. Gratë tona janë myslimane dhe duhet të respektojnë ligjin e Sheriatit," shtoi ai.

Kur bëhet fjalë për aktivitetet e mediave, zëdhënësi i talibanëve tha se “duhet ta dinë se mediat duhet të jenë të paanshme, por asgjë në to nuk duhet të jetë kundër vlerave islame, të cilat janë shumë të rëndësishme për ne”.

“Media nuk duhet të punojë kundër unitetit kombëtar, nuk duhet të promovojnë përçarje, ata duhet të punojë për unitetin e vendit, "tha ai.

"Unë dua të siguroj bashkësinë ndërkombëtare se ne nuk do të dëmtojmë askënd. Ne nuk duam probleme me bashkësinë ndërkombëtare. Ne kemi të drejtë të veprojmë në përputhje me parimet tona fetare. Vendet e tjera kanë qasje, rregulla dhe rregullore të ndryshme ... Afganët kanë të drejtë në rregullat dhe rregulloret e tyre me vlerat tona. Pas 20 vjetësh luftime, ne kemi emancipuar vendin dhe kemi dëbuar të huajt. Ky është një moment krenarie për të gjithë vendin," tha Zabihullah Mujahid, i cili doli para kamerave për herë të parë.

Duke folur rreth marrjes së Afganistanit brenda pak ditësh, zëdhënësi i talibanëve tregoi arsyet e hyrjes së tyre brenda në Kabul.

"Plani ynë ishte të ndaleshim para Kabulit sapo të merrnim nën kontroll të gjitha krahinat e tjera, por për fat të keq qeveria e mëparshme ishte aq e paaftë sa forcat e tyre nuk mund të siguronin siguri në Kabul dhe kështu ne duhej të bënim diçka. Ata donin të hynin në shtëpi, të ngacmojnë njerëzit dhe të vjedhin dhe kjo është arsyeja pse ne hymë në Kabul, për të siguruar që Kabuli është një qytet i sigurt," tha zëdhënësi i talibanëve në një konferencë shtypi.

"Ne i kemi falur të gjithëve në mënyrë që Afganistani të jetë një vend i qëndrueshëm ku mbretëron paqja. Luftëtarët tanë, njerëzit tanë, të gjithë ata do të sigurojnë që kjo të përfshijë të gjitha palët. Ata të cilëve jeta u humbi sepse luftuan për armikun, është faji i tyre ", tha ai.

"Ne jemi duke punuar seriozisht në formimin e një qeverie të re, ju siguroj për këtë. Ne i kemi të gjithë kufijtë nën kontrollin tonë. Nuk do të ketë kontrabandë armësh, ne do të mbledhim të gjitha armët e përdorura në luftë," shtoi Mujahid.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat