Vlejnë miliarda dollarë, çfarë do të ndodhë tani me mineralet e Afganistanit?

Azia

Vlejnë miliarda dollarë, çfarë do të ndodhë tani me mineralet e Afganistanit?

Më: 19 gusht 2021 Në ora: 16:00
Ilustrim

Pas marrjes së shpejtë nën kontroll të Afganistanit nga ana e talebanëve me tërheqjen e trupave amerikane, vendi është përfshirë nga një krizë humanitare dhe politike.

Ndërkohë, ekspertët e sigurisë vijojnë të ngrenë pyetjen se çfarë do të ndodhë me sasinë jashtëzakonisht të madhe te mineraleve të papërdorura në Afganistan, shkruan CNN.

Fjala është për një prej vendeve më të varfra në botë. Në vitin 2010, ushtarët amerikanë së bashku me gjeologët zbuluan se në Afganistan ka rezerva të mineraleve që kapin vlerën e afro një trilion dollarëve, që do t’i sillte vendit benefite drastike.

Rezervat e hekurit, bakrit dhe arit janë të shpërndara në të gjitha provincat. Ekzistojnë gjithashtu minerale të rralla dhe ndoshta më e rëndësishmja është rezerva më e madhe në botë e litiumit, përbërës thelbësor i baterive që rimbushen dhe teknologji tjera që kanë rëndësi jetike për trajtimin e krizës klimatike.

“Afganistani është zona e pasur me metale të çmuara, por edhe me metale të nevojshme për ekonominë e ardhshme të shekullit XXI”, tha Rod Schoonover, shkencëtar dhe ekspert i sigurisë që themeloi “Ecological Futures Group”.

Sfidat e sigurisë, mungesa e infrastrukturës dhe thatësirat e mëdha, kanë parandaluar shfrytëzimin e mineraleve më të vlefshme në të kaluarën. E kjo nuk ka gjasa të ndryshojë shpejt edhe në një të ardhme të afërt – duke marrë parasysh se tani këtë vend e kanë nën kontroll talebanët.

Megjithatë, duket se ka interesim të madh nga disa vende, përfshirë Kinën, Pakistanin dhe Indinë, që po përpiqen të përfshihen pavarësisht kaosit të krijuar.

Shtrohet pyetja në çfarë mase do të jetë kjo e mundur.  Që para se presidenti amerikan Joe Biden të njoftonte për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, vlerësohet se gjatë vitit të kaluar, 90 për qind e afganëve kanë jetuar në varfëri me vetëm dy dollarë në ditë.

Kërkesat e mëdha për metale si litiumi dhe kobalti si dhe elemente të rralla si neodymiumi, po rriten dita ditës derisa shumë vende po përpiqen të kalojnë nga makinat me naftë e benzinë në ato elektrike me qëllim që zvogëlimit të emetimit të karbonit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat