Rritet numri i viktimave në Kabul, mes tyre edhe ushtarë amerikanë; SHBA: Ja kush qëndron prapa sulmeve

Azia

Rritet numri i viktimave në Kabul, mes tyre edhe ushtarë amerikanë; SHBA: Ja kush qëndron prapa sulmeve

Nga: Bota sot Më: 26 gusht 2021 Në ora: 16:29
Pamje nga shpërthimet në Kabul

(E plotësuar 22:51) - Nuk gjen qetësi Kabuli, tjetër shpërthim shqetëson banorët

Banorët në Kabul kanë raportuar se kanë dëgjuar të paktën një shpërthim tjetër të madh brenda orës së kaluar.

Secunder Kermani, korrespondent i BBC në Afganistan, ishte në mesin e atyre që dëgjuan shpërthimin, përcjell Bota sot.

Image

Zabihullah Mujahid, një zëdhënës i talibanëve, tha se shpërthimet u shkaktuan nga forcat amerikane që shkatërruan pajisjet.

Ai tha se banorët e qytetit nuk duhet të shqetësohen.

Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmet në Kabul

Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet në aeroportin e Kabulit.

Sipas asaj që shkruan BBC, deklarata u bë nëpërmjet një mesazhi të postuar në kanalin e lajmeve të grupit terrorist, Telegram.

Grupi tha se një person kishte hedhur veten në erë mes afganëve dhe trupave amerikane.

Edhe zyrtarët e Mbrojtjes amerikane thanë se besonin që pas sulmeve vdekjeprurëse qëndronin militantë të të ashtuquajturit Shteti Islamik.

12 ushtarë amerikanë të vdekur pas shpërthimeve në Kabul

Të paktën 60 persona janë vrarë dhe 140 janë plagosur si pasojë e dy shpërthimeve që ndodhen ditën e sotme pranë aeroportit të Kabulit.

John Kirby, sekretari i zyrës së shtypit të Pentagonit në SHBA, konfirmoi se mes viktimave ka 12 ushtarë amerikanë.

Para disa ditësh, presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se do të kishte reagim të fuqishëm nga ana e SHBA në rast se do të dëmtoheshin ushtarët amerikanë.

Autoritetet e sigurisë amerikane raportuan më herët për të paktën dy shpërthime pranë aeroportit të Kabulit, Hamid Karzai.

Pas shpërthimeve kanë pasuar disa paralajmërime për rrezik të një sulmi të afërt.

***

 Deri më tani, të paktën 60 persona janë vrarë dhe 140 janë plagosur në sulmin kamikaz në aeroportin e Kabulit, sipas raportimeve nga “Wall Street Journal”, që citon burime mjekësore.

Pak më herët, një reporter i “New York Times” në Kabul, Fahim Abed, raportoi se të vdekurit janë të paktën 40, kurse të plagosurit 120.

Duke cituar një zëdhënës të talebanëve, Reuters raportoi të paktën 13 viktima, midis tyre edhe fëmijë, si edhe 52 të plagosur.

“Ka shumë të ngjarë që sulmi të jetë kryer nga Isis-K, shteti islamik i provincës afgane të Khorasan”, raportuan burimet britanike të Mbrojtjes për Sky news.

“Asnjë ushtar gjerman nuk u raportua të jetë plagosur në sulmin në Kabul”, shkroi “Bild on line”, sipas së cilës “tre anëtarë të marinës amerikane dhe disa ushtarë britanikë u plagosën”.

Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se nuk kishte të lënduar në kontigjentin turk të angazhuar në aeroport.

“Asnjë italian nuk u përfshi në shpërthim. Shpërthimi ndodhi në një zonë të largët nga vendi ku ushtria italiane po vepron për fazat e fundit të operacionit “Aquila”, për evakuimin e qytetarëve afganë”, mësohet nga Ministria e Mbrojtjes.

Një nga sulmet dyshohet se u krye nga një kamikaz, i cili hodhi veten në erë në një zonë të quajtur “kanali”.

***

64 persona mësohet se kanë vdekur nga shpërthimi në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

Shpërthimi ka ndodhur në aeroportin e Kabulit, ndërsa nuk dihet kush e ka organizuar këtë sulm.

Shumë njerëz janë vrarë pasi dy bomba të fuqishme dhe një person i armatosur goditi një nga hyrjet kryesore të aeroportit ndërkombëtar të Kabulit.

Një person i armatosur gjuajti me armë një nga hyrjet kryesore në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit.

Mes 64 të vrarëve mësohet se janë 4 ushtarë amerikanë.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, po thërret një takim të hënën në lidhje me situatën në Afganistan, me të dërguarit e OKB-së për Britaninë, Francën, Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë-anëtarët e përhershëm, të cilët kanë të drejtën e vetos në këshillin e sigurisë.

***

Në vazhdimësi po raportojmë nga sulmet që janë kryer pasditen e sotme në Kabul, aty ku edhe siç raporton BBC janë shumë të lënduar e të vdekur nga këto shpërthime.

Deri më tani janë raportuar për më shumë se 10 të vrarë e mbi 100 të lënduar

Nga pamjet e mëposhtme mund të shihni tmerrin që ka ndodhur në këtë vend pas shpërthimeve të një pas njëshme, siç raportojnë mediet e huaja.

 

SHBA: Shteti Islamik qëndron prapa sulmit në Kabul

Një zyrtar amerikan ka deklaruar se dy sulme që kanë ndodhur të enjten jashtë aeroportit të Kabulit, besohet të jenë kryer nga grupi “Shteti Islamik”.

Zyrtarët thonë se pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë mbetur të plagosur, pasojë e sulmeve ku ishin të përfshirë dy vetëvrasës me bombë dhe një gjuajtës me armë zjarri.

Deri më tani raportohet për të paktën 13 të vdekur si pasojë e dy sulmeve.

Në mesin e tyre ka edhe fëmijë.

Sërish shpërthim në Afganistan, raportohet për një numër viktimash amerikanë dhe civilë afganë

Pentagoni ka konfirmuar shpërthimin e dytë pranë aeroportit të Kabulit dhe “një numër viktimash amerikane dhe civile”, raporton CNN.

Sekretari për shtyp i Pentagonit, John Kirby konfirmoi se kishte të paktën një shpërthim tjetër pranë aeroportit, në ose pranë Hotel Baron.

Ai tha se mund të konfirmojë se shpërthimi në Abbey Gate ishte “rezultat i një sulmi kompleks që rezultoi në një numër viktimash amerikane dhe civile”.

Pamje të rënda të personave që mbetën të plagosur nga ky shpërthim janë publikuar tashmë.

Më herët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore i paralajmëruan qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga zonat përreth aeroportit të Kabulit, për shkak të kërcënimeve për një sulm terrorist nga organizata terroriste ISIS.

***

Një shpërthim i madh ndodhi  në një nga portat hyrëse të aeroportit të Kabulit (Porta e Abbey), konfirmoi zëdhënësi i Pentagonit John Kirby në Twitter dhe u pasua nga të shtëna me armë.

Presidenti amerikan Joe Biden është informuar dhe po azhurnohet mbi zhvillimet në këto momente nga niveli i lartë i sigurisë kombëtare.

Nga sulmi raportohte për të paktën 13 viktima, mes tyre dhe fëmijë.

Image

Kjo u raportua nga agjencia e lajmeve Reuters duke cituar një zëdhënës të talibanëve sipas të cilit dyshohet se ka të plagosur në radhët e tyre.

Mësohet se një person hodhi veten në erë në një zonë të quajtur "kanali" .

Image

Gazetari i Skynews raporton në vend duke shpjeguar se është një zonë e cila ndodhet jashtë aeroportit ku mijëra e mijëra njerëz presin që dokumentet e tyre të shqyrtohen. Në këtë zonë, shpjegoi reporteri, kryesisht ushtrojnë trupat britanike.

***

Ambasadori kroat në Turqi Hrvoje Cvitanoviq, i cili është përgjegjës edhe në Kabul, paralajmëroi sot në Zagreb se "rreziku po rritet çdo ditë" në Afganistan dhe personalisht vlerëson se ekziston një kërcënim i një sulmi terrorist, i cili tashmë është paralajmëruar nga Qeveritë amerikane, australiane dhe britanike.

Cvitanoviq tha se një sulm ndodhi para aeroportit në Kabul dhe se tre persona u vranë.

"Kishte një sulm shumë të shëmtuar para aeroportit sot, ne nuk e dimë se kush për momentin, por tre persona u vranë," tha ambasadori kroat, i cili po merr pjesë në Konferencën e Ambasadorëve, Konsujve të Përgjithshëm dhe të dërguarve ushtarakë në Zagreb.

Shpërthim jashtë aeroportit të Kabulit

Ushtria amerikane konfirmoi të enjten se një shpërthim ka ndodhur jashtë aeroportit të Kabulit në Afganistan.

"Ne mund të konfirmojmë një shpërthim jashtë aeroportit të Kabulit. Ende nuk dihet për viktima të mundshme. Kur të mundemi do të ofrojmë informacione shtesë", tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Më herët Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore i paralajmëruan qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga zonat përreth aeroportit të Kabulit, për shkak të kërcënimeve për një sulm terrorist.

Më shumë se 82,000 njerëz janë nxjerrë tashmë me aeroplanë nga Kabuli, i cili ka rënë në duart e talibanëve më 15 gusht.

Vendet po nxitojnë t’i evakuojnë njerëzit deri në afatin e 31 gushtit.

Mijëra njerëz janë ende duke pritur brenda dhe jashtë aeroportit, me shpresën se do të mund të largohen.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kabul i këshilloi qytetarët amerikanë që të shmangin udhëtimin në aeroport dhe tha se ata që tashmë janë në portat e tij, duhet të largohen menjëherë, për shkak të “kërcënimeve të sigurisë”.

Zyra e Jashtme britanike lëshoi një këshillë të ngjashme, duke u thënë njerëzve pranë aeroportit që “të largohen në një vend të sigurt”. Ajo tha se ekziston një “kërcënim i vazhdueshëm dhe i lartë i sulmit terrorist”.

"Ka një raportim shumë, shumë të besueshëm për një sulm të afërt", tha ministri britanik për Forcat e Armatosura, James Heappey.

Australia gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të saj dhe atyre me viza për në Australi që të largohen nga zona, duke thënë se ekziston një “kërcënim shumë i lartë për sulm terrorist”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka caktuar 31 gushtin si afat për përfundimin e evakuimit të njerëzve dhe të tërheqjes së trupave amerikane, që ruajnë aeroportin.

Biden ka përmendur kërcënimet terroriste nga dega rajonale e grupit militant Shteti Islamik si arsye për mbajtjen e këtij afati.

Dega e Shtetit Islamik në Afganistan dhe Pakistan ka qenë përgjegjëse për disa nga sulmet më vdekjeprurëse në këto vende, viteve të fundit.

Derisa trupat perëndimore po punojnë brenda aeroportit për evakuimin e qytetarëve, luftëtarët talibanë po ruajnë perimetrin e jashtëm.

Ahmedullah Rafiqzai, një zyrtar afgan që punon në Drejtorinë e Aviacionit Civil në Aeroportin e Kabulit, tha për agjencinë Reuters se do të ishte e lehtë për një sulmues vetëvrasës që t’i sulmonte korridoret, por tha se është skeptik se njerëzit do t'i dëgjojnë paralajmërimet.

“Vendosmëria për të ikur nga ky vend i bën që të mos kenë frikë nga vdekja. Të gjithë po rrezikojnë jetën e tyre”, tha Rafiqzai.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden është informuar për kërcënimin nga Shteti Islamik, si dhe për planet e emergjencës për evakuim. Biden ka urdhëruar largimin e të gjitha trupave nga Afganistani, në bazë të një marrëveshjeje me talibanët.

Qëkur talibanët kanë hyrë në Kabul më 15 gusht, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë evakuuar më shumë se 88,000 njerëz, përfshirë 19,000 në 24 orët e fundit.

Ushtria amerikane ka thënë se aeroplanët po ngrihen çdo 39 minuta nga aeroporti i Kabulit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha në një konferencë për media në Uashington se nuk ka afat në përpjekjet për të ndihmuar njerëzit që duan të largohen nga Afganistani - si amerikanët, ashtu edhe të tjerët - dhe se kjo do të vazhdojë “për aq kohë sa duhet”.

Talibanët kanë thënë se trupat e huaja duhet të jenë jashtë Afganistanit deri në fund të këtij muaji dhe kanë përjashtuar çdo zgjatje të afatit.

Ata u kanë bërë thirrje afganëve që të qëndrojnë, ndërsa kanë thënë se ata që kanë leje për t'u larguar, do të lejohen ta bëjnë këtë sapo të rifillojnë fluturimet komerciale.

Talibanët kanë sunduar Afganistanin edhe në periudhën 1996-2001, me një interpretim brutal të ligjit islamik.

Talibanët tani premtojnë një sundim më të butë, por shumë kanë frikë nga kufizimet e ashpra që mund t’i imponojnë, si dhe nga ndëshkimi për shkak të punës me ushtritë e huaja dhe misionet perëndimore.

Shqetësime të veçanta ka për gratë, të cilave, gjatë sundimit të mëparshëm taliban, u është ndaluar shkollimi dhe punësimi./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat