Izraeli do të vaksinojë me tri doza edhe fëmijët mbi 12 vjeç

Azia

Izraeli do të vaksinojë me tri doza edhe fëmijët mbi 12 vjeç

Më: 30 gusht 2021 Në ora: 07:43
Naftali Bennett

Izraeli njoftoi të dielën se do të vaksinojë me tri doza edhe fëmijët mbi 12 vjeç. “Të gjithë qytetarët duhet të marrin tri doza për t’u quajtur si plotësisht të vaksinuar”, tha kryeministri Naftali Bennett.

Ai u bëri thirrje prindërve që të çojnë për të vaksinuar fëmijët e tyre nga 12 deri në 18 vjeç.

Vendimi i qeverisë izraelite mbërriti pasi studime të shumta treguan se doza e tretë e vaksinës Pfizer përforcon imunitetin.

Duke iu referuar këtyre studimeve, Bennet tha se doza e tretë ul ndjeshëm rrezikun e simptomave të rënda të shkaktuara nga varianti Delta i Covid.

Por, ngutja e vendeve të zhvilluara për të vaksinuar me tre doza qytetarët e tyre është kritikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që thotë se më parë duhet siguruar që vende e varfra të kenë akses të vaksinat.

Izraeli ka regjistruar javën e fundit një rritje të fortë të rasteve të reja, ku të dielën autoritetet raportuan 7 mijë të tilla, në një popullsi prej vetëm 9.3 milionë banorë.

Deri më tani Izraeli ka vaksinuar rreth 2 milionë qytetarë me dozën e tretë, ndërsa vaksinimi me dy doza është realizuar në më shumë se 90 për qind të popullsisë totale të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat