Talibanët shpallin Qeverinë e re/ Kryeministri i ri i Afganistanit, pjesë e listës së terroristëve nga SHBA

Azia

Talibanët shpallin Qeverinë e re/ Kryeministri i ri i Afganistanit, pjesë e listës së terroristëve nga SHBA

Më: 7 shtator 2021 Në ora: 17:37
Mulla Abdul Ghani Baradar (i ulur në mes) do të jetë një zëvendësi i kreut të Qeverisë së re talibane.

Talibanët njoftuan se kanë krijuar Qeverinë e re të Afganistanit, e cila do të udhëhiqet nga njëri prej themeluesve të tyre.

Zëdhënësi i grupit, Zabihullah Mujahid, tha se në krye të Qeverisë do të jetë Mullah Mohammad Hassan Akhund, ndërsa zëvendës i tij Mullah Abdul Ghani Baradar.

Mawlawi Haibatullah Akhundzada, ndërkaq, do të jetë udhëheqës suprem.

Talibanët kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të Afganistanit më 15 gusht.

Një ditë më herët, ata thanë se kanë marrë nën kontroll edhe provincën Panjshir - zonën e fundit që kontrollohej nga forcat e rezistencës.

Këto të fundit, megjithatë, i hodhën poshtë pretendimet e tilla dhe thanë se luftimet vazhdojnë.

Video:

Mujahid i përshkroi emërimet e reja si udhëheqës "në detyrë" dhe tha se mund të ketë ndryshime në të ardhmen.

"Ne e dimë që njerëzit e vendit tonë kanë qenë në pritje të një Qeverie të re", tha Mujahid, duke shtuar se "grupi u është përgjigjur nevojave të njerëzve".

Kush janë talibanët dhe si veprojnë ata?

Një zëdhënës tjetër i talibanëve, Ahmadullah Masiq, konfirmoi për BBC-në se Afganistani duhet të njihet si "Emirati Islamik i Afganistanit" - titull që grupi ka përdorur gjatë sundimit të tij në periudhën 1996-2001.

Akhund, i cili pritet të udhëheqë punët e përditshme të regjimit të ri - diçka e ngjashme me rolin e kryeministrit - është në listën e terrorizmit të Kombeve të Bashkuara qysh në vitin 2001.

Akhundzada, si udhëheqës suprem, do të ketë fjalën e fundit në çështjet politike, fetare dhe ushtarake.

Emërimet e tjera përfshijnë Mawlawi Amir Khan Mutaqqin si ministër i Jashtëm dhe
Mullah Mohammad Yaqoobin si ministër i Mbrojtjes.

Sarajuddin Haqqani, i cili u emërua ministër i Brendshëm, është udhëheqës i grupit militant të njohur si rrjeti Hakani.

Hakani është i lidhur me talibanët dhe ka marrë përgjegjësinë për disa nga sulmet më vdekjeprurëse në Afganistan./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat