Pilotët afganë të harruar në Taxhikistan

Azia

Pilotët afganë të harruar në Taxhikistan

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 11:07
Pilotët afganë duke ngrënë bukë së bashku në objektin ku janë vendosur në Taxhikistan që kur u larguan nga Afganistani më 15 gusht

Në një zonë turistike jasht kryeqytetit të Taxhikistanit është një ndërtesë dykatëshe moderne e rrethuar me pemë të larta.

Sanatoriumi shtetëror pranë kryeqytetit Dushanbe zakonisht është i rezervuar për zyrtarë të lartë të këtij vendi, të cilët shkojnë atje gjatë fundjavave ose për të kaluar pushime të shkurtra.

Por, që nga 1 shtatori, në këtë objekt janë strehuar një numër i madh i personelit ushtarak afgan dhe familjet e tyre. Ata janë larguar nga Afganistani pasi talibanët morën pushtetin në muajin gusht.

Në këtë grup të afganëve bëjnë pjesë pilotët e trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, kontrollues të trafikut ajror dhe inxhinierë. Vetëm disa orë pas rënies së qeverisë afgane të mbështetur nga Perëndimi dhe marrjes nën kontroll të kryeqytetit Kabul nga ana e talibanëve, të 143 afganët ateruan në Aeroportin Bokhtar të Taxhikistanit.

Por, dy muaj më pas, ata janë lënë në harresë.

Ata shpresonin se Shtetet e Bashkuara do t’i tërhiqnin nga Taxhikistani.

Por, ky proces vazhdimisht është vonuar derisa autoritetet taxhike nuk japin ndonjë arsye të vonesës.

Disa pilotë afganë kanë folur për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti.

Ata thanë se kanë shkuar në Taxhikistan me 17 aeroplanë ushtarakë.

Image
Një pamje nga Aeroporti Ushtarak i Kabulit më 7 korrik

Disa prej tyre i thanë Radios Evropa e Lirë se që kur mbërritën në Afganistan ata praktikisht nuk kishin asnjë kontakt me botën e jashtme.

Ata thanë se autoritetet e këtij vendi iu kanë konfiskuar dokumentet e identifikimit, telefonat dhe "armët private".

Para se të transferoheshin aty kanë kaluar rreth dy javë në qytetin Bokhtar në kufi me Afganistanin.

Ky grup ushtarakësh, në mesin e të cilëve janë edhe dy gra pilote, thanë se nuk duan të qëndrojnë në Taxhikistan dhe shpresojnë se do të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara.

Sipas tyre, asnjë zyrtar amerikan nuk i ka vizituar ose kontaktuar që kur kanë mbërritur në Taxhikistan.

Image
Një pilot afgan qëndron pranë një aeroplani ushtarak në Kabul më 17 shtator 2020

Më 7 tetor, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i tha Radios Evropa e Lirë se stafi ambasadës në Dushanbe i ka vizituar afganët.

I pyetur nëse është diskutuar për situatën e këtyre afganëve me qeverinë e Taxhikistanit, ai tha se janë në “në komunikim të rregullt" dhe se "një pjesë e atyre komunikimeve përfshin koordinimin për këtë çështje”.

Dhoma të stërmbushura, ushqim i keq

Njëra nga dy pilotet është 27-vjeçare dhe shtatzëne në muajin e nëntë. Ajo tha se aty nuk ka mjeke ndërsa spitali më i afërt është një orë larg. Më gjashtë tetor ajo u dërgua në një klinikë gjinekologjike.

Zyrtarët e spitalit i thanë Radios Evropa e Lirë (REL) më 7 tetor se ajo "i ishte nënshtruar të gjitha ekzaminimeve të nevojshme mjekësore" dhe "është në gjendje të mirë".

Ajo do të qëndrojë aty deri në muajin nëntor kur pritet të lind fëmijën, tha një zyrtar i spitalit, i cili foli në kushte anonimiteti, sepse nuk janë të autorizuar të flisnin me mediat.

Grupi i afganëve që po qëndrojnë në atë ndërtesë u ankuan për pasiguri dhe dëshpërim. Për gjendjen e tyre, ata thanë se dëshironin të dëgjojë “e gjithë bota”.

Burrat afganë thanë se dhomat janë të stërmbushura me njerëz, ka mungesë të kushteve higjienike dhe qasje të kufizuar në kujdesin mjekësor.

Sa i takon ushqimit ata thanë se kryesisht iu servohet "kunguj dhe lakër".

“Ky vend nuk është i përshtatshëm për jetesë. Ushqimi është i keq. Askush nuk e ha. Ne përgatisim sallatat tona në vend të ushqimit që na servohet", tha një nga pilotët.

Një pilot tjetër i tha REL-it se në secilën dhomë jetojnë deri në shtatë persona.

"Dhomat janë të ftohta dhe nuk kemi rroba për këtë mot", tha piloti, duke shtuar se shumë prej tyre janë larguar shpejt e shpejt nga Kabuli dhe nuk kanë marrë rroba të mjaftueshme me vete.

Zyrtarët e Taxhikistanit kanë mohuar se në këtë sanatorium ka kushte të këqija.

“Ne i kemi vendosur ata në vendin më të mirë që kemi dhe iu sigurojmë gjitha, nga ushqimi deri të ilaçet", tha për Radion Evropa e Lirë, Nusratullo Mahmudzoda, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Taxhikistanit.

"Amnesti për të gjithë"

Derisa talibanët po merrnin nën kontroll Kabulin, një grup i pilotëve afganë u arratisën në Uzbekistan me dhjetëra avionë ushtarakë qeveritarë.

Pas këtij vendi ata janë zhvendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Qeveria e re e Afganistanit e udhëhequr nga talibanët ka kërkuar që Taxhikistani dhe Uzbekistani të kthejnë pilotët dhe avionët ushtarakë në Afganistan.

Ajo u ka thënë pilotëve që të kthehen dhe t’i shërbejnë atdheut të tyre.

Një zëdhënës i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se pilotët afganë nuk do të përballeshin me ndonjë hakmarrje nëse kthehen në vend.

"Ne kemi ofruar amnisti për të gjithë ata që ishin kundër nesh. Askush nuk është nën asnjë kërcënim", tha Mujahid për Radion Evropa e Lirë.

"Unë u them atyre me siguri të plotë se asnjë problem nuk e kemi me ata", tha ai.

Mirëpo shumë prej këtyre pilotëve kanë frikë se mund të vriten nëse kthehen ne atdheun e tyre.

Para se të merrnin pushtetin, talibanët përmes sulmeve patën shënjestruar pjesëtarët e Forcës Ajrore Afgane.

Që kur e rimorrën pushtetin, grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar talibanët për ekzekutimin, torturimin dhe burgosjen e ish-anëtarëve të forcave të sigurisë të Afganistanit./Rel/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat