Refugjatët, azilkërkuesit kinezë rrëfejnë historitë e persekutimit në Kinë

Azia

Refugjatët, azilkërkuesit kinezë rrëfejnë historitë e persekutimit në Kinë

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 22:15
Azilkërkuesit kinezë rrëfejnë historitë e persekutimit në Kinë

Persekutimi politik po shtyn mijëra kinezë çdo vit të kërkojnë azil në vende jashtë Kinës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se janë përndjekur për shkak të racës, fesë, kombësisë, bindjeve politike dhe faktorë të tjerë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Los Anxhelos, Mike O'Sullivan foli me dy emigrantë nga Kina të cilët arritën në Shtetet e Bashkuara në rrugë shumë të ndryshme.

Bugra Arkin është pronar i një restoranti ujgur në Los Anxhelos. Ai ka përfunduar studimet për politikat publike në Shtetet e Bashkuara dhe është mysliman ujgur nga provinca kineze e Xinjiangut, ku më shumë se 1 milion ujgurë, përfshirë babanë e tij, një botues, janë mbajtur në kampe riedukimi. Shtetet e Bashkuara dhe grupet e të drejtave të njeriut e quajnë gjenocid shtypjen e ujgurëve në Kinë.

“Në vitin 2018, babai dhe xhaxhai im, kushërinjtë e mi, disa nga miqtë e mi, u zhdukën dhe më pas dëgjova se ishin dërguar në një kamp përqendrimi”, thotë ai.

Por familja e tij nuk mund të merrte asnjë informacion mbi fatin e tyre dhe asnjë avokat kinez nuk mund t’u ndihmonte.

Burga Arkin tani jeton në Los Anxhelos, pasi atij iu miratua kërkesa për azil në vitin 2018. Bashkëshortja e tij ujgure, është një avokate dhe anëtare e Forcave Ajrore Amerikane. Megjithatë, çifti është kërcënuar dy herë përmes telefonatave nga një grua që fliste gjuhën kineze në fillim të këtij viti.

“Ajo më kërcënonte, madje kërcënoi me vdekje vajzën time 2-vjeçare. Ajo më tha se po ju vëzhgojmë nga afër dhe do të të vrasim. Ju do të vdisni”, thotë zoti Arkin.

Atij iu kërkua që të heshtë, por ai thotë se nuk do ta bëj këtë.

"Kjo mund të më japë forcë të flas për babanë tim dhe popullin tim ujgur", thotë ai.

Një tjetër aplikant për azil, Jie Lijian ka marrë gjithashtu telefonata kërcënuese duke thënë se Kina po e vëzhgon dhe këmbëngul që ai të heshtë.

Në Kinë, ai u burgos vazhdimisht, u torturua duke e djegur me cigare dhe humbi disa dhëmbë nga goditjet, që mori nga policët kinezë. Ky aktivist politik nga provinca Shandong thotë se nuk do të harrojë kurrë atë që ka përjetuar në Kinë. Ai kujton dy qëndrime të detyruara në spitalet psikiatrike dhe torturat në një institucion policie në vitin 2009.

“Kur mbërritëm në një ndërtesë policie, ma futën kokën në një rezervuar të madh uji. Unë mendoj se ata ishin të trajnuar për këtë sepse nuk të linin të vdisni, por të bënin të ndiheshe shumë keq. Të shkaktonin vuajtje të madhe, deri në pikën kur mendon se po mbytesh dhe je në prag të vdekjes”, thotë ai.

Kina i mohon akuzat për keqtrajtim të të burgosurve, por grupet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar torturat ndaj të dyshuarve për krime, aktivistëve dhe burgosjet masive të ujgurëve.

Bugra Arkin dhe Jie Lijian shqetësohen për fatin e familjeve të tyre në Kinë, por thonë se e ndjejnë si detyrë të flasin për atë që është duke ndodhur./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat