Sipas kushteve të veta, Kina po tërheq kapitalin global

Azia

Sipas kushteve të veta, Kina po tërheq kapitalin global

Më: 2 janar 2022 Në ora: 07:40
Ilustrim

Që nga fillimi i luftës tregtare midis Amerikës dhe Kinës, investitorët, politikanët dhe bizneset, janë përpjekur të parashikojnë se sa shumë dhe sa shpejt do të shkëputen dy ekonomitë më të mëdha të botës nga njëra-tjetra. Parashikimi në botën e financave u bë më i qartë pasi kompania kineze e udhëtimeve Didi Global, deklaroi se planifikon të heqë aksionet e saj nga Bursa e Nju Jorkut, vetëm gjashtë muaj pas një oferte fillestare publike (IPO) atje.

Ka të ngjarë që shuma prej 2.1 trilionë dollarësh e aksioneve të firmave të tjera kineze të tregtuara në Big Apple, do të ndjekin të njëjtin shembull, me miratimin e Partisë Komuniste kineze. Megjithatë, mos mendoni se sundimtarët e Kinës dëshirojnë një izolim financiar.

Sepse në të njëjtën kohë, ata po mirëpresin kompanitë e Wall Street në sistemin financiar kinez. Kina po ndjek një strategji të shkëputjes asimetrike: po ul varësinë e saj nga Perëndimi, dhe në të njëjtën kohë, po kërkon të rrisë varësinë e Perëndimit nga Kina. Kompania Didi nuk do të jetë shembulli i fundit i kësaj qasjeje.

Për dekada me radhë, qeveria kineze ka toleruar dhe ndonjëherë, edhe i ka nxitur kompanitë vendase të rrisin kapitalin e tyre në tregjet e largëta. Kur kompania e parë kineze doli publike në Nju Jork në vitin 1993, listimet ndërkufitare u miratuan nga autoritetet, të cilat pranuan se tregjet amerikane ofronin një kosto më të ulët të kapitalit, investitorë më të sofistikuar dhe qeverisje më të mirë të korporatës.

Rregullatorët, madje, bënë një sy të verbër ndaj punëve të gabuara ligjore, të njohura si entitete me interes të ndryshueshëm (VIES), që i lejuan kompanitë ambicioze të teknologjisë kineze të anashkalonin kufizimet vendase mbi pronësinë e huaj.

Por gjatë dy viteve të fundit, ka ndryshuar qëndrimi. Në vitin 2019, Alibaba, firma kineze më e vlefshme e listuar në Nju Jork, kërkoi një listim shtesë në Hong Kong: pra, një plan financiar B. Tani Didi do të shkojë më tej, duke u larguar fare nga Nju Jorku. Thuhet se kompania është nën presion nga Administrata e Hapësirës Kibernetike të Kinës për të zhvendosur listimin e saj, ndoshta në Hong Kong, i cili tashmë është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të qeverisë kineze. Ndërkohë, duket se VIES të reja do të ndalohen.

Një arsye për këtë ndryshim në qëndrim është një ligj amerikan, i cili shënjestron firmat kineze, duke u kërkuar kompanive të huaja të zbulojnë detajet e zymta të auditimeve të tyre, ose përndryshe të detyrohen të largohen nga bursat amerikane.

Mos mendoni se kjo është një humbje për Kinën. Vendi nuk po i shkëput lidhjet me financat globale. Në fakt, ai po hap tregjet e veta dhe po nxit bankat perëndimore, siguruesit dhe menaxherët e fondeve që të hyjnë në lojë dhe të luajnë sipas rregullave të Kinës. Shumë kompani të Wall Street po marrin licenca të reja dhe po zgjerojnë operacionet e tyre në Kinë.

Ekspozimi ndërkufitar i JPMorgan Chase është rritur me 9% që nga viti 2019. Zotërimet e aksioneve dhe obligacioneve të investitorëve me portofol të huaj janë dyfishuar në tre vitet e fundit, duke arritur në 1.1 trilion dollarë. Edhe kur presidenti i Kinës, Xi Jinping, nisi një luftë kundër kompanive të mëdha teknologjike nën sloganin e “prosperitetit të përbashkët”, më shumë se 100 miliardë dollarë u derdhën në Kinë në nëntë muajt e parë të vitit 2021.

Avantazhet

Kina shpreson se mund të marrë më të mirën nga të dyja anët – pra, të ketë akses në fondet dhe njohuritë globale, por nën mbikëqyrjen e saj të drejtpërdrejtë. Kjo ka rreziqe të dukshme, nga perspektiva kineze. Tregjet e brendshme të Kinës janë ende një territor i panjohur dhe investitorët e huaj mund të mos angazhojnë aq shumë kapital, sepse janë të shqetësuar për kontrollet e monedhës, trajtimin e padrejtë në duart e rregullatorëve dhe rrezikun e shpronësimit.

Megjithatë, madhësia e jashtëzakonshme e tregut të Kinës dhe thellësia e skenës së saj të korporatave, tregon se investitorët e kanë të vështirë të thonë jo.

Shkëputja asimetrike e Kinës ngre dy pyetje. Njëra është nëse qasja e Amerikës është efektive. Sa më shumë që Amerika ndëshkon firmat kineze, qofshin ato të listuara në Amerikë apo ato që blejnë komponentë amerikanë të teknologjisë së lartë, aq më shumë Kina i zhvillon aftësitë e veta, duke cenuar epërsinë amerikane dhe duke krijuar alternativa për përdorim nga vendet e treta. Kjo mund të ulë ndikimin global të Amerikës.

Pyetja tjetër është se ku tjetër do ta zbatojë Kina strategjinë e saj asimetrike. Kjo strategji mund të vihet re tashmë në industrinë e mallrave, dhe në teknologji, ku Kina po përpiqet të zhvillojë gjysmëpërçues të prodhuar në vend. Por varësia më e dukshme e Kinës, është ajo ndaj monedhës amerikane, e cila përdoret për shumicën e pagesave ndërkufitare dhe si pasojë, e ekspozon vendin ndaj sanksioneve dhe kërcënimeve amerikane.

Nëse zoti Xi nuk mund të tolerojë që një kompani kineze udhëtimesh të listohet në Bursën e Nju Jorkut, me siguri, ai nuk do të tolerojë që Kina të ketë varësi të madhe ndaj monedhës së gjelbër. Pa dyshim që po bën gjithçka që është e mundur për të zhvilluar një alternativë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat