Nuk ka fund tirania në Iran, Khamenei po planifikon t’ia lërë pushtetin të birit

Azia

Nuk ka fund tirania në Iran, Khamenei po planifikon t’ia lërë pushtetin të birit

Më: 11 shtator 2022 Në ora: 09:21
Foto ilustrim

Studimet në shkencat politike, tregojnë se tiranët duan që të ndërtojnë një regjim diktatorial që të zgjasë pa fund. Për ta arritur këtë, ata kanë nevojë për një plan të mirë të vazhdimësisë së pushtetit, i quajtur shpesh si taktika “mbaje pushtetin brenda familjes”.

Aktualisht ka shenja se Ayatollah Ali Khamenei, Udhëheqësi Suprem i Republikës Islamike të Iranit, po përgatitet ta përdorë këtë qasje. Më e rëndësishmja, raportet e fundit nga mediat zyrtare iraniane përdorën titullin “Ajatollah” – një gradë e lartë në hierarkinë klerikale shiite – për Mojtaba-n, djalin e Khameneit.

Promovimi i pamerituar i Mojtaba-s nga grada më e ulët e “Hujatuleslam” në “Ajatollah”, duhet të shihet si pjesë e planit të Khameneit për të paracaktuar djalin e tij si udhëheqësin e ardhshëm suprem të vendit teokratik. Ky zhvillim nuk duhet të cilësohet si i habitshëm, pasi historia e Khameneit si Udhëheqës Suprem, tregon ai ka punuar mbi këtë plan që kur u ngjit për herë të parë në pushtet në vitin 1989.

Pasi pasoi në detyrë Ajatollah Ruhollah Khomeinin, “babain” themelues të Revolucionit Islamik, Khamenei nisi ndërtimin e një sistemi sundimi absolut në Iran, një diktaturë fetare e bazuar në doktrinën e Velayat-e Motlaghe Faqih. Kjo doktrinë autoritare islamike shiite justifikon sundimin absolut të klerit (Faqih) mbi shtetin, deri në kthimin e Mehdiut, Mesias në besimin shiit.

Sigurisht, teoria e Velayat-e Faqih u zbatua për herë të parë në sistemin politik të Iranit nga Khomeini në vitin 1979. Megjithatë, Khamenei e ka zgjeruar autoritetin e Faqih në Motlaghe (në nivel absolut), duke e rikthyer regjimin tashmë autoritar në një pushtet të tmerrshëm.

Në një sistem, që legjitimitetin e merr nga Zoti, dhe ku votat e njerëzve votat luajnë asnjë rol në përzgjedhjen e Vali Motlaghe Faqih. Akoma më keq, Vali Motlaghe Faqih, ose kleri, ka të drejtën të “kontrollojë jetën, pasurinë dhe nderin e njerëzve”. Pas konsolidimit të pushtetit, Khamenei nisi një fushatë brutale terrori për të eliminuar kundërshtarët politikë.

Ai e spostoi gardën e vjetër nga pozicionet kyçe, duke i zëvendësuar ata me besnikët e tij,

një praktikë kjo e zakonshme e përdorur nga tiranët për të siguruar pushtetin e tyre absolut. Figura me ndikim, si Ahmed Khomeini, djali i Ajatollah Rohullah Khomeinit, që ishte një kritik i zëshëm dhe që po mendonte të komplotonte kundër Khameneit, vdiq në rrethana misterioze.

Në një fushatë që u bë e njohur si “vrasjet zinxhir”, u vranë gati të gjithë kundërshtarët politikë të Khameneit, dhe shumë të tjerë pranë bërthamës së pushtetit të tij absolut. Edhe Ayatollah Akbar Hashemi Rafsanjani, një nga figurat më me ndikim në historinë e Republikës Islamike, që njihej si “mbret-bërës”, pra që përcaktonte shumicat, është anashkaluar politikisht.

Ndërkohë Khamenei ndërtoi sistemin e tij të patronazhit, një fushatë kjo e pamëshirshme, e cila u bë e njohur si de-Komenifikimi i politikës së Iranit (Khomeini zodaee). Më pas Khamenei vendosi ta vendoste popullsinë nën kontrollin e tij total, për të parandaluar shpërthimin e pakënaqësive dhe për ta kthyer Iranin në një shtet-burg.

Që nga ajo kohë, ai është përpjekur ta izolojë Iranin nga pjesa tjetër e botës, duke e bllokuar qasjen e iranianëve tek informacioni i pavarur. Për shembull, regjimi i Khameneit nënshkroi kohët e fundit një partneritet strategjik 25-vjeçar me Partinë Komuniste Kineze (PKK), që përfshin bashkëpunimin në fushën kibernetike, dhe që parashikon të krijojë një internet kombëtar për Iranin.

Po ashtu marrëveshja e detyron Iranin të përdorë teknologjinë e censurës dhe sistemet e mbikëqyrjes dixhitale, që përdor PKK-ja në provincën Xinjiang për të shtypur myslimanët ujgurë. Mbështetja teknologjike e Kinës, do ta ndihmojë Khamenein të shtypë më tej disidentët dhe të forcojë kontrollin e regjimit mbi iranianët.

Po ashtu Khamenei është përpjekur ta izolojë Iranin nga tendencat ekonomike globale. Ai po zbaton atë që quhet “ekonomia e rezistencës”, një politikë e vetë-mbështetjes totale, e cila shkëput Iranin nga ekonomia globale. Tek e fundit, izolimi i kombit të tyre është një veprim i zakonshëm dhe efektiv i tiranëve, që duan të ndërtojnë një regjim që zgjat pa fund.

Njëkohësisht, Khamenei është përpjekur të ndërtojë një kult të hyjnisë, i krijuar për të zbatuar idenë se ai ka të drejtën hyjnore për të sunduar. Meqë Khamenei-t i mungon personaliteti karizmatik i Khomeinit, ai është përpjekur të rishkruajë narrativën, që do t’i jepte atij legjitimitet hyjnor dhe një pushtet absolut.

Imamët e namazit të Xhumasë, u udhëzuan të recitonin tregime dhe tregime të gjata rreth “Khameneit që bën mrekulli”, duke lënë të kuptohet se ai ka shëruar fëmijët e vegjël nga verdhëza, dhe duke pretenduar se u takua me Imamin e Fshehur, gjatë kohës që ishte shtruar në spital.

Kanalet televizive kombëtare citojnë shpesh presidentin rus Vladimir Putin, që tha se “ndihej sikur po takonte Jezu Krishtin”, kur ai vizitoi Teheranin dhe u takua me Khamenei në vitin 2015. Së fundi, Khamenei është përpjekur të sigurojë një arsenal armësh bërthamore, për ta bërë regjimin një forcë të pandalshme, dhe për të shmangur fatin e tiranëve të tjerë si Saddam Hussein dhe Muammar Gaddafi, duke garantuar mbijetesën e regjimit të tij me vendosjen në krye të djalit të tij.

Por me gjithë këto përpjekje, ai nuk ka arritur një sukses të plotë. Procesi i de-Komeinifikimit – heqja e gardës së vjetër nga pozicionet kyçe – është larg fundit. Edhe pse të anashkaluar, besnikët e Khomeinit janë ende një fraksion politik me ndikim, dhe në shumë raste ata e kanë detyruar Khamenei-n të bëjë kompromise të padëshiruara prej tij.

Politika delirante e Khameneit për një “ekonomi të rezistencës”, së bashku me korrupsionin sistematik të regjimit dhe sanksionet perëndimore, kanë shkaktuar kriza ekonomike, inflacion të lartë dhe mungesa të theksuara të produkteve në Iran, duke e përkeqësuar imazhin e tij në mesin e iranianëve.

Sistemi qeverisës i Khameneit, është për iranianët simbol i korrupsionit dhe mosfunksionimit. Për më tepër, Khamenei nuk ka qenë në gjendje të bllokojë qasjen e iranianëve tek informacionet, të paktën deri më tani. Së fundi, iranianët e konsiderojnë projektin e tij për ndërtimin e një kulti hyjnor si “një përpjekje për të blerë mbështetje për një udhëheqës të diskredituar”.

Ndoshta suksesi i tij i vetëm është programi bërthamor, të cilin ai mundi ta çonte në nivelin e pragut të prodhimit të armës, edhe pse nuk është ende në gjendje ta bëjë këtë.”Shpata e çmuar bërthamore”, siç i referohet shpesh lideri koreano-verior Kim Jong-un arsenalit të tij bërthamor, mund ta ndihmojë edhe Khamanei-n që ta kërcënojë botën e lirë, në rast se has pengesa plani i tij i trashëgimisë së pushtetit.

Mbi të gjitha, Mojtaba është shumë i papëlqyer në mesin e iranianëve për shkak të rolit të tij në udhëzimin e milicisë Basij për të shtypur demonstruesit e Lëvizjes së Gjelbër në vitin 2009, që shkaktoi mijëra të vdekur. Slogani “Vdis Mojtaba! Mos arrifsh kurrë në krye të vendit”, është shumë popullor në mesin e iranianëve.

Po ashtu vlen të përmendet se emërimi i djalit të tij nga Khamenei si pasardhës i tij, do të shpërfillte haptazi portretizimin e trashëgimisë së Ajatollah Khomeinit si një simbol të korrupsionit. Nëse Mojtaba do ta pasojë apo jo të atin, këtë do ta tregojë koha. 

Më se e qartë është se një vendim i tillë, mund të shkaktojë një kryengritje popullore dhe kundërshtarët e Khameneit do të luftonin fort për ta parandaluar atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat