Mianmar, gjykata shpall sërish fajtore për korrupsion ish-udhëheqësen e vendit

Azia

Mianmar, gjykata shpall sërish fajtore për korrupsion ish-udhëheqësen e vendit

Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 19:07
Aung San Suu Kyi

Një gjykatë në Mianmar, një vend nën sundim ushtarak, dënoi të premten me shtatë vjet burg ish-udhëheqësen e vendit, Aung San Suu Kyi, nën akuza për korrupsion. Ky është zhvillimi më i fundit në një varg çështjesh penale të ngritura ndaj saj, që pas rrëzimit me forcë nga pushteti në shkurt 2021. Me dënimin e fundit, zonja Suu Kyi përballet me 33 vjet burg.

Dënimet e mëparshme u bazuan në shtatë akuza të tjera për korrupsion.

Shtadhjetë e shtatë vjeçarja Suu Kyi është dënuar edhe për disa vepra të tjera, përfshirë importimin dhe përdorimin e paligjshëm të radio-marrëseve, shkeljen e masave kufizuese lidhur me koronavirusin, shkeljen e ligjit mbi sekretet zyrtare, si dhe rebelim e manipulim të zgjedhjeve.

Mbështetësit dhe analistët e pavarur thonë se akuzat e shumta kundër Aung San Suu Kyi-së dhe aleatëve të saj, janë një përpjekje për të legjitimuar marrjen e pushtetit nga ushtria, duke e eliminuar atë nga politika përpara zgjedhjeve të pritshme të vitit 2023.

Vendimi i së premtes u bë i ditur nga një zyrtar i cili këmbënguli në ruajtjen e anonimitetit, nga frika se mos ndëshkohej prej autoriteteve. Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat, diplomatët dhe publikun dhe avokatët e saj u ndaluan me urdhër gjykate, të flisnin mbi këtë çështje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat