​Modi: Modeli i qeverisjes globale duhet të ndryshojë

Azia

​Modi: Modeli i qeverisjes globale duhet të ndryshojë

Më: 12 janar 2023 Në ora: 17:13
Narendra Modi

Modeli 80-vjeçar i qeverisjes globale duhet të ndryshohet, deklaroi kryeministri indian Narendra Modi sot teksa hapi samitin virtual në Nju Delhi “Zëri i Samitit Global të Jugut”, iniciativë e nisur nga India për t’u dhënë zë vendeve të jugut të globit që nuk janë pjesë e G20-ës.

”Hemisfera Jugore përballet me sfidën më të madhe. Tre e katërta e njerëzimit jeton në vendet tona. Ne duhet të kemi një zë të barabartë’’, deklaroi Modi në fjalimin e tij.

”Shumica e sfidave globale nuk janë shkaktuar nga ne, por na prek më shumë që kërkimi i zgjidhjeve nuk merr parasysh as rolin tonë, as zërin tonë”, shtoi ai.

“Pasojat ekonomike të pandemisë, tensionet gjeopolitike, rritja e çmimeve të ushqimeve, plehrave dhe karburanteve dhe fatkeqësitë natyrore të shkaktuar nga ndryshimet klimatike, kanë qenë shumë nga sfidat që janë përballur vendet tona’’, shtoi Modi.

Në fjalimin e saj në seancën paralele të aktivitetit, ministrja indiane e Financave, Nirmala Sitharaman shtoi se “India do të mbështesë kërkesat e Jugut Global në takimet e vendeve të G20-ës duke theksuar se nuk ka botë të parë apo të tretë, por një botë të vetme të përbashkët’’.

”Duhet të përballojmë së bashku ngadalësimin e ekonomisë, inflacionin, rrezikun e rikthimit të pandemisë dhe ato që rrjedhin nga konfliktet gjeopolitike”, shtoi ajo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat