Autoriteti tatimor i Indisë kontrollon sërish zyrat e BBC në Nju Deli dhe Mumbai

Azia

Autoriteti tatimor i Indisë kontrollon sërish zyrat e BBC në Nju Deli dhe Mumbai

Më: 15 shkurt 2023 Në ora: 22:02
Indi

Zyrtarët indianë të tatimeve të mërkurën kontrolluan për të dytën ditë radhazi zyrat e Korporatës Britanike të Transmetimit, BBC në Nju Deli dhe Mumbai.

Veprimi, të cilin qeveria e ka quajtur kontroll tatimor, është kritikuar ashpër nga partitë opozitare, organizatat globale dhe ato indiane mediatike, duke e konsideruar atë një përpjekje për të shuar zërat e pakënaqur dhe për të frikësuar median.

Kontrollet filluan disa javë pas fillimit të transmetimit të një dokumentari mbi trazirat që përfshinë shtetin perëndimor të Guajaratit në 2002, ku u vranë të paktën një mijë persona, kryesisht myslimanë. Trazirat ndodhën në kohën kur kryeministri aktual Narendra Mondi ishte guvernator i këtij shteti të Indisë.

Dokumentari me dy pjesë “India: Pyetjet rreth Modit”, i cili ngriti shumë çështje rreth veprimeve të zotit Modi dhe pretendon se ai ishte “përgjegjës” për “kulturën e pandëshkueshmërisë” që i hapi rrugën dhunës, u denoncua nga ministria e jashtme e Indisë, e cila e quajti atë “propagandë”. Në një deklaratë të ministrisë së jashtme të Indisë thuhet se “dokumentari ishte i anshëm, atij i mungonte objektiviteti dhe ai paraqiste një vazhdimësi të qartë të mentalitetit kolonialist” të mbulimit të ngjarjeve.

BBC ka thënë se për realizimin e dokumentarit janë bërë “hulumtime rigoroze”. Ai nuk është transmetuar në Indi dhe qeveria ka bllokuar të gjitha videot dhe publikimet e tij në Twitter përmes aktivizimit të kompetencave emergjente bazuar në ligjin e informacionit elektronik. Në javët e fundit, anëtarë të partisë Bharatiya Janata në pushtet, që drejtohet nga zoti Modi, kanë akuzuar BBC-në për vendosje në shënjestër të Indisë në një kohë kur statusi i saj global është në rritje.

Kontrolli, që nisi të martën, vazhdoi gjatë natës deri të mërkurën. Departamenti i Tatimit mbi të Ardhurat nuk ka bërë asnjë koment zyrtar, por ‘Press Trust of India’, agjencia më e madhe e lajmeve në vend, njoftoi se zyrtarët po merrnin kopje të të dhënave elektronike e financiare. BBC ka bërë të ditur se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet.

Këshilltari i lartë i ministrisë së Informacionit dhe Transmetimeve Kanchan Gupta tha për kanalin televiziv ‘Times Now’ se kontrolli nuk kishte si qëllim hakmarrjen ndaj trasmetuesit britanik.

Disa nga mediat vendase kanë cituar burime të paidentifikuara që thonë se BBC ishte në "mospërputhje të qëllimshme" me rregulloret.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price tha se Uashingtoni ishte në dijeni të këtyre zhvillimeve, por tha se nuk ishte në gjendje të ofronte një gjykim mbi çështjen. Megjithatë zoti Price shtoi se "ne (SHBA) mbështesim rëndësinë e një shtypi të lirë në mbarë botën".

"Ne vazhdojmë të theksojmë rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe lirisë së fesë ose besimit, si të drejta të njeriut që kontribuojnë në forcimin e demokracive në mbarë botën", u tha zoti Price gazetarëve të martën.

Që nga fillimi i kontrollit, ka pasur një seri kritikash në lidhje me veprimet kundër transmetuesit publik britanik. Disa kritika kanë vënë në dukje se autoritetet indiane kanë përdorur kontrollet tatimore, si pretekst për të shënjestruar organet kritike mediatike.

Në një editorial të së mërkurës, gazeta ‘Indian Express’ shkruante se duke pasur parasysh trajtimin që qeveria Modi u bën mediave kritike dhe shoqërisë civile, veprimi i fundit ndaj ‘BBC-së’ ngjan me një ngacmim dhe një përpjekje për frikësim.

Në një deklaratë të martën të Klubit të Shtypit të Indisë thuhej se kontrolli duket të jetë një "rast i qartë i hakmarrjes, që vjen brenda disa javësh nga shfaqja e dokumentarit në BBC". Në deklaratë thuhej gjithashtu se "kjo gjë do të dëmtojë reputacionin dhe imazhin e Indisë si demokracia më e madhe në botë".

Sipas organizatës Reporterë pa Kufij, India shënoi rënie në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2022, nga vendi 142 që ishte një vit më parë, tashmë renditet në vendin e 150./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat