Gara për të vrarë macet e egra në Zelandë të Re anulohet pas kritikave të ashpra

Azia

Gara për të vrarë macet e egra në Zelandë të Re anulohet pas kritikave të ashpra

Më: 20 prill 2023 Në ora: 09:08
Foto ilustrim

Një garë e planifikuar për fëmijët në Zelandën e Re për të gjuajtur dhe vrarë macet e egra, si pjesë e një përpjekjeje për të mbrojtur speciet vendase, është anuluar pas reagimit të ashpër nga publiku dhe grupet e të drejtave të kafshëve.

Ngjarja do të ishte pjesë e një mbledhjeje fondesh të organizuar nga Konkursi i Gjuetisë në North Canterbury për Shkollën Rotherham, që ndodhet në rajonin Canterbury të Ishullit Jugor.

Organizatorët të shtunën kishin shpallur një kategori të re për fëmijët nën 14 vjeç në konkursin vjetor – për të gjuajtur macet e egra për një çmim kryesor prej 150 dollarësh.

Njoftimi shkaktoi zemërimin e publikut duke bërë që organizatorëat të tërhiqnin ngjarjen.

Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, organizatorët thanë se “email dhe mesazhe të pahijshme dhe të papërshtatshme i ishin dërguar shkollës dhe të tjerëve të përfshirë”.

“Ne jemi tepër të zhgënjyer nga ky reagim dhe dëshirojmë të sqarojmë se ky konkurs është një ngjarje e pavarur e drejtuar nga komuniteti”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa macet janë një kafshë shtëpiake e njohur dhe e dashur në mesin e shumë zelandezëve, macet e egra kanë qenë një çështje e gjatë midis adhuruesve të kafshëve dhe autoriteteve për shkak të ndikimit që mund të kenë tek kafshë të tjera të egra, shkruan CNN.

Në Australinë fqinje, autoritetet thonë se macet e egra kërcënojnë mbijetesën e më shumë se 100 specieve vendase. Macet e egra fajësohen për vrasjen e miliona zogjve, zvarranikëve, bretkosave dhe gjitarëve, çdo ditë, duke bërë që autoritetet të organizojnë vrasje të rregullta.

Organizatorët e konkursit në Canterbury pohuan se turneu i gjuetisë për të rinjtë për të vrarë macet e egra, duke përdorur një armë zjarri ose mjete të tjera, kishte të bënte me “mbrojtjen e zogjve vendas dhe specieve të tjera të cenueshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat