Motra e Kim Jong Un fyen Bidenin, kritikon marrëveshjen e mbrojtjes mes Uashingtonit dhe Seulit

Azia

Motra e Kim Jong Un fyen Bidenin, kritikon marrëveshjen e mbrojtjes mes Uashingtonit dhe Seulit

Më: 29 prill 2023 Në ora: 20:02
Motra e Kim Jong Un

Motra e fuqishme e liderit të Koresë së Veriut thotë se vendi i saj do të organizojë shfaqje më provokuese të fuqisë së saj ushtarake në përgjigje të një marrëveshjeje të re SHBA-Kore Jugore.

Sipas mediave të huaja, Kim Yo Jong gjithashtu bëri ofendime personale ndaj presidentit të SHBA-së, Joe Biden, i cili pas një samiti me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol të mërkurën deklaroi se çdo sulm bërthamor i Koresë së Veriut ndaj SHBA-së ose aleatëve të saj do të “rezultojë në fundin e çfarëdo regjimi”.

Takimi i Biden me Yoon në Uashington erdhi në mes të tensioneve të rritura në Gadishullin Korean.

Që nga fillimi i vitit 2022, Koreja e Veriut ka testuar rreth 100 raketa, duke përfshirë demonstrime të shumta të raketave balistike ndërkontinentale të dizajnuara për të arritur në kontinentin e SHBA-së dhe një mori të tjera me rreze të shkurtër veprimi që Veriu i përshkroi si sulme të simuluara bërthamore ndaj Koresë së Jugut.

Në komentet e saj të publikuara në mediat shtetërore, Kim Yo Jong tha se marrëveshja SHBA-Kore e Jugut pasqyronte “vullnetin më armiqësor dhe agresiv të veprimit” të aleatëve kundër Veriut dhe do ta shtyjë paqen dhe sigurinë rajonale në “rrezik më serioz”.

Ajo gjithashtu sulmoi Bidenin për paralajmërimin e tij të prerë se agresioni bërthamor i Koresë së Veriut do të rezultonte në fundin e regjimit të saj, duke e quajtur “me aftësi mendore të kufizuara”.

Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut, e cila merret me çështjet ndër-koreane, i përshkroi komentet e saj si “absurde” dhe këmbënguli që ato të përcjellin “nervozizmin dhe zhgënjimin” e Veriut mbi përpjekjet e aleatëve për të forcuar parandalimin bërthamor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat