Gjykohen në Iran gazetaret që raportuan për vdekjen e Mahsa Aminit

Azia

Gjykohen në Iran gazetaret që raportuan për vdekjen e Mahsa Aminit

Më: 31 maj 2023 Në ora: 18:58
Dy gazetaret

Dy gazetaret përgjegjëse për rrëfimin e historisë së Mahsa Aminit, gruas kurdo-iraniane e vrarë pasi u mbajt në paraburgim nga policia morale e Iranit vitin e kaluar, u gjykuan në një gjykatë iraniane këtë javë.

Niloufar Hamedi dhe Elaheh Mohammadi kanë qenë të burgosura në Iran për tetë muajt e fundit dhe përballen me akuza për “komplot dhe rebelim kundër sigurisë kombëtare” dhe “propagandë anti-shtetërore” – akuza që mbartin një dënim të mundshëm me vdekje, sipas Reporterëve pa Kufi, raporton BBC.

Sipas gazetës iraniane SharghDaily, të dyja gratë u paraqitën veçmas në gjyq të hënën dhe të martën në një gjykatë revolucionare të kryesuar nga gjyqtari famëkeq Abolghasem Salavati.

Gjyqi vjen pasi protestat mbarëkombëtare tronditën Iranin vjeshtën e kaluar, meqë zemërimi për trajtimin e grave nga regjimi dhe çështje të tjera u ndez pas vdekjes së 22-vjeçares Amini.

Autoritetet shtypën me dhunë lëvizjen disamujore, e cila kishte paraqitur një nga kërcënimet më të mëdha të brendshme për regjimin klerik në pushtet të Iranit në më shumë se një dekadë.

Sipas RSF-së, Hamedi u arrestua pasi vizitoi Aminin në spital dhe raportoi për gjendjen e saj të rëndë mjekësore dhe gjendjen kome pasi ishte në paraburgim nga policia.

SharghDaily tha se Hamedit iu mohua qasja për avokatë për pjesën më të madhe të paraburgimit të saj, ndërsa OKB tha se gazetarja është mbajtur në izolim në burgun famëkeq Evin që nga shtatori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat