India lufton me një valë të madhe të të nxehtit, rreth 100 të vdekur

Azia

India lufton me një valë të madhe të të nxehtit, rreth 100 të vdekur

Më: 18 qershor 2023 Në ora: 14:46
Indi

Të paktën 96 njerëz vdiqën në dy nga shtetet më të populluara të Indisë gjatë ditëve të fundit, thanë zyrtarët të dielën, me një pjesë të vendit që u kaplua nga një valë e madhe e të nxehtit.

Vdekjet ndodhën në shtetin verior të Uttar Pradeshit dhe Biharit lindor, ku autoritetet paralajmëruan banorët mbi 60 vjeç dhe të tjerë që vuanin nga sëmundje të ndryshme të qëndrojnë brenda gjatë ditës.

Të gjitha viktimat në Uttar Pradesh, gjithsej 54, u raportuan në rrethin Ballia. Autoritetet zbuluan se shumica e atyre që vdiqën ishin mbi 60 vjeç dhe kishin probleme shëndetësore paraekzistuese, të cilat mund të jenë përkeqësuar nga nxehtësia e madhe.

K. Yadav, një oficer mjekësor në Ballia, tha se në tre ditët e fundit, rreth 300 pacientë janë pranuar në spitalin e rrethit për sëmundje të ndryshme të rënduara nga vapa, raporton Associated Press.

Për shkak të rëndesës së situatës, autoritetet anuluan aplikimet për leje të personelit mjekësor në Ballia dhe siguruan shtretër shtesë spitalor në repartin e urgjencës për të përballuar fluksin e pacientëve.

Ballia, së bashku me Uttar Pradesh-in qendror dhe lindor, aktualisht po përballen me nxehtësi të madhe.

Të dielën, rrethi përjetoi një temperaturë maksimale prej 43 gradë Celsius, duke tejkaluar kufirin normal me pesë gradë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat