Rritet zemërimi i palestinezëve në kampet e refugjatëve

Azia

Rritet zemërimi i palestinezëve në kampet e refugjatëve

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 17:29

Rreth 900 mijë palestinezë, që jetojnë në Bregun Perëndimor cilësohen si refugjatë. Ata janë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre në atë që u bë shteti i Izraelit në vitin 1948. Rreth një e katërta e tyre jetojnë në kampe refugjatësh që janë të mbipopulluara, të varfra dhe shpesh kanë qenë skenë e përplasjeve me ushtarët izraelitë. Korrespodentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein vizitoi kampin e refugjatëve Balata në veri të Bregut Perëndimor.

Në një nga rrugicat e ngushta të kampit të refugjatëve Balata, Umm Riyad Abu Shalal, nëna e udhëheqësit militant palestinez Abdullah Abu Shalal qëndron në rrënojat e shtëpisë së saj.

“Herën e parë që ushtarët izraelitë erdhën për ta arrestuar atë, qëlluan në drejtim të dritareve dhe derës, por ai arriti të largohej. Herën e dytë, shkatërruan shtëpinë, por ai përsëri arriti të largohej. Por për shkak se ata shkatërruan shtëpinë, tani e gjithë familja prej nëntë anëtarësh nuk ka ku të rrijë”, thotë Umm Riyad Abu Shalal, banore e kampit të refugjatëvë në Balata.

Ndërsa nëna e Abu Shalalit rrëfen bastisjen izraelite të dy javëve më parë, të rinjtë fillojnë të vrapojnë nëpër rrugica pas përhapjes së lajmit se trupa speciale izraelite kishin hyrë përsëri në kamp.

Njëmbëdhjetë militantë nga Brigada e Martirëve Al Aksa në Balata janë vrarë në muajt e fundit gjatë përplasjeve me ushtarët izraelitë, shpjegon një nga udhëheqësit politikë të kampit, mes të shtënash me armë zjarri. Për shkak të përplasjeve u shënua një tjetër viktimë, një palestienez 19 vjeçar që banorët thonë se nuk ishte i armatosur.

“Përplasjet i nisin ushtarët izralitë. Ne thjesht duam lirinë tonë. Banorët e kampit thjesht duan të jetojnë si gjithë të tjerët. Po thuajse çdo ditë ushtria izraelite vjen këtu për të arrestuar burrat që janë shpallur në kërkim”, thotë Mohammed Tirawi , udhëheqës politik në kampin Balata.

Ushtria izraelite pretendon se ndaj saj u përdorën mjete shpërthyese dhe armë, ndaj u kundërpërgjigj duke hapur zjarr, e për pasojë duke lënë disa të plagosur.

Balata është kampi më i madh i refugjatëvë në Bregun Perëndimor. Aty jetojnë rreth 30 mijë palestinezë. Njësoj si kampet e tjera të refugjatëvë në Bregun Perëndimor, kampi drejtohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila po përballet me sfida të shumta si pasojë e rënies së donacioneve.

Së fundmi, u shënua një grevë 4 mujore, për shkak të së cilës u ndërprenë të gjitha shërbimet në kamp, përfshirë arsimimi dhe shërbimi ambulator.

“Nuk e mbështes dhunën, por kjo situatë duhet të ndryshojë. Është shumë e rrezikshme dhe mund të çojë në shpërthim të dhunës. Çfarë pretendohet të bëjnë këta të rinj këtu? Askush nuk shqetësohet për ne, as Autoriteti Palestienez në Ramallah as pjesa tjetër e botës”, thotë Ahmed Thoukan nga komisioni i shërbimeve në kampin Balata

Pothuajse dy te tretat e palestinezëve që jetojnë në Balata janë nën moshën 25 vjeçare. Ata thonë se duan të shohin një shtet të pavarur palestinez, por shohin se shanset për t’ia arritur kësaj dite nuk janë të shumta.

Ndaj ata i janë drejtuar armëve dhe thonë se do ta detyrojnë Izraelin dhe Autoritetin Palestinez që t’u japë të drejtat që u takojnë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat