Janet Yellen mbërrin në Kinë, fokusi përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve

Azia

Janet Yellen mbërrin në Kinë, fokusi përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve

Më: 6 korrik 2023 Në ora: 12:50
Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen mbërriti në Pekin këtë pasdite për një vizitë katër-ditore, e cila pritet të fokusohet në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Megjithatë, të dyja palët kanë pritshmëri të ulëta për vizitën. Ndërsa Pekini dëshiron më shumë dialog për të përmirësuar marrëdhëniet ekonomike, ai ka pranuar që të dyja palët të vendosin mbrojtjen e interesave të tyre kombëtare përpara marrëdhënieve ekonomike.

Analistët kinezë thanë se fjalimi i Yellen në prill, në të cilin ajo tha se ruajtja e interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe aleatëve të saj ishte qëllimi kryesor i politikës ekonomike të SHBA-së me Kinën, nuk nxiti optimizëm për vizitën.

Zhu Feng, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Nanjing, tha se theksi i Yellen mbi sigurinë kombëtare do të thotë se SHBA nuk ka gjasa të ndalojë “shtypjen e saj ekonomike dhe teknologjike të Kinës”.

Yellen do të theksojë nevojën për bashkëpunim me Pekinin për ndryshimet klimatike, gatishmërinë ndaj pandemisë dhe borxhin, tha më parë një zyrtar i lartë i thesarit amerikan.

Sekretarja amerikane do t’u thotë gjithashtu bashkëbiseduesve të saj kinezë se Uashingtoni nuk kërkon të shkëputë dy ekonomitë, megjithëse rezervon të drejtën për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së përmes veprimeve të synuara, shtoi zyrtari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat