Ëndrra e saj ishte mbrojtja e Japonisë, por në vend të kësaj u sulmua seksualisht nga kolegët ushtarë

Azia

Ëndrra e saj ishte mbrojtja e Japonisë, por në vend të kësaj u sulmua seksualisht nga kolegët ushtarë

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 15:39
Rina Gonoi

Rina Gonoi është luftëtare; një ish ushtare, praktikuese e xhudos, dhe një grua e cila lufton në emër të të gjitha grave për të vënë para përgjegjësisë ata që abuzuan seksualisht me të.

Kur Gonoi shërbeu në Forcën Vetëmbrojtëse të Japonisë (JSDF), ajo thotë se ka duruar abuzim seksual fizik dhe verbal në baza ditore për më shumë se një vit dhe u zotua kur u largua nga Forca Vetëmbrojtëse e Japonisë në qershor të vitit 2022, pas dy vitesh shërbimi, se do të sillte para drejtësisë torturuesit e saj, shkruan CNN.

Në fillim, autoritetet dukej se nuk ishin të gatshme ta besonin atë. Kur ajo raportoi abuzimin e supozuar tek autoritetet ushtarake, u nisën dy hetime, por nuk vazhduan për shkak të mungesës së provave, përcjell KosovaPress.

E pamposhtur, ajo u mundua të gjej ndihmë në stacione televizive. Kur ata e injoruan atë, ajo e çoi betejën e saj në mediat sociale - një veprim i rrallë në një vend ku të mbijetuarit e sulmeve seksuale mund të përballen me reagime për ngritjen e zërit.

“Doja të ndihmoja njerëzit e tjerë që ishin ngacmuar seksualisht (në JSDF). Ndërsa nga autorët e krimit, doja një kërkim falje dhe që ata të pranonin atë që kishin bërë; Doja t'i parandaloja të tjerët të kalonin atë që kalova unë, prandaj fola”, tha ajo.

Refuzimi i Gonoit për të heshtur përfundimisht shkaktoi një hetim të gjerë për ngacmimin seksual në të gjithë JSDF-në dhe prokurorët rihapën një hetim që zbuloi se ajo kishte duruar ngacmime seksuale fizike dhe verbale çdo ditë midis vjeshtës të vitit 2020 dhe gushtit të vitit 2021, sipas ekipit mbrojtës të Gonoit.

Gjetjet rezultuan në një moment novator: një pranim të rrallë faji dhe një falje publike nga Ministria e Mbrojtjes së Japonisë, ndërsa shefi i shtabit të Forcave të Vetëmbrojtjes Tokësore, Yoshihide Yoshida, u përkul thellë, duke thënë: “Në emër të Forcave të Vetëmbrojtjes Tokësore, dëshiroj t'i shpreh faljen më të thellë zonjës Gonoi, e cila ka vuajtur prej kohësh. Mw vjen shumw keq."

Pesë ushtarë u pushuan gjithashtu dhe katër të tjerë u ndëshkuan dhjetorin e kaluar, sipas NHK - transmetues publik japonez. Gonoi tha gjithashtu se ajo mori falje personalisht nga disa oficerë.

Por kjo sipas saj nuk mjafton dhe tani ajo është duke ndjekur çështje penale dhe civile në gjykata. Në fillim të vitit ajo ngriti padi kundër qeverisë dhe sulmuesve të saj të dyshuar – tre prej të cilëve u paditën në mars me akuzat për sulm seksual ndaj Gonoit. Në çështjen penale deri më sot nuk janë deklaruar as të pandehurit dhe as avokatët e tyre. Prokurorët publikë në Japoni nuk kanë dhënë informacion në lidhje me rastin dhe nuk iu përgjigjën kërkesës së CNN për koment. Në çështjen civile, katër nga pesë të akuzuarit mohuan akuzën, ndërsa i pesti e pranoi.

Shteti është përgjigjur duke thënë se ngacmimi seksual "nuk mund të tolerohet", por ende nuk ka komentuar mbi padinë e Gonoit.

Pavarësisht nga rezultati i këtyre padive, Gonoi beson se ka një betejë më të madhe për të luftuar kundër asaj që ajo e sheh si një kulturë të ngacmimit seksual në ushtrinë e dominuar nga meshkujt. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat