Kore e Jugut, dhjetëra viktima nga vërshimet, shtatë trupa gjenden në tunelin e përmbytur

Azia

Kore e Jugut, dhjetëra viktima nga vërshimet, shtatë trupa gjenden në tunelin e përmbytur

Më: 16 korrik 2023 Në ora: 11:28
Foto ilustrim

Ekipet e shpëtimit në Korenë e Jugut, që punojnë për të arritur te makinat e bllokuara në një tunel të përmbytur kanë gjetur të paktën shtatë trupa.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu dhe ndërprerje të energjisë elektrike në pjesën më të madhe të vendit.

Të paktën 26 persona të tjerë dihet se kanë vdekur, ndërsa dhjetë mbeten të zhdukur.

Është e paqartë se sa njerëz janë ende të bllokuar në tunel - i cili është 685 metra i gjatë - por 15 automjete mendohet se janë vërshuar në ujë.

Zyrtarët kanë thënë se tuneli në Osong - afër qytetit të Cheongju në provincën qendrore të Chungcheong-it verior - është përmbytur nga një vërshim i shpejtë pasi një lumë aty pranë ka dalë nga shtrati i tij, prandaj shoferet dhe pasagjeret nuk kanë mundur të shpëtonin.

Të dielën në mëngjes, gjashtë trupa janë gjetur brenda një autobusi. Kjo ka pasuar gjetjen e një trupi tjetër dhe shpëtimin e nëntë të mbijetuarve të shtunën.

Mediat lokale kanë raportuar se vdekjet e fundit e kanë çuar numrin e përgjithshëm nga përmbytjet në të paktën 33.

Shumica e viktimave të tjera kanë qenë në rajonin malor të Gyeongsang-ut të Veriut, ku rrëshqitjet e dheut kanë rrëmbyer shtëpi të tëra, shkruan BB, përcjell KosovaPress

Pothuajse 300 mm shi është raportuar të ketë rënë në të gjithë Korenë e Jugut të shtunën.

Administrata Meteorologjike e Koresë ka parashikuar për më shumë reshje deri të mërkurën javën e ardhshme dhe ka shtuar se kushtet e motit paraqesin një rrezik "të rëndë".

Shiu ekstrem ka shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të dheut në disa vende - përfshirë Indinë, Kinën dhe Japoninë - gjatë dy javëve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat