Izrael, vazhdojnë protestat masive mes thirrjeve për demokraci

Azia

Izrael, vazhdojnë protestat masive mes thirrjeve për demokraci

Më: 3 gusht 2023 Në ora: 21:45
Foto ilustrim

Mungesa e mesazhit të qartë të lëvizjes pro-demokraci lidhur me sundimin e Izraelit në tokat e pushtuara palestineze është kundërthënie që reflekton një mendim që ndahet nga shumë hebrenj të Izraelit, se konflikti me palestinezët nuk ka zgjidhje dhe është i ndarë nga konflikti i brendshëm në vend.

Kritikët e protestave, përfshirë palestinezët, thonë se kjo përbën një injorim të rëndësishëm dhe se mbrojta e përzgjedhur e vlerave demokratike dëshmon se sa të shkëputur janë izraelitët nga realiteti i vrazhdë i atyre që jetojnë nën pushtim.

“Çfarë ironie kur flasin dhe protestojnë për demokraci ndërkohë që njëkohësisht për palestinezët bëhet fjalë për diktaturë 75-vjeçare”, tha komentatorja palestineze, Diana Buttu. “Frikësohen se privilegjet dhe të drejtat e tyre do të cenohen, e nuk e bëjnë lidhjen” me pushtimin.

Protestuesit po demonstrojnë kundër nismës së qeverisë së Kryeministrit Benjamin Netanjahu për të dobësuar gjyqësorin, duke kufizuar mbikëqyrjen e tij ndaj vendmarrjes qeveritare dhe ligjeve.

Nga lëvizja protestuese thonë se mesazhi i kufizuar i tyre kundër reformës në drejtësi, po e mbanë të bashkuar njërën nga lëvizjet më të mëdha dhe më të qëndrueshme protestuese në historinë e Izraelit. Kësaj lëvizje i janë bashkangjitur dhjetëra mijëra njerëz gjatë 30 javëve të fundit.

Qeveria e Kryeministrit Netanjahu, e përbërë nga parti ultra-nacionaliste dhe ultra-fetare me lidhje të afërta me lëvizjen e kolonëve në Bregun Perëndimor, thotë se reforma do t’ua kthejë fuqinë ligjvënësve të zgjedhur dhe do të kufizojë fuqinë e një sistemi juridik që ndërhyn në qeverisje. Ndërkohë kritikët e shohin këtë nismë të qeverisë si sulm ndaj themeleve demokratike të Izraelit dhe zbehje të ndarjes së pushteteve. Ata thonë se reforma hap rrugë për shkelje të lirive personale dhe të drejtave të grave, komunitetit LGBTQ+ dhe pakicave, si dhe do ta çojë Izraelin drejt autokracisë.

Protestuesit përfaqësojnë aspekte të ndryshme të shoqërisë izraelite. Ata brohorasin “demokraci apo revoltë!” bartin parulla “Izraeli do të mbetet demokraci” dhe kanë shpalosur një kopje gjigande të deklaratës së pavarësisë, që shërben si ligji jozyrtar i të drejtave të garantuara.

Por, në protestat e zëshme ka munguar një referencë kuptimplotë për okupimin 56 vjeçar izraelit të territoreve, që palestinezët i duan si pjesë të shtetit të tyre në të ardhmen. Një kontigjent i vogël i aktivistëve, që valvisin flamurin palestinez morën pjesë në protestë, por kryesisht në distancë.

Qytetarët palestinezë të Izraelit, që përbëjnë një të pestën e popullsisë, kanë injoruar protestat pjesërisht për shkak se protestuesit po e injorojnë okupimin.

"Protesta po bëhet kundër tkurrjes së sferës demokratike për hebrenjtë. Aparteidi që Izraeli ushtron në Bregun Perëndimor nuk paraqet problem për shumicëm e hebrenjëve,” thotë zoti Dror Etkes, një aktivisit veteran kundër okupimit.

Përkundër shqetësimeve, zoti Etkes i është bashkangjitur protestave. Ai e sheh mungesën e çështjes së pushtimit si strategji, që ka për qëllim bashkimin e grupeve të ndryshme ndaj një kërcënimi më urgjent. Ai thotë se po të pyetej qeveria, “njerëzit si unë nuk do të mund të protestonin” kundër okupimit.

Pas shumë vitesh konflikti vdekjeprurës me palestinezët, shumë hebrenj të Izraelit e konsiderojnë okuptimin si produkt përcjellës të një situate të pashpresë të sigurisë. Të tjerët akuzojnë palestinezët për refuzimin e ofertave bujare për paqe – një argument ky që palestinezët e kundërshtojnë.

Një ide e tillë i frenon shumë protestues izraelitë që ta kuptojnë kundërthënien e betejës së tyre, thotë zoti Amichai Cohen nga Instituti i Izraelit për Demokraci me seli në Jerusalem.

Por ai dhe të tjerët thonë se çështja e okupimit po depërton në protesta, duke i hapur potencialisht rrugë një vetëdijësimi. Përkrahësit kryesor të reformës ligjore janë kolonë të Bregut Perëndimor, të cilët duan të zgjerojnë dhe të forcojnë dominimin e Izraelit në territoret palestineze, pjesërisht përmes dobësimit të kompetencave që gëzon gjykata për të mbikëqyrur përpjekjet e tyre.

Protestat përkuan edhe me përshkallëzimin e përplasjeve izraelito-palestineze, gjatë të cilave kolonë radikalë sulmuan qytete palestineze, si qytetin e Hauarës, duke djegur makina dhe shtëpi, me pak ndërhyrje nga forcat izraelite të sigurisë. Brohoritja e protestuesve “Ku ishit kur ndodhi Huara?” u shndërrua në thirrje proteste ndaj përshtypjes se policia po sillej me brutalitet ndaj protestuesve.

Zoti Avner Gvarjahu, i cili drejton “Breaking the Silence” (Të Thyesh Heshtjen), një grup sinjaluez i përbërë nga ish ushtarë, proteston vazhdimisht.

Ai po përcjell me nervozizëm se si rezervistët ushtarakë, që refuzojnë të vazhdojnë të shërbejnë në shenjë proteste për atë që e konsiderojnë si shpërbërje të demokracisë së Izraelit, po heshtin ndaj okupimit.

Megjithatë, protesta e rezervistëve theu tabunë ndaj refuzimit për shërbim ushtarak, teknikë kjo që mund të përdoret në të ardhmen nga ushtarët kundër okupimit.

"Rryma kryesore e shoqërisë po zgjohet," tha ai.

Palestinezët mbeten skeptikë. Zoti Shauan Xhabarin, kreu i organizatës për të drejtat të palestinezëve “Al-Haq,” thotë se protestat janë një betejë e brendshme izraelite për ta ruajtur status-quoe, që e ka çimentosur okupimin.

"Për çfarë demokracie po flisni?'" thotë ai. "Demokracia nuk përputhet me okupimin."/VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat