Kim Jong Un e shkarkon shefin e ushtrisë, urdhëron nisjen e përgatitjeve për luftë

Azia

Kim Jong Un e shkarkon shefin e ushtrisë, urdhëron nisjen e përgatitjeve për luftë

Më: 10 gusht 2023 Në ora: 20:28

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, e ka shkarkuar gjeneralin e lartë dhe i ka bërë thirrje ushtrisë t’i nisë përgatitjet për luftë “në mënyrë ofensive”, përfshirë duke e rritur prodhimin e armeve dhe duke bërë më shumë stërvitje, raportuan të enjten mediat shtetërore.

Me një cigare në dorë, Kim u pa duke biseduar në një dhomë të mbushur plot me gjeneralë të painformuar, dhe duke bërë me gisht në drejtim të hartave, derisa po fliste për “veprime të mëdha ushtarake” kundër Koresë së Jugut, sipas mediave shtetërore.

Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut (AQLKV) tha se në agjendën e takimit, i cili u mbajt vetëm pak ditë pasi Kim i inspektoi fabrikat e armëve, “u diskutua çështja e përgatitjeve të plota për luftë”, si dhe për t’u siguruar “për një përgatitje të përsosur ushtarake për luftë”.

Ky takim vjen derisa Seuli dhe Uashingtoni po përgatiten për të mbajtur stërvitje të mëdha të përbashkëta në fund të këtij muaji, të cilat Veriu i sheh si ushtrime për pushtim dhe ka paralajmëruar vazhdimisht se ato mund të nxisin përgjigje “marramendëse”.

Në takim, Kim e shkarkoi shefin e shtabit të përgjithshëm, Park Su Il, duke e zëvendësuar me Ri Yong Gil, raportoi AQLKV.

Park, i cili ishte promovuar në këtë pozitë vitin e kaluar, mund të jetë shkarkuar “sepse ai nuk dëshmoi se ka kompetenca të mjaftueshme në fushën e operacioneve ushtarake”, sipas Cheong Seong-chang, hulumtues në Institutin Sejong.

“Kimi ka treguar një prirje për t’i zëvendësuar shpejt zyrtarët kur ata gjykohen se nuk kanë aftësi për t’i kryer dhe kontrolluar detyrat e veta”, tha ai./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat