Koreja e Veriut pretendon se “diskriminimi racor” e shtyu ushtarin amerikan të dezertojë

Azia

Koreja e Veriut pretendon se “diskriminimi racor” e shtyu ushtarin amerikan të dezertojë

Më: 16 gusht 2023 Në ora: 10:33
Zona e Çmilitarizuar Koreane, e cila e ndan Veriun me Jugun.

Travis King dezertoi në Korenë e Veriut për të ikur nga “keqtrajtimi dhe diskriminimi racor në ushtrinë amerikane”, raportuan mediat shtetërore verikoreane të mërkurën.

Ky është konfirmimi i parë zyrtar i Penianit se Koreja e Veriut është duke e mbajtur ushtarin amerikan.

Ushtari King pritej të kthehej në Amerikë, por në vend se ta bënte këtë, ai u largua nga aeroporti kryesor i Koresë së Jugut, iu bashkua një grupi turistësh drejt Zonës së Çmilitarizuar Koreane dhe e kaloi me vrap kufirin matanë Koresë së Veriut muajin e kaluar.

Shtetet e Bashkuara kishin thënë se King e kishte kaluar kufirin në Zonën e Përbashkët të Sigurisë të Zonës së Çmilitarizuar, e cila e ndan Veriun me Jugun, “pa autorizim dhe me vetë dëshirë”.

Pas një hetimi verikorean, King “e pranoi se ishte futur jashtëligjshëm”, raportoi Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut.

“Travis King u rrëfye se kishte vendosur të vinte në Republikën Demokratike të Popullit të Koresë së Veriut (DRPK), pasi kishte përjetuar keqtrajtime çnjerëzore dhe diskriminim racor brenda ushtrisë amerikane”, raportoi agjencia shtetërore e Koresë së Veriut, duke iu referuar Veriut me emrin zyrtar.

King “erdhi për t’u mbajtur nën kontrollin e ushtarëve të Ushtrisë së Popullit Korean”, pasi e kaloi kufirin, sipas saj.

Komanda e Kombeve të Bashkuara, e cila e vëzhgon armëpushimin i cili i dha fund luftimeve në Luftën Koreane, konfirmoi muajin e kaluar se kishte nisur bisedimet me Korenë e Veriut për Kingun.

Por, sekretari i Shtetit Antony Blinken tha në atë kohë se, derisa kishte kontraktuar me Korenë e Veriut, Uashingtoni nuk ia kishte idenë se ku ndodhej King, apo se në çfarë kushtesh po mbahej.

Agjencia shtetërore verikoreane nuk dha hollësi për shëndetin apo vendndodhjen e Kingut, apo se çfarë planifikojnë të bëjnë me të.

Mundësi për propagandë

Fjalët e para të Koresë së Veriut për Kingun ishin propagandë e pastër, sipas Soo Kim, udhëheqëse e sektorit të politikave në LMI Consulting dhe ish-analiste e CIA-s.

“Kalimi i Kingut në Korenë e Veriut ia dha mundësinë regjimit të Kim [Jong Un] në disa mënyra, e para, natyrisht, për bisedime të mundshme me SHBA-në rreth lirimit të tij”, tha ajo për AFP.

Ajo beson se verikoreanët janë negociatorë “vështirë”, prandaj nuk do të jetë e lehtë për Uashingtonit ta sigurojë lirimin e tij.

Peniani e ka një histori të gjatë të arrestimit të amerikanëve dhe përdorimit të tyre për të bërë pazare në bisedime bilaterale.

“Kjo është, po ashtu, edhe një mundësi për regjimin për të bërë propagandë – për ta ndryshuar situatën në një mënyrë që ta kritikojë SHBA-në dhe për ta shprehur armiqësinë e Penianit ndaj Uashingtonit, e cila i ka rrënjët e thella”, shtoi ajo./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat