Pretendimet për përdhosje të Kuranit, mijëra muslimanë i vënë zjarrin kishave në Pakistan

Azia

Pretendimet për përdhosje të Kuranit, mijëra muslimanë i vënë zjarrin kishave në Pakistan

Më: 16 gusht 2023 Në ora: 20:50
Pakistan

Mijëra muslimanë në Pakistan u kanë vënë zjarrin kishave dhe vandalizuan shtëpitë që u përkasin të krishterëve mbi pretendimet se dy burra kishin përdhosur Kuranin, thotë policia.

Sulmet ndodhën në Jaranwala në provincën e Punjabit lindor.

Policia tha se të paktën katër kisha ishin djegur, ndërsa banorët thanë se deri në një duzinë ndërtesa të lidhura me kishat ishin dëmtuar.

Blasfemia dënohet me vdekje në Pakistan.

Askush nuk është ekzekutuar ndonjëherë për të, por dhjetëra janë vrarë më parë nga turmat pasi u akuzuan për krimin.

Policia që ka ngritur çështjen kundër dy burrave të krishterë pretendon se ka gjetur faqe të Kuranit me komente nënçmuese të shkruara me të kuqe, raportoi Reuters.

Yassir Bhatti, një i krishterë 31-vjeçar, ishte një nga ata që u larguan nga shtëpitë e tyre.

“Ata thyen dritaret, dyert dhe nxorën frigoriferë, divane, karrige dhe sende të tjera shtëpiake për t’i grumbulluar para kishës për t’u djegur,” tha ai për agjencinë e lajmeve AFP.

Ata gjithashtu dogjën dhe përdhosën Bibla, ishin të pamëshirshëm”.

Videot e ngarkuara në mediat sociale tregojnë protestuesit që shkatërrojnë ndërtesa të krishtera ndërsa policia duket se po vëzhgon.

Amir Mir, ministri i informacionit për provincën Punjab, dënoi blasfeminë e supozuar dhe tha në një deklaratë se mijëra policë janë dërguar në zonë dhe dhjetëra njerëz janë arrestuar.

Turma përbëhej kryesisht nga njerëz të një partie politike islamike të quajtur Tehreek-e-Labbaik Pakistan (TLP), tha një burim qeveritar për Reuters. TLP ka mohuar çdo përfshirje.

Kryeministri në detyrë Anwar ul Haq Kakar bëri thirrje për veprim të shpejtë kundër atyre që janë përgjegjës për dhunën.

Peshkopi pakistanez Azad Marshall, në qytetin fqinj të Lahore, tha se komuniteti i krishterë ishte “thellësisht i dhembur dhe i shqetësuar” nga ngjarjet.

“Ne thërrasim për drejtësi dhe veprim nga forcat e rendit dhe atyre që japin drejtësi, si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve që të ndërhyjnë menjëherë dhe të na sigurojnë se jetët tona janë të vlefshme në atdheun tonë”, postoi ai në X, i njohur më parë si Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat