Forcat izraelite vrasin dy palestinezë gjatë një bastisje në Bregun Perëndimor

Azia

Forcat izraelite vrasin dy palestinezë gjatë një bastisje në Bregun Perëndimor

Më: 24 shtator 2023 Në ora: 20:02
Foto ilustrim

Forcat izraelite vranë dy palestinezë, përfshirë një luftëtar të grupit islamik Hamas, gjatë bastisjes së një kampi refugjatësh në Bregun Perëndimor të dielën, thanë punonjësit e urgjencës dhe Hamasi. Ndërkohë në Gaza, sulmet izraelite goditën pikat e sigurisë për të dytën ditë.

Forcat izraelite bastisën kampin “Nur Shams” pranë qytetit Tulkarm të Bregut Perëndimor në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, duke shkaktuar një betejë disa orëshe me luftëtarët palestinezë, thanë dëshmitarët.

Ushtria izraelite tha se kishte ndërmarrë një operacion kundër terrorizmit në kamp, duke çmontuar një qendër komanduese operacionale të pajisur me kompjutera dhe kamera vëzhgimi. Forcat izaraelite zbuluan dhjetëra mjete shpërthyese dhe komponentë të prodhimit të bombave, thanë zyrtarët izraelitë.

“Gjatë aksionit, të dyshuarit hapën zjarr dhe hodhën mjete shpërthyese në drejtim të forcave, të cilat u përgjigjën me zjarr të drejtpërdrejtë”, tha ushtria izraelite përmes një deklarate, duke shtuar se një ushtar izraelit ishte plagosur.

Hamasi, i cili ka zgjeruar shtrirjen përtej bazës së tij në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, tha se një nga të vrarët, 21-vjeçari Osaid Abu Ali, ishte anëtar i krahut të tij të armatosur.

Familja e të varrit tjetër, 32-vjeçarit Abdel-Rahman Abu Daghash, tha se ai ishte ngjitur në çatinë e shtëpisë së tij për të vëzhguar se çfarë po ndodhte kur u qëllua nga një snajper.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat