Izraeli po i vazhdon bombardimet në Gaza

Azia

Izraeli po i vazhdon bombardimet në Gaza

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 09:01
Pamje nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, 9 shtator 2023.

Izraeli i ka vazhduar të martën bombardimet vdekjeprurëse ndaj Rripit të Gazës së kontrolluar nga Hamasi, pasi grupi militant kërcënoi se do t’i vriste disa prej rreth 150 pengjeve që i rrëmbeu në fundjavë, nëse sulmet ajrore do të vazhdonin pa paralajmërim.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (FMI) njoftuan, po ashtu, se e kanë siguruar kufirin me Gazën, nga ku mijëra luftëtarë të Hamasit ishin futur në Izrael të shtunën për ta nisur sulmin më të rëndë ndaj këtij vendi në dekadat e fundit.

Zëdhënësi i FMI-së, Daniel Hagari, tha se në ditët e fundit nuk ka mundur të futet asnjë militant në tokën izraelite nga Gaza.

Ai tha se inxhinierët po i minojnë pjesët ku ishte prishur gardhi mbrojtës kufitar. Militantët e Hamasit e kishin thyer këtë barrierë të madhe në shumë pjesë për ta nisur sulmin.

Hë nënën, Izraeli njoftoi rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit dhe ujit, si dhe duke e ndërprerë furnizimin me rrymë.

Kjo ka nxitur frikë se gjendja tashmë e rëndë humanitare në Gaza do të përkeqësohet shumë shpejt.

Izraeli ka mbetur i tronditur nga sulmi i paparë dhe papritur i Hamasit nga toka, ajri dhe deti, saqë e ka krahasuar atë me sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Numri i të vdekurve në Izrael është rritur në 900 nga sulmet e Hamasit, për të cilat Izraeli është hakmarrë me bombardime mbi Gazën, ku kanë mbetur rreth 700 të vrarë.

Ushtria izraelite tha të martën se i ka gjetur mbi 1.500 trupa të militantëve të Hamasit brenda Izraelit.

Ajo, po ashtu, njoftoi se pothuajse e ka përfunduar evakuimin e komuniteteve izraelite përreth kufirit me Gazën.

Hamasi tha të hënën se katër prej pengjeve që i ka rrëmbyer janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite.

Më vonë, grupi militant tha se mund të fillojë t’i vrasë ata vetë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat