Izraeli sulmon qendrën e qytetit të Gazës

Azia

Izraeli sulmon qendrën e qytetit të Gazës

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 16:28
Foto nga vendi i ngjarjes

Izraeli bombardoi të martën qendrën e qytetit të Gazës si dhe zgjeroi në 360 mijë numrin e rezervistëve të angazhuar në luftime, duke u zotuar se do të hakmarret ndaj grupit militant Hamas.

Ushtria izraelite bëri të ditur të martën në mëngjes, se kishte rifituar kontrollin në jug të vendit si dhe të kufirit dhe se asnjë militant i Hamasit nuk kishte hyrë në vend që prej ditës së hënë.

Si pasojë e luftimeve të paktën 1,600 persona kanë humbur jetën nga të dyja palët. Autoritetet izraelite thanË se Hamasi dhe grupe të tjera militante në Gaza, po mbajnë peng më shumë se 150 ushtarë dhe civilë.

Ndërsa luftimet vazhdojnë, ajo çka mbetet ende pa përgjigje është pyetja nëse Izraeli do të nisë një ofensivë tokësore në Gaza, një territor i vogël me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh, i cili qeveriset nga Hamasi që prej vitit 2007.

Agjencitë e OKB-së bënë thirrje për krijimin e një korridori humanitar për të sjellë ushqime e medikamente mjekësore. Ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur me qindra objektiva gjatë natës në lagjen Rimal të qytetit të Gazës, një lagje luksoze, ku strehohen ministra të qeverisë së Hamasit, dhe ku ndodhen godina universitetesh, organizatash mediatike dhe atyre që merren me ndihmat.

Sulmet shkatërruese në Rimal sinjalizuan atë që u pa si një taktikë e re nga ana e Izraelit, paralajmërimi i civilëve që të largohen nga zona të caktuara dhe më pas goditja e tyre me një intensitet të pashembullt. Të martën pasdite, ushtria lëshoi një paralajmërim të ri për evakuim të banorëve në një lagje tjetër në qytetin e Gazës.

Nëse sulmet ajrore vazhdojnë, civilët në Gaza do të kenë gjithnjë e më pak vende për t'u strehuar për shkak të numrit gjithnjë e më të madh të lagjeve të pabanueshme. Po kështu ata mund të mos kenë mundësi as të largohen prej andej.

Izraeli ka njoftuar se do të rrethojë plotësisht Gazën, duke ndërprerë tërësisht mundësitë e furnizmit me karburant, ushqime dhe energji elektrike.

Bombardimet dhe kërcënimet e Izraelit për të shkatërruar Hamasin kanë ngritur pikëpyetje rreth strategjisë dhe objektivave të grupit. Udhëheqësit e Hamasit nuk kanë folur publikisht nëse me nisjen e sulmit të fundjavës kishin parashikuar edhe hakmarrjen e ashpër të Izraelit apo rrezikun për shkaterrimin e mundshëm të pjesës më të madhe të infrastrukturës qeveritare të grupit.

Si përgjigje ndaj sulmeve ajrore të Izraelit, zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit, Abu Obeida, tha të hënën në mbrëmje se grupi do të fillonte vrasjen e izraelitëve të kapur rob, sa herë që Izraeli të sulmonte civilët në Gaza, "pa paralajmërim paraprak".

OKB-ja tha të martën se më shumë se 187,000 njerëz ishin larguar nga shtëpitë e tyre në Gaza. Një ofensivë ajrore dhe tokësore e vitit 2014 nga ana e Izraelit shkaktoi largimin e rreth 400,000 personave.

Ushtria izraelite tha se më shumë se 900 persona janë vrarë në Izrael ndërsa në Gaza, sipas autoriteteve atje, janë vrarë 765 persona. Izraeli thotë se në mesin e tyre janë me qindra luftëtarë të Hamasit. Po kështu palët kanë njoftuar me mijëra vetë të plagosur.

Trupat e rreth 1,500 militantëve të Hamasit janë gjetur në territorin izraelit, por nuk ishte menjëherë e qartë nëse shifrat e dhëna të martën nga ushtria, përputheshin me numrin e vdekjeve të njoftuara më parë nga autoritetet palestineze./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat