LIVE: Vjen paralajmërimi që po shokon botën, Izraeli me ultimatum të fuqishëm - rritet frika për luftë

Azia

LIVE: Vjen paralajmërimi që po shokon botën, Izraeli me ultimatum të fuqishëm - rritet frika për luftë

Nga: Bota sot Më: 13 tetor 2023 Në ora: 06:53 Përditësuar në ora: 18:44 më 13.10.2023
Izrael

Njerëzimi të mbizotërojë tani, Gaza mund të kthehet në “ferr”

Philippe Lazzarini, komisioneri i përgjithshëm i agjencisë palestineze të OKB-së për refugjatët, ka thënë se Gaza do të bëhet shumë shpejt një “ferr”, pasi ndodhet në prag të kolapsit.

“Shkalla dhe shpejtësia e krizës humanitare që po shpaloset në Gaza është tronditëse”, tha Philippe Lazzarini.

Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira që të japin akses dhe mbrojtje humanitare “të menjëhershme dhe të pakushtëzuar” për civilët e Gazës dhe të respektojnë ligjet e luftës.

Ai shtoi se urdhri i Izraelit që 1.1 milion njerëz të largohen nga Gaza veriore ishte “i tmerrshëm”.

“Kjo do të çojë vetëm në nivele të paprecedentë mjerimi dhe do t’i shtyjë më tej njerëzit në Gaza drejt humnerës,” tha Lazzarini.

Ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të reagojnë sa më shpejt.

“Koha që njerëzimi të mbizotërojë është tani”, tha ai.

Izraeli ultimatum 1.2 milionë palestinezëve të largohen nga Gaza brenda 24 orësh, reagon Borrell

Aeroplanët izraelitë kanë fluturuar mëngjesin e sotëm mbi Rripin e Gazës, duke hedhur miliona pamflete me një mesazh të vetëm drejtuar palestinezëve: “largohuni nga Gaza brenda 24 orësh”.

Janë rreth 1.2 milionë palestinezë që jetojnë në këtë territor, shumë prej të cilëve po vuajën aktualisht nga bombardimet e njëpasnjëshme izraelite.

Izraeli ka mbledhur një ushtri masive në kufirin me Gazën, dhe të shumtë janë ata që besojnë se po planifikon të nisë një ofensivë tokësore.

Sakaq, Hamas që kontrollon aktualisht Gazën i ka thënë banorëve vendas të injorojnë paralajmërimet izraelite.

Edhe për diplomatin e Bashkimit Europian, Joseph Borrell, lëvizja e mbi 1 milionë banorëve brenda 24 orëve është diçka “jorealiste”.

“Kjo është krejtësisht joreale që një milion njerëz mund të lëvizin në 24 orë”, tha Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së.

Rritet frika për luftë rajonale/ Siria akuzon Izraelin për sulme ndaj aeroporteve të saj

Siria akuzoi Izraelin se ka sulmuar të enjten me raketa aeroportet në Damask dhe Alepo. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, këto zhvillime vijnë mes një frike në rritje se konflikti mes Izraelit dhe Hamasit, mund të çojë në një luftë rajonale në Lindjen e Mesme.

Izraeli ka mobilizuar 360 mijë rezervistë pas sulmit nga militantët e Hamasit. Qindra tanke janë pozicionuar në kufi me Rripin e Gazës dhe një sulm tokësor duket i pashmangshëm.

Irani është një nga mbështetësit kryesorë të Hamasit dhe ekziston frika se sulmi mund të çojë në një konflikt më të gjerë në rajon.

“Nëse Izraeli do të kryejë një sulm tokësor në Gaze, mendoj se ekziston një shqetësim real që grupet e tjera që kanë mbështetjen e Iranit e që ndajnë të njëjtat qëllime me të apo urrejnë Izraelin, sikurse Irani, mund të përfshihen edhe ata në luftë”, thotë Barbara Slavin, analiste për Lindjen e Mesme në qendrën ‘Stimson’.

Këtu përfshihet Hezbollahu, një grup i fuqishëm militant me bazë në Liban e që mbështetet nga Irani. Ditët e fundit, forcat izraelite dhe luftëtarët e Hezbollahut kanë bërë sulme sporadike me raketa.

Autoritetet siriane bënë të ditur të enjten se Izraeli kishte sulmuar me raketa aeroportet në Damask dhe Alepo, duke dëmtuar pistat e avionëve. Izraeli nuk ka bërë komente mbi këtë çështje, por ka akuzuar më parë Sirinë, se ka lehtësuar dërgesat në armë nga Irani, për grupet militante në rajon.

Thirrja e Izraelit për evakuim, banori i Gazës: Nuk ka më vend të sigurt. Na bombardojnë çdo natë pa mëshirë!

Ushtria izraelite drejtoi thirrjen për palestinezët në Veri të Gazës që të evakuohen në jug, por për banorët vendas duket se nuk ka më asnjë mënyrë për të shpëtuar.

Farah Abo Sedo ishte në qytetin e Gazës këtë mëngjes (13 Tetor) ndërsa tha për BBC se nuk dinte çfarë të bënte pasi dëgjoi paralajmërimin e evakuimit.

“Po shoh njerëz që mbajnë çantat e tyre sikur duan të ikin, por ku duhet të shkojmë?

Është një qytet i vogël, nuk ka shpëtim, ne po përpiqemi të shpëtojmë jetën tonë.

Na bombardojnë çdo natë pa mëshirë, nuk ka mbetur asgjë.

Askush nuk na mbron dhe nuk na dërgon ndihmë, nuk ka vend të sigurt këtu, ka shumë fëmijë dhe gra shtatzëna dhe askush nuk na ndihmon.“, tha banori.

Irani paralajmëron Izraelin për hapje të fronteve të reja: Çdo vendim nga anëtarët e tjerë të lëvizjes së rezistencës është i mundshëm

Ministri i Jashtëm i Iranit ka paralajmëruar hapjen e fronteve të reja të luftës nëse Izraeli nuk tërhiqet nga kriza humanitare që po shkakton në Gaza.

“Nëse Izraeli vazhdon krimet e luftës dhe rrethimin humanitar në Gaza çdo vendim dhe mundësi nga anëtarët e tjerë të lëvizjes së rezistencës është i mundshëm.”, tha ministri i jashtëm i Iranit Hossein Amir-Abdollahian gjatë vizitës së tij në Bejrut, sipas gazetës shtetërore të lajmeve të Iranit Tasnim.

Amir-Abdollahian tha se zyrtarët perëndimorë e pyetën nëse është e mundur të hapen fronte të reja kundër regjimit izraelit apo jo.

Lëvizja e rezistencës i referohet grupeve që janë kundër shtetit të Izraelit, duke përfshirë Hamasin, Hezbollahun dhe grupet e armatosura në Siri, Irak dhe Jemen.

Ministri i Jashtëm nuk dha detaje se me cilët zyrtarë perëndimorë foli.

Ai u takua gjithashtu me Hassan Nasrallah, Sekretarin e Përgjithshëm të Hezbollahut. Gjatë takimit, të dy shqyrtuan ngjarjet dhe zhvillimet e fundit pas sulmit të Hamasit dhe agresionin e Izraelit kundër Gazës, sipas Tasnim./ BBC

HRW akuzon Izraelin për përdorim të fosforit të bardhë në Gazë

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), i ka bërë thirrje Izraelit që të ndalë përdorimin e municioneve në Rripin e Gazës që kanë fosfor të bardhë.

Kjo organizatë tha se ka verifikuar një video dhe dëshmitë e dëshmitarëve okularë për përdorimin e këtyre armëve “pa dallim” në zonat me popullsi të dendur.

Fosfori i bardhë merr flakë spontanisht kur bie në kontakt me oksigjenin dhe lëshon tym toksik, duke gjeneruar temperatura deri në 815 gradë Celsius. Për shkak se ai vazhdon të digjet derisa të përdoret i gjithë materiali ndezës, ekspozimi ndaj fosforit të bardhë mund të shkaktojë aftësi të përhershme të kufizuara te viktimat apo edhe dhimbje kronike.

“[Fosfori i bardhë] përdoret në një mënyrë që nuk bën dallimin midis popullatës civile dhe caqeve ushtarake... veçmas kur bëhet fjalë për zonat me popullsi të dendur”, tha Yasmine Ahmed, drejtoresha britanike e HRW.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë mohuar se përdorin fosfor të bardhë në Gazë.

Izraeli u ka bërë thirrje banorëve në Rripin e Gazës që të evakuohen “në jug”, në mes të paralajmërimeve për një sulm të mundshëm tokësor.

Më 7 tetor, Izraeli u përball me sulmin më të madh të kryer viteve të fundit nga militantët palestinezë të Hamasit, të cilët sulmuan këtë shtet nga toka, ajri dhe deti. Izraeli u përgjigj me bombardime në Gazë – shtëpi e 2.2 milionë palestinezëve.

Për shkak të dhunës, mijëra persona janë vrarë në Izrael dhe Gazë./REL

Hezbollahu mori përgjegjësinë për sulmet në 4 lokacione izraelite

Grupi militant libanez Hezbollah mori përgjegjësinë për sulmet në katër lokacione izraelite.

Një ekip i CNN në terren ishte dëshmitar i disa prej këtyre sulmeve.

“Në përgjigje ndaj sulmeve izraelite pasditen e kësaj të premteje pranë një numri qytetesh jugore të Libanit, muxhahidët e Rezistencës Islamike sulmuan vendet e mëposhtme izraelite:

vendndodhjen Al-Abad, vendndodhjen Miskwam, vendndodhjen Ramia dhe vendndodhjen Jal Al-Alam me armë direkte dhe të përshtatshme, dhe të gjithë kanë arritur goditje të sakta”, thuhet në deklaratën e Hezbollahut.

​Vazhdojnë luftimet në kufirin me Libanin

një ekip i CNN në terren dëgjoi zhurmën e tre raketave të lëshuara nga Izraeli, të ndjekura nga dy raketa të tjera dhe më pas katër raketa të lëshuara nga Libani në drejtim të Izraelit.

CNN raporton se ekipi i tyre dëgjoi sot të shtëna të largëta nga drejtimi i qytetit kufitar izraelit të Metula dhe pa tym nga dy vende në anën izraelite të kufirit.

Ushtria izraelite thotë se zona pranë Metula është shpallur zonë e mbyllur ushtarake.

"Ka pasur një shkëmbim zjarri midis rezistencës dhe armikut izraelit në zonën kufitare me Izraelin midis qyteteve Alma al-Shaab dhe Dhahira", njoftoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA).

NNA tha gjithashtu se Izraeli aktualisht po bombardon ato zona. Shkëmbimi i zjarrit është në vazhdim, raporton ekipi i CNN.

Ministri italian e krahason Hamasin me nazistët

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, e ka krahasuar grupin militant palestinez, Hamas, me nazistët, në një intervistë me gazetën La Stampa të premten.

Militantët e Hamasit “nuk janë ndryshe nga nazistët. Ata janë qyqarë. Një ushtar nuk do t’ia hiqte kokën një bebeje dymuajshe. Raketat po vazhdojnë të shkrepen nga Gaza. Hamasi duhet t’i ndalë sulmet me raketa ndaj Izraelit, përndryshe është e qartë se do të ketë kundërpërgjigje”, tha Tajani për gazetën italiane.

Militantët e Hamasit i thyen barrikadat e forta kufitare dhe u futën nga Gaza në jug të Izraelit të shtunën e kaluar, duke i vrarë mbi 1.300 njerëz në qytetet kufitare izraelite, përfshirë mbi 260 në një festival të muzikës, si dhe duke i plagosur 3.000 të tjerë.

Izraeli u përgjigj me bombardime të mëdha ajrore mbi Gaza, duke i vrarë mbi 1.400 palestinezë dhe duke i plagosur më shumë se 6.600 të tjerë.

Tajani nënvizoi se Hamasi dhe palestinezët nuk janë të njëjtë.

“Palestina është diçka tjetër. Populli palestinez është viktimë e Hamasit”, tha ministri italian.

Tajani bëri thirrje që “terroristët të izolohen. Ne duhet të tregojmë se ka një popull arab e cila nuk ka asgjë të bëjë me ata”.

Ka pasur raportime shqetësuese rreth metodave të përdorura nga Hamasi për të vrarë njerëz në qytetet kufitare izraelite, përfshirë fëmijë. Por, Ushtria e Izraelit tha të enjten se nuk mund t’i konfirmojë as mohojë këto raportime.

Një ushtar izraelit kishte thënë për transmetuesin e Kfar Aza në jug të Izraelit se “terroristët ua prenë kokat fëmijëve dhe grave”.

Lufta e përgjakshme nga Hamasi, liderët e BE bëjnë lëvizjen urgjente ndaj Izraelit

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen dhe presidentja e PE, Roberta Metsola këtë të premte kanë mbërritur në tokën e luftës, Izrael.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola mbërritën në Izrael të premten.

Von der Leyen shkroi në rrjetin social X, se ajo kishte mbërritur në Izrael “për të shprehur solidaritetin me popullin izraelit pas sulmit të tmerrshëm terrorist të Hamasit”.

Metsola, gjithashtu shkroi: “Ne jemi këtu me një mesazh solidariteti pas sulmit më të keq terrorist që Izraeli ka përjetuar në breza.”

“Terrori nuk do të mbizotërojë. Mënyra se si ne reagojmë ka rëndësi,” tha Metsola. “Ne mund – ne duhet – të ndalojmë Hamasin. Dhe të bëjmë atë që mundemi për të zbutur pasojat humanitare.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat