LIVE: Irani paralajmëron "tërmet të madh" dhe thotë se na ndajnë vetëm pak orë nga ky konflikt i ri

Azia

LIVE: Irani paralajmëron "tërmet të madh" dhe thotë se na ndajnë vetëm pak orë nga ky konflikt i ri

Nga: Bota sot Më: 15 tetor 2023 Në ora: 06:55 Përditësuar në ora: 12:00 më 15.10.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

Banorët e dëshpëruar të Gazës në kërkim të ushqimit, ujit dhe sigurisë

Mbi 2.3 milionë civilëve në Gaza është duke iu vështirësuar jetesa pa ushqim, ujë dhe mungesë sigurie, teksa shqetësohen edhe për ndonjë intervenim tokësor izraelit, një javë pasi militantët e Hamasit kanë kryer sulme të përgjakshme në Izrael.

Ndonëse mijëra persona e kanë dëgjuar urdhrin e Izraelit për t’u shpërngulur nga veriu për në jug të Gazës, mijëra të tjerë janë nëpër spitale.

Forcat izraelite, të mbështetura nga prezenca e anijeve luftarake amerikane në rajon, janë pozicionuar afër kufirit të Gazës dhe janë stërvitur për atë që Izraeli ka thënë se do të jetë fushatë e gjerë për ta shkatërruar grupin militant Hamas.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 2.329 palestinezë janë vrarë prej nisjes së luftimeve, më shumë sesa në luftën e Gazës më 2014, e cila ka zgjatur rreth gjashtë javë.

Ky konflikt është më vdekjeprurësi për Gazën në krahasim me katër luftëra tjera që është përfshirë me Izraelin.

Në anën tjetër, më shumë se 1.300 izraelitë janë vrarë nga sulmet e Hamasit më 7 tetor. Kjo shifër është më e larta për Izraelin prej konfliktit të vitit 1973, me Egjiptin dhe Sirinë.

Izraeli ka lëshuar disa paralajmërime për mbi 1 milion palestinezë që të largohen nga veriu i Gazës, me arsyetimin se dëshiron të mos ketë civilë kur ta luftojë Hamasin.

Hamasi, në anën tjetër, u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se një eksod kaq i shpejtë në Gazën 40-kilometërshe, nën rrethim të plotë, do të shkaktojë situatë të rëndë humanitare.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se evakuimet janë të barasvlefshme me “dënime me vdekje” për më shumë se 2.000 pacientë në spitale në pjesën veriore, përfshirë foshnjat e sapolindura që janë nëpër inkubatorë apo në kujdes intensiv.

Sipas OKB-së, gjeneratorët e spitaleve në Gazë kanë naftë vetëm edhe për dy ditë, dhe më pas do të rrezikohet jeta e mijëra pacientëve.

Gaza veçse ka qenë duke u përballur me krizë humanitare, për shkak të mungesës së ujit dhe ilaçeve, të shkaktuar nga rrethimi izraelit.

Pas mbylljes së disa furrave, disa banorë janë ankuar se nuk kanë arritur të blejnë bukë për fëmijët e tyre.

Shumë banorë janë parë të mërzitur e disa të zemëruar, sepse i kanë humbur të gjitha kontaktet me familjarët.

Ushtria izraelite ka thënë të dielën se një sulm ajror në jug të Gazës e ka vrarë një komandat të Hamasit.

Izraeli ka thënë se i ka sulmuar 100 shënjestra ushtarake përgjatë natës, qendra komanduese dhe zona për nisje raketash.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka thënë të shtunën vonë se Shtetet e Bashkuara do ta dërgojnë një lansuese të dytë raketash në lindje të Mesdheut, si shenjë për ta ndihmuar çdo aleat për ta luftuar çdo aleat të Hamasit, sikurse Iranin, apo Hezbollahun e Libanit.

Ndërkohë, përmes një fjalimi televiziv, zyrtari i lartë i Hamasit, Ismail Haniyeh, ka thënë se “të gjitha masakrat” nuk do ta thyejnë popullin palestinez.

Një sulm ajror izraelit afër kampit të refugjatëve Jabalia, në veri të Gazës, i ka lënë të vdekur 27 persona dhe i ka plagosur mbi 80, kanë thënë autoritetet shëndetësore në Gaza.

Shumica e viktimave është thënë se kanë qenë gra dhe fëmijë.

Ende nuk është e qartë se sa palestinezë kanë mbetur në veri të Gazës deri në mëngjesin e së dielës, mirëpo besohet se 1 milion njerëz janë shpërngulur brenda Gazës këtë javë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, është shprehur shumë e shqetësuar për palestinezët që nuk mund të largohen sikurse “gratë shtatzëna, fëmijët, personat me nevoja të veçanta dhe të moshuarit”.

Kjo agjenci i ka bërë thirrje Izraelit që t’i mos sulmojë civilët, spitalet, shkollat, klinikat dhe lokacionet e OKB-së./REL

​“Do të sulmojmë nga toka, ajri dhe deti”, paralajmërimi izraelit nxit eksod në Gaza

Mijëra banorë të Gazës janë larguar nga veriu i territorit pasi Izraeli paralajmëroi 1.1 milionë banorët që të largoheshin përpara një sulmi tokësor të pritshëm.

Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka quajtur lëvizjen masive të njerëzve një "eksod".

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se "faza tjetër" e konfliktit "po vjen" dhe mbrëmë vonë ushtria izraelite tha se ka në plan të sulmojë nga toka, ajri dhe deti, por nuk dha kohë apo specifika, raporton BBC.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dënuar urdhrin e evakuimit dhe thotë se detyrimi i pacientëve në spital për t'u zhvendosur do të ishte "një dënim me vdekje".

Ndërsa konflikti hyn në ditën e tij të tetë, më shumë se 3600 njerëz janë vrarë nga të dyja palët.

Më shumë se 1,300 njerëz u vranë në Izrael fundjavën e kaluar në një sulm nga Hamasi, ndërsa më shumë se 2,300 njerëz janë vrarë në fushatën e bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës, të nisur pas sulmit, thonë autoritetet.

Ushtria izraelite thotë se po shqyrton vdekjen e një gazetari të Reuters, i cili u vra të premten në Libanin jugor, ndërsa mbulonte konfliktin.

SHBA thotë se po dërgon një aeroplanmbajtëse të dytë në rajon "për të penguar veprimet armiqësore kundër Izraelit", aleatit të tij të vjetër e të ngushtë. 

Shtetet e Bashkuara dërgon një tjetër aeroplanmbajtëse në Mesdhe

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një aeroplanmbajtëse të dytë në Mesdhe, “për të penguar veprimet armiqësore kundër Izraelit ose çdo përpjekje për të zgjeruar këtë luftë”, tha mbrëmë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Ai shtoi se prania e USS Eisenhoëer dhe anijeve luftarake të lidhura me të në Mesdheun Lindor, sinjalizon “angazhimin e vendosur të Uashingtonit për sigurinë e Izraelit, dhe vendosmërinë tonë për të penguar çdo aktor shtetëror ose joshtetëror që kërkon të përshkallëzojë këtë luftë”.

Eisenhoëer i bashkohet grupit të USS Ford, i cili mbërriti në fillim të kësaj jave “si pjesë e përpjekjeve tona për të penguar veprimet armiqësore kundër Izraelit ose çdo përpjekje për të zgjeruar këtë luftë pas sulmit të Hamasit”, tha Austin.

Në anën tjetër nga Gaza është bërë e ditur se numri i të vrarëve në atë rajon, ka shkuar në mbi 2.300 persona.

Në total janë vrarë 2.329 palestinezë dhe 9.714 tjerë janë plagosur kanë konfirmuar nga ministria palestineze e Shëndetësisë.

Ndërkaq nga Izraeli kanë konfirmuar se 1.300 persona janë vrarë në qytetet izraelit, ku si pasojë e një sulmi të befasishëm të Hamasit e pësuan edhe shumë fëmijë. 

Numri i të vdekurve në Gaza shkon në 2329

Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka raportuar se numri i të vdekurve në Rripin e Gazës është rritur në 2.329 palestinezë, ndërsa 9714 të tjerë janë plagosur.

Numri i fundit i viktimave pasqyron të vrarët dhe të plagosurit që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor, raporton Sky News.

Irani i dërgon “mesazh privat” Izraelit përmes OKB-së

Jerusalem Post raportoi më herët se Irani i kishte dërguar një mesazh privat Izraelit përmes OKB-së se mund të ndërhynte nëse Izraeli vazhdon fushatën e tij ushtarake në Gaza.

Raporti, i mbuluar fillimisht nga faqja izraelite e lajmeve Walla, tha se Teherani kishte paralajmëruar për “pasoja të gjera” nëse bombardimet e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në Gaza nuk ndaleshin, pasi diplomatët punuan për të parandaluar që lufta Izrael-Hamas të përshkallëzohej në një konflikti rajonal që mund të përfshijë Iranin dhe grupin militant libanez Hezbollah.

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir Abdollahian u takua me koordinatorin special të OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, të shtunën në Bejrut për të diskutuar situatën.

Amirabdollahian më vonë u takua me liderin e Hamasit Ismail Haniyeh në Doha, Katar dhe të dy ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin për të arritur qëllimet e grupit, tha Hamas në një deklaratë.

Blinken do të takohet sot me Princin e Kurorës Saudite Mohammed bin Salman

Nga: A.Sh

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të ketë një takim sot në Riad me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman, ka thënë një zyrtar, përcjell Bota sot.

Takimi vjen një ditë pasi Blinken u takua me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite Faisal bin Farhan në Riad dhe të dy kërkuan që Izraeli të mbrojë civilët në Gaza.

"Ndërsa Izraeli ndjek të drejtën e tij legjitime për të mbrojtur popullin e tij dhe për t'u siguruar që kjo të mos ndodhë më kurrë, është me rëndësi jetike që të gjithë ne të kujdesemi për civilët dhe ne po punojmë së bashku për ta bërë pikërisht këtë," tha Blinken.

A është njeriu i duhur Erdogan për ndaljen e luftës mes Izraelit dhe Hamasit?

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka luajtur rolin e ndërmjetësit në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, por përpjekjet e tij nuk kanë sjellë lëvizje pozitive drejt arritjes së paqes.

Dhe tani, ndërsa vendet në mbarë botën po përpiqen të ndalojnë përhapjen e konfliktit Izrael-Hamas, presidenti turk ka bërë që zëri i tij të dëgjohet.

Këtë javë, ai diskutoi zhvillimet e fundit në konfliktin izraelito-palestinez me liderët e Izraelit, Palestinës, Libanit, Katarit dhe Egjiptit.

I pari i shtetit turk gjithashtu tha në një takim me kabinetin qeveritar se Turqia ishte e gatshme të vepronte si ndërmjetëse për t’i dhënë fund konfliktit, raporton skynews.

Por a është lideri turk personi më i mirë për të ndërmjetësuar?

Një zyrtar turk, i cili dëshiron të mbetet anonim, ka dhënë opinionin për këtë, duke i thënë Politico-s se Izraeli “po distancohet aktualisht nga një kompromis i mundshëm”.

Ata thanë gjithashtu se “çdo rol ndërmjetësues në këtë pikë është një mision i pamundur”.

Ndërkohë, Selin Nasi, anëtar i Shkollës Ekonomike të Londrës, tha se një çështje tjetër këtu është fakti se Turqia nuk e konsideron Hamasin një organizatë terroriste.

“Nën qeverinë e AKP-së, politika e Ankarasë rreth çështjes palestineze është më e afërt me Hamasin – ose ka favorizuar relativisht Hamasin ndaj Fatahut – në dy dekadat e fundit, gjë që shkaktoi kritika jo vetëm nga Izraeli, por edhe nga SHBA”, tha ajo.

Derisa AKP erdhi në pushtet në vitin 2002, Turqia tradicionalisht kishte marrëdhënie të ngushta politike dhe ushtarake me Izraelin. Por, lidhjet e dyja vendeve u ndërprenë në vitin 2010 pasi ushtarët izraelitë bastisën Mavi Marmara, anija turke që kërkonte të thyente bllokadën e Gazës, duke vrarë dhjetë aktivistë turq.

Më pas, Erdogan u kthye kundër Izraelit, duke e quajtur atë një shtet vrasës. Kauza palestineze është e dashur për ideologjinë islamike të Erdoganit.

Por, në vitet e fundit, Turqia është përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet me fqinjën e saj – duke përfshirë edhe Izraelin – një shtytje që u shpërblye me takimin Erdogan-Netanyahu në New York.

Sugjerimi këtu është se Izraeli mund të mos e shohë Turqinë si një aleat të besueshëm.

Analisti politik Soli Ozel, i cili punon në Universitetin Kadir Has në Stamboll, tha gjithashtu se ndërsa të dyja vendet ishin aleatë të Azerbajxhanit në mosmarrëveshjen me Armeninë, Erdogan ka shumë të ngjarë të mbante një qëndrim më të ashpër me Izraelin.

Ai tha gjithashtu se Hamasi do t’i shoh “më shumë me sy pozitiv sinjalet që vijnë nga Teherani sesa nga Turqia”.

Duhet theksuar se Irani po akuzohet gjerësisht se ka ndihmuar në orkestrimin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.

Edhe pse Irani ka mohuar përfshirjen e drejtpërdrejtë, lideri suprem i vendit Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se “puth duart e atyre që planifikuan sulmin ndaj regjimit sionist”.

Garda Revolucionare iraniane (IRG) ka mbështetur prej kohësh Hamasin me ndihma financiare dhe ushtarake. 

Pamjet/ Karvani i ndihmave mbetet i bllokuar në kufirin Egjipt-Gaza

Nga: A.Sh

Në Egjipt, një autokolonë ndihmash po pret me orë të tëra për të hyrë në Gaza përmes kalimit Rafah, përcjell Bota sot.

Fotot tregojnë një radhë të gjatë kamionësh që transportonin furnizime nga Egjipti dhe Turqia duke pritur në qytetin e Arishit, pranë vendkalimit.

Ditët e fundit postblloku është mbyllur për shkak të bombardimeve ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës, i cili thuhet se ka dëmtuar anën palestineze të kalimit.

Kjo i ka penguar njerëzit të largohen apo të hyjnë në Gaza përmes postbllokut. Kjo do të thotë gjithashtu se ndihma është mbajtur në kufi dhe agjencitë e ndihmës u kanë kërkuar autoriteteve që të lejojnë autokolonat e tyre të kalojnë.

Hamasi, Izraeli dhe Egjipti ushtrojnë të gjithë një shkallë kontrolli mbi atë se kush dhe çfarë mund të kalojë nëpër pikën e kontrollit, që do të thotë se shpesh mbyllet dhe përpunimi mund të jetë i ngadalshëm.

Disa qeveri të huaja, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, u kanë kërkuar qytetarëve të tyre në Gaza që të afrohen më pranë vendkalimit Rafah në mënyrë që të mund të largohen kur kalimi të rihapet. Ata kanë paralajmëruar se çdo rihapje do të zgjasë vetëm për një kohë shumë të kufizuar.

Image

Të shtunën, zyrtarët amerikanë thanë se kishin punuar që qindra palestinezo-amerikanë të largoheshin përmes Rafahut, megjithëse mbetet e paqartë nëse ia dolën.

Gaza po shtyhet në një humnerë, thotë agjencia e ndihmës e OKB-së

Nga: A.Sh

Nuk është e qartë në këtë fazë se sa njerëz po lëvizin nga veriu i Rripit të Gazës në jug, por sipas agjencisë së ndihmave të OKB-së, e cila vepron brenda territorit, është "një eksod", përcjell Bota sot.

Më herët, drejtoresha e komunikimit e UNRWA-s, Juliette Touma, i tha BBC-së: "Kjo është më e keqja që kemi parë ndonjëherë, kjo po godet fundin. Kjo është Gaza që po shtyhet në një humnerë, ka tragjedi që po shpaloset ndërsa bota po e shikon. Kjo është Gaza”.

Ajo shtoi: “Sipas kolegëve në terren ka një eksod, njerëzit po ikin, ata që munden me makinat e tyre disa ecin, disa po mbajnë dyshekë.

"Njerëzit janë të tmerruar," tha ajo. "Të tmerruar."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat