LIVE: Ky person merr përgjegjësinë për sulmin e Hamasit në Izrael – Nis alarmi, Blinken dhe Netanyahu strehohen në bunker

Azia

LIVE: Ky person merr përgjegjësinë për sulmin e Hamasit në Izrael – Nis alarmi, Blinken dhe Netanyahu strehohen në bunker

Nga: BOTA SOT Më: 16 tetor 2023 Në ora: 06:15 Përditësuar në ora: 20:00 më 16.10.2023
Kreu i inteligjencës izraelite, Shin Bet

Blinken dhe Netanyahu strehohen në bunker

Nga: A.Sh

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u detyruan të strehoheshin në një bunker kur sirenat ajrore ndërprenë takimin e tyre në Tel Aviv.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka konfirmuar se masa e urgjencës zgjati për pesë minuta - dhe ata ishin në gjendje të rifillonin bisedimet e tyre më pas.

Një gazetar i Washington Post duke pritur jashtë ndërtesës postoi këtë pamje në mediat sociale:

 

Shefi i sigurisë së Izraelit merr përgjegjësinë për sulmet terroriste të Hamasit

Zyrtari më i lartë i sigurisë së brendshme të Izraelit mori përgjegjësinë të hënën për sulmet e Hamasit që vranë më shumë se 1.400 njerëz, sipas stacionit të Radios së Ushtrisë së vendit.

Në komentet e tij të para që nga sulmet e 7 tetorit, shefi i Shin Bet, Ronan Bar shkroi në një deklaratë: “Pavarësisht një sërë veprimesh që kryem, ne nuk ishim në gjendje të krijonim një paralajmërim të mjaftueshëm që do të mundësonte pengimin e sulmit”.

“Përgjegjësia është mbi mua”, tha Bar.

Shin Bet është agjencia e sigurisë së brendshme e Izraelit, e ngarkuar me luftën kundër terrorizmit, raporton CNN.

Në fjalët para Knesset të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu premtoi se dështimet e sigurisë dhe të inteligjencës që çuan në sulmet e Hamasit do të hetohen nga qeveria. 

Derisa po ndihmonin civilët që të evakuohen pas sulmeve ajrore izraelite, punonjësit e ekipit të shpëtimit goditen nga një bombë

Ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore në afërsi të qytetit Jabalia në veri të Gazës, ku si pasojë punonjësit e ekipeve emergjente që po evakuonin banorët e atjeshëm goditen nga një bombë.

Pamjet e publikuara më poshtë shfaqin shpërthimin e fuqishëm – ku goditen punonjësit e ekipeve të shpëtimit, që kishin shkuar për të ndihmuar civilët që po largoheshin nga ofensiva izraelite.

Ekipet e shpëtimit po asiston civilët që ishin lënduar nga një sulm i mëhershëm ajror i ushtrisë izraelite, që kishte goditur po të njëjtin vend.

Në anën tjetër konflikti i fundit izraelito-palestinez po konsiderohet si më i përgjakshmi në dekada.

Pas sulmit të 7 tetorit të kryer nga militantët e Hamasit mbi qytetet izraelite, ushtria e Izraelit ka filluar ofensivën hakmarrëse duke kryer sulme ajrore mbi pozicionet që pretendohet se janë të Hamasit në qytetin e Gazës. 

Hamasi lëshon 'breshëri raketash' në Jerusalem dhe Tel Aviv

Nga: A.Sh

"Një breshëri raketash" është lëshuar drejt Jerusalemit dhe Tel Avivit nga krahu i armatosur i Hamasit, përcjell Bota sot.

Brigadat Al Qassam thanë se sulmi ishte në përgjigje të "shënjestrim të civilëve nga Izraeli".

Korrespondenti i Sky për Lindjen e Mesme, Alistair Bunkall, ndau këtë video të kapjes së raketave mbi kryeqytet:

 

Hamasi: Në rast të një pushtimi tokësor të Gazës, grupet aleate do të ndërhyjnë

Ahmed Abdul-Hadi, përfaqësuesi i Hamasit në Liban, këmbënguli të hënën se vendimi për të nisur sulmin e befasishëm të 7 tetorit në Izraelin jugor ishte marrë nga udhëheqja e Hamasit dhe jo e drejtuar nga Irani apo ndonjë palë tjetër e jashtme, por ai tha se në rast të një pushtimi tokësor të Gazës, grupet aleate do të ndërhyjnë, raporton Associated Press.

Lufta në Gaza është “një betejë palestineze dhe vendimi për të hyrë në të ishte një vendim palestinez” i marrë nga Hamasi dhe krahu i tij ushtarak, Brigadat Izz ad-Din al Qassam, “së bashku me fraksionet e rezistencës palestineze”, tha ai në një intervistë me AP përpara një konference të thirrur nga grupi në Bejrut.

Zyrtarët e Hamasit kanë mohuar se Irani ishte i përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin e sulmit vdekjeprurës ose se ia kanë dhënë dritën jeshile, dhe deri më sot asnjë qeveri në mbarë botën nuk ka ofruar prova të drejtpërdrejta se Irani e ka orkestruar sulmin. Megjithatë, shumë kanë vënë në dukje sponsorizimin e gjatë të Iranit ndaj Hamasit që ka përfshirë trajnimin, financimin dhe furnizimin e tij me armë.

Abdul-Hadi tha se aleatët e Hamasit, Irani dhe Hezbollahu nuk do të lejojnë Izraelin “të shtypë Gazën” ose të nisë një “sulm gjithëpërfshirës tokësor”, por se grupet kanë lënë qëllimisht paqartësi se kur dhe si do të përgjigjen. “Kjo varet nga zhvillimet në situatën në atë kohë”.

Në rast të një “sulmi tokësor, pavarësisht nga niveli i tij”, ose nëse “vazhdojnë të kryhen gjithnjë e më shumë masakra” në Gaza dhe Hamasi po përdor burimet e tij, tha ai, do të ketë “surpriza të paralajmëruara”.

Mund të ketë mijëra të vdekur nëse ndihmat humanitare nuk kalojnë në Gaza – paralajmëron zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Ekziston një “nevojë urgjente” për një pauzë në armiqësitë për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, sipas Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Ka pasur përpjekje shumë të mëdha diplomatike për ta bërë këtë. Sekretari i Përgjithshëm është vazhdimisht në lidhje me të gjitha palët që janë të përfshira, dhe shumë shtete të tjera anëtare po bëjnë gjithashtu atë që munden. Ne kemi nevojë për sigurinë që dërgesat të jenë në gjendje të dërgohen”, tha zëdhënësja e UNHRO, Ravina Shamdasani për CNN të hënën.

Ndryshe, Gaza po përballet me një krizë kritike humanitare, me mungesë të ujit, energjisë elektrike, ushqimit, karburantit dhe ilaçeve.

“Ne kemi parë spitale që janë detyruar të evakuohen. Mjekët këmbëngulin se ata do të qëndrojnë me pacientët që janë në pavijonet e Njësive Intensive dhe njësitë neonatale, ku kishe të pamundur zgjedhjen nëse do të braktisje pacientët apo të qëndrosh me ta dhe të rrezikosh jetën”.

“Qasja në ujë, qasja në ushqim, evakuimi i detyruar i qindra mijëra njerëzve në Gazën jugore ka krijuar një situatë shumë, shumë të vështirë humanitare edhe në Gazën jugore”, tha Shamdasani.

Ajo tha se ka një sasi të konsiderueshme ndihme që presin në kufi për të hyrë.

“Mund të kemi mijëra të vdekur nëse kjo ndihmë nuk kalon”.

Kalimi i Rafahut midis Gazës dhe Egjiptit është i vetmi vendkalim i mbetur për furnizime, por ai ka qenë i mbyllur gjatë pjesës më të madhe të javës së kaluar, ku as banorë të Gazës dhe as shtetas të huaj nuk mund të kalonin.

Spitalet e stërmbushura në Gazë buzë kolapsit

Palestinezët në Gazën e rrethuar janë grumbulluar të hënën në spitale dhe shkolla, duke kërkuar strehim, teksa furnizimet me ujë dhe ushqim janë pakësuar. Mbi një milion persona janë larguar nga shtëpitë e tyre para një pushtimi të pritur tokësor nga izraelitët, pasi militantët e Hamasit kryen një sulm të koordinuar tokësor, ajror dhe detar, në jug të Izraelit.

Shumica e infrastrukturës ushtarake të Hamasit është e fshehur në zonat urbane, ku luftimet në rrugë me gjasë do të shkaktonin shumë viktima në të dyja palët. Izraeli nuk ka dhënë ndonjë afat se kur mund të nisë një inkursion tokësor.

Furnizimet me ujë, ushqim dhe ilaçe janë duke u pakësuar. Spitalet kanë thënë se janë në prag të kolapsit dhe nuk janë në gjendje të plotësojnë kërkesën e Izraelit që të evakuojnë pacientët. Mbi një javë pas sulmeve shkatërruese të Izraelit dhe shkatërrimin e lagjeve të tëra, Izraeli nuk ka arritur të ndalë sulmet me raketa nga militantët.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 2.670 palestinezë janë vrarë dhe 9.600 janë plagosur që kur kanë nisur luftimet. Kjo shifër e viktimave është shumë e lartë sesa lufta në Gazë më 2014, që zgjati mbi gjashtë javë.

Kjo është lufta më vdekjeprurëse që Izraeli dhe Hamasi kanë zhvilluar.

Mbi 1.400 izraelitë janë vrarë – shumica civilë – dhe shumica e viktimave u shkaktuan nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit. Të paktën 155 të tjerë, përfshirë fëmijë, janë kapur nga Hamasi dhe janë dërguar në Gazë, sipas Izraelit.

Izraeli ka urdhëruar mbi 1 milion palestinezë – pothuajse gjysma e popullsisë së territorit – të evakuohen në jug të Gazës. Ushtria ka thënë se po tenton të largojë civilët para një fushate të madhe kundër Hamasit në veri, ku ka thënë se militantët kanë rrjete të gjera tunelesh dhe kanë raketahedhës.

Hamasi u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Për të tretën ditë me radhë, ushtria izraelite ka njoftuar për një korridor të sigurt që mund të përdorin banorët që të evakuohen nga veriu në jug nga ora 08:00 deri në mesditë. Izraeli ka thënë deri më tani mbi 600.000 persona janë evakuuar nga zona e Qytetit të Gazës.

Spitalet në Gazë pritet të mbesin pa karburante për gjeneratorë në 24 orët e ardhshme, duke vënë në rrezik jetën e mijëra pacientëve, sipas Kombeve të Bashkuara. Kjo pasi, termocentrali i vetëm në Gazë është mbyllur për shkak të mungesës së karburanteve, pasi Izraeli rrethoi plotësisht Gazën, pas sulmit të Hamasit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se spitalet “janë stërmbushur” përderisa njerëzit po tentojnë të gjejnë strehim.

“Ne jemi të shqetësuar për shpërthimin e sëmundjeve për shkak të zhvendosjes masive dhe për shkak të ujit me cilësi të dobët dhe kushteve sanitare”, tha OBSH.

Katër spitale në veri të Gazës janë mbyllur dhe 21 të tjera kanë pranuar urdhra nga Izraeli për t’u evakuuar. Mjekët kanë refuzuar këto urdhra, duke argumentuar se një evakuim i tillë do të nënkuptonte vdekjen e pacientëve që janë në gjendje kritike dhe të foshnjave të porsalindura që trajtohen me ventilatorë.

Vendimi i Izraelit për të ndalur furnizimet me ujë, por edhe sulmet ndaj pompave të karburanteve, kanë shkaktuar mungesë të theksuar të furnizimeve, duke bërë që 3.500 pacientë në 35 spitalet në mbarë Rripin e Gazës.

“Uji është i nevojshëm që të krijohen kushtet sanitare për pacientët të shtrirë në reparte, për dhomat e operimit dhe për departamentet e emergjencës. Është i nevojshëm për parandalimin e përhapjes së infeksioneve në spitale”, tha OBSH.

Kjo agjenci e OKB-së për shëndetësi tha se aktualisht në pikëkalimin kufitar mes Egjiptit dhe Gazës, në Rafah, gjendet një dërgesë me ndihmë mjekësore për 300.000 pacientë.

Afër 500.000 persona, pothuajse çereku i popullsisë së Gazës, janë strehuar në shkollat që udhëhiqen nga OKB-ja dhe në ndërtesa të tjera në mbarë territorin, ka bërë të ditur kjo organizatë.

Izraeli ka thënë se nuk do të heqë dorë nga vendimi për rrethimin e Gazës, derisa militantët e Hamasit të lirojnë të gjitha pengjet./REL

Izraeli thotë se afër 200 pengje po mbahen në Gazë

Ushtria izraelite tha se Hamasi dhe militantët e tjerë palestinezë janë duke mbajtur 199 pengje në Gazë.

Ky është numër më i lartë i pengjeve sesa vlerësimet paraprake.

Admirali Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha të hënë se familjarët e pengjeve janë njoftuar.

Ai nuk specifikoi se sa shtetas të huaj gjenden në Gazë në mesin e pengjeve, apo se kush po i mban ata.

Shumica besohet se po mbahen pengje nga grupi militant i Hamasit. Ky grup kontrollon Gazën që nga viti 2007.

Pengjet janë kapur gjatë sulmeve masive të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Ky grup kreu sulme ajrore, tokësore dhe detare në jug të Izraelit.

Izraeli u kundërpërgjigj ashpër, duke bombarduar Rripin e Gazës.

Si pasojë e dhunës, në Izrael janë vrarë mbi 1.400 izraelitë, ndërkaq në Rripin e Gazës janë raportuar 2.670 palestinezë të vrarë.

Izraeli ka urdhëruar mbi 1 milion palestinezë të evakuohen në jug të Gazës. Ky shtet ka thënë se po tenton të largojë civilët para se të ndërmarrë një fushatë të madhe kundër Hamasit në veri të Rripit të Gazës./REL

Udhëtimet drejt Izraelit dhe territoreve palestineze me risk

Ministria e Jashtme jep paralajmërim për qytetarët që të kenë kujdes me udhëtimet drejt Izraelit dhe territoreve pakestineze.

Për Rripin e Gazës prej kohësh në Gjermani ka paralajmërim për udhëtimet drejt Rripit të Gazës, ndërsa aktualisht u shtua në këtë listë edhe Izraeli dhe territoret palestineze. Të dielën (15.10.2023) Ministria e Jashtme u dha njoftimin me paralajmërim qytetarëve që të kenë kujdes dhe mundësisht të evitojnë udhëtimet drejt Izraelit, territoreve palestineze dhe Libanit. "Izraeli mbetet si objektivi i shpallur i grupeve terroriste", thuhet në argumentim. Po ashtu ka shqetësim lidhur me pasojat e një ofensive të shpejtë në tokë të shpallur nga Izraeli.

Rivlerësimi i gjendjes u bë një javë pas sulmeve të Hamasit, të shpallur nga SHBA, BE, Gjermania dhe të tjera vende si organizatë tërroriste. Hamasi militant islamik të shtunën e kaluar (7.10.2023) nisi një sulm masiv terrorist ndaj Izraelitduke shkaktuar një nga masakrat më të përgjakshme që nga themelimi i shtetit të Izraelit më 1948. Që nga ajo kohë ka pasur vazhdimisht sulme.

Sipas të dhënave të autoriteteve nga pala izraelite janë vrarë mbi 1300 vetë dhe rreth 150 persona mbahen peng nga terroristët. Si pasojë IDF shënjestroi Rripin e Gazës të dominuar nga Hamasi, sipas të dhënave të autoriteteve të Hamasit janë vrarë mbi 2200 palestinezë.

Ushtria gjermane, Bundeswehr, ka nisur të transportojë shtetasit gjermane nga Izraeli për në Gjermani. Për këtë janë vënë në dispozicion avionë ushtarak transporti të tipit A400M, konfirmoi aviacioni ushtarak. Këta avionë kanë çuar "material" në Tel Aviv dhe gjatë kthimit do të marrin shtetasit gjermanë që duan të kthehen në atdhe. Deri tani janë kryer tre fluturime dhe janë evakuuar rreth 160 shtetas gjermanë. Avionët të dielën (15.10.2023) u ulën sërish në Wunstorf të Saksonisë së Ulët.

Shoqëria ajrore gjermane, Lufthansa evakuoi rreth 2800 shtetas gjermanë dhe më pas pati bërë me dije, se për arsye sigurie nuk do të ofrojë më fluturime të posaçme për në Izrael. Në grupin Lufthansa bëjnë pjesë edhe Swiss, Austrian dhe Brussels Airlines. Këto shoqëri i kanë mbështetur vendet e tyre secili me nga 15 fluturime të posaçme për dhe nga Izraeli./DW

Ushtria izraelite urdhëron evakuim afër kufirit me Libanin

Ushtria izraelite ka urdhëruar banorët që jetojnë në 28 komunitetet afër kufirit me Libanin që të evakuohen.

Urdhri i 16 tetorit vjen në kohën e rritjes së shkëmbimit të zjarrit në kufi midis Izraelit dhe milicisë shiite të Hezbollahut të Libanit.

Urdhri për evakuim prek komunitetet që janë 2 kilometra nga kufiri.

Grupi Hezbollah ka thënë se sulmet e shtuara janë paralajmërim dhe nuk nënkuptojnë që Hezbollahu ka vendosur që të hyjë në luftë me Izraelin.

Ky urdhër vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan për zgjerimin e mundshëm të konfliktit midis Izraelit dhe grupit militant palestinez të Hamasit.

Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, deklaroi se ende ekziston rreziku që grupi militant Hezbollah ose Irani të përfshihen direkt në luftën e Izraelit me Hamasin.

Izraeli më herët ka deklaruar se mund të luftojë në dy fronte në rast të ndonjë sulmi të Hezbollahut.

Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi militant nisi sulme të koordinuara nga toka, ajri dhe deti. Izraeli u kundërpërgjigj ashpër, duke bombarduar Rripin e Gazës.

Në këtë territor, ku jetojnë mbi 2 milionë palestinezë, autoritetet izraelite kanë paralajmëruar banorët që të evakuohen në jug të Gazës, mes paralajmërimeve për një sulm të mundshëm tokësor në Gazë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat