Përpjekje për të shmangur zgjerimin e konfliktit, sekretari Blinken rikthehet në Izrael

Azia

Përpjekje për të shmangur zgjerimin e konfliktit, sekretari Blinken rikthehet në Izrael

Më: 16 tetor 2023 Në ora: 16:05
Antony Blinken

Shtetet e Bashkuara thonë se presin rihapjen e një pikë kalimi kufitar mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare, por nuk dihet ende se kur do të ndodhë kjo.

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, u rikthye sot në Izrael, në kuadër të përpjekjeve për të shmangur zgjerimin e konfliktit në rajon.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken po qëndron sërish në Izrael, për herë të dytë brenda 4 ditësh, pas një turi takimesh me udhëheqësit arabë të rajonit në përpjekje për të parandaluar shndërrimin e luftës në një konflikt më të gjerë në rajon.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara po bashkëpunonin me Egjiptin, Izraelin dhe Kombet e Bashkuara për t’u siguruar që ndihmat të mbërrijnë në Gazë, në mbështetje të atyre që kanë nevojë, raporton VOA.

“Gjatë ditëve te fundit kam udhëtuar në Izrael, Jordani, Bahren, Katar, Emiratet e Bashkuara Arave dhe Egjipt. Secili prej këtyre partnerëvë ndan të njëjtën pikëpamje për të parandaluar zgjerimin e konfliktit, ruajtjen e jetëve të pafajshme dhe për t’u ofruar ndihmë atyre që kanë nevojë në Gazë”, shkroi zoti Blinken përmes një postimi në rrjetin social “X”.

Blinken u takua këtë të hënë me Presidentin e Izraelit Isaac Herzog. Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Mathew Miller, Sekretari Blinken i rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar Izraelit ndihmën e nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve të saj.

Një ditë më parë, duke folur në Kajro, pas takimit me presidentin e Egjipitit, Sekretari Blinken tha se është me shumë rëndësi mënyra se si Izraeli ushtron të drejtën për t’u mbrojtur.

“Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për t’u mbrojtur ndaj sulmeve të Hamasit dhe të sigurohet, që kjo të mos ndodhë më kurrë. Por siç e thashë në Tel Aviv dhe siç e ka thëne edhe Presidenti Biden, mënyra se si Izraeli e bën këtë ka shumë rëndësi. Duhet të jetë një mënyrë që përputhet me parimet tona të përbashkëta për jetën dhe dinjitetin njerëzor dhe duke marrë të gjitha masat paraprake për të shmangur lëndimin e civilëve”, tha zoti Blinken.

Ndërsa më shumë se 1 milionë palestinezë mund të largohen për shkak të rrezikut nga konfliktit, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar thirrjet për mbrojtjen e të pafajshmëve.

“Ne jemi në komunikim me parterët izraelitë. Jemi në kontakt me Kombet e Bashkuara për të ndihmuar në furnizimin me ushqim, ujë dhe mjekime për qytetarët në Gaza, për ata palestinezë që nuk kanë lidhje me terroristët barbarë që kryen sulmet”, tha për rrjetin “ABC”, Jake Sullivan, Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare.

Sulmet e ndërsjella vazhduan edhe gjatë fundjavës në kufirin e Izraelit me Libanin, ku vepron grupi militant Hezbollah, që mbështetet ng Irani.

Sentaroti republikan Lindsey Graham, që pritet të vizitojë rajonin në ditët në vazhdim se bashku me një grup senatorësh demokratë dhe republikanë, lëshoi një paralajmërim ndaj Teheranit dhe aleatëve të tij, që synojnë të luajnë një rol më aktiv në konflikt.

“Nëse Hezbollahu, që bën lojën e Iranit, kryen sulme masive ndaj Izraelit, do ta konsideroja si kërcënim ekzistencial për Shtetin e Izraelit. Do të paraqisja një rezolutë në Senat për të autorizuar veprime ushtarake nga Shtetet e Bashkuara në të njëjtën kohë me Izraelin për ta nxjerrë Iranin jashtë nga biznesi i naftës. Iranit i them, nëse e përshkallëzon këtë luftë, aty do të na kesh”.

Si pasojë e sulmeve në zonat kufitare në veri të Izraelit, nga grupi militant i Hezbollahut, që vepron nga Libani, autoritetet izraelite njoftuan evakuimin e banorëvë nga 28 fshtatra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat