Palestinezët raportojnë për granatime të ashpra në jug të Gazës

Azia

Palestinezët raportojnë për granatime të ashpra në jug të Gazës

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 09:52
Sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës.

Palestinezët në Gazë mëngjesin e së martës kanë raportuar për granatime të ashpra në qytetet jugore të Kan Younis dhe Rafah, ku Izraeli ka urdhëruar civilët që të evakuohen.

Bombat izraelite kanë goditur juglindjen e Kan Younisit dhe perëndimin e Rafahut, sipas raporteve lokale.

Mijëra persona që po tentojnë të largohen nga Gaza janë mbledhur në Rafah. Aty gjendet pikëkalimi i vetëm kufitar që lidh këtë territor me Egjiptin.

Ndërmjetësit ndërkombëtarë po bëjnë presion që të arrihet një marrëveshje që ndihma humanitare të arrijë në Gazë dhe që refugjatët dhe shtetasit e huaj të lejohen të largohen për në Egjipt.

Detajet për numrin e viktimave nga granatimet e reja ende nuk janë bërë publike.

Izraeli ka urdhëruar mbi një milion palestinezë që të evakuohen nga veriu për në jug të Gazës, pasi dëshiron që të kryejë një sulm masiv ndaj militantëve palestinezë të Hamasit.

Ushtria izraelite ka thënë se po tenton të largojë civilët për në zona të sigurta para se të nisë një fushatë të madhe kundër Hamasit në veri të Gazës, ku ka thënë se militantët kanë rrjet të zgjeruar të tuneleve dhe të raketahedhësve. Shumica e infrastrukturës ushtarake e Hamasit gjendet në zonat e banuara.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbi 1 milion palestinezë janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe tani gjenden në zonën e evakuimit në jug, të gjatë pothuajse 14 kilometra.

Militantët e Hamasit kryen sulme të koordinuara nga toka, ajri dhe deti më 7 tetor. Sipas të dhënave, të paktën 2.778 persona janë vrarë dhe 9.700 të tjerë janë plagosur në Gazë. Mbi 1.400 izraelitë janë vrarë, shumica e të cilëve civilë që u vranë gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor.

Izraeli është zotuar se do të zhdukë militantët e Hamasit./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat