LIVE: Pas largimit të Biden, dëgjohen sërish sirenat e alarmit në Izrael - Mbrojtja izraelite bën paralajmërimin e fortë!

Azia

LIVE: Pas largimit të Biden, dëgjohen sërish sirenat e alarmit në Izrael - Mbrojtja izraelite bën paralajmërimin e fortë!

Nga: BOTA SOT Më: 18 tetor 2023 Në ora: 08:01 Përditësuar në ora: 20:51 më 18.10.2023
Pamje nga lufta

Mbrojtja izraelite bën paralajmërimin e fortë: Lufta e Izraelit me Hamasin nuk do të jetë e shkurtër

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Herzi Halevi, paralajmëroi të mërkurën për një konflikt të zgjatur me Hamasin.

“Kjo nuk do të jetë e shkurtër dhe edhe nëse do të na duhet të zgjerojmë fushatën në rast se një armik tjetër përfshihet, ne do të dimë se si ta trajtojmë atë,” u tha Halevi ushtarëve gjatë një vizite në bazën ajrore Tel Nof pranë Rehovot.

Halevi shtoi se Izraeli “po vepron sipas ligjit”.

“Ne të gjithë jemi të çmendur, por veprojmë me arsye. Ne po luftojmë me këmbëngulje dhe mbetemi njerëz, ndryshe nga pala tjetër që lufton si kafshë”- shtoi më tej ai.

Joe Biden largohet nga Izraeli, lëshohen sirenat

Nga: A.Sh

Presidenti amerikan Joe Biden ka hipur në aeroplanin e tij presidencial në Izrael pas një vizite fluturuese në Tel Aviv.

Zoti Biden tregoi solidaritet me aleatin e SHBA-së sot, pasi u tha izraelitëve "ju nuk jeni vetëm".

Vizita e tij zgjati më pak se tetë orë në total.

Sirenat e raketave janë dëgjuar në Izraelin qendror - pak minuta pasi Joe Biden u largua.

Ai pati një vizitë të stuhishme ku foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe tha se ai besonte versionin e Izraelit të ngjarjeve rreth shpërthimit të spitalit në Gaza.

Sirenat janë dëgjuar në qytetet qendrore Hod Hasharon, Ganei Am, Yarkona, Adanim dhe Petah Tikva.

Pamjet e shpërndara nga një gazetar izraelit gjithashtu duket se tregojnë raketat e Iron Dome të Izraelit duke përgjuar raketat.

SHBA vlerëson se Izraeli nuk është “përgjegjës” për shpërthimin në spitalin e Gazës

Qeveria amerikane beson se Izraeli “nuk është përgjegjës” për shpërthimin në një spital në Gaza të martën, sipas Këshillit të Sigurisë Kombëtare, raporton CNN transmeton "Bota sot".

Vlerësimi bazohet në analizën e imazheve, përgjimeve dhe informacionit me burim të hapur, tha Adrienne Watson, një zëdhënëse për NSC.

“Ndërsa ne vazhdojmë të mbledhim informacione, vlerësimi ynë aktual, bazuar në analizën e imazheve, përgjimeve dhe informacionit me burim të hapur, është se Izraeli nuk është përgjegjës për shpërthimin në spitalin e Gazës dje”, tha Watson në një deklaratë të mërkurën.

Zyrtarët i thanë CNN veçmas se provat fillestare të mbledhura nga komuniteti i inteligjencës amerikane sugjerojnë se sulmi në spital erdhi nga një raketë e lëshuar nga grupi i Xhihadit Islamik Palestinez.

Midis provave që janë mbledhur është një analizë që sugjëron se shpërthimi ishte tokësor dhe jo një sulm ajror që goditi spitalin, tha një nga burimet.

Nuk kishte asnjë krater të vetëm që sugjeronte se kishte një bombë, por kishte dëme të mëdha zjarri dhe mbeturina të shpërndara që është në përputhje me një shpërthim që fillon nga niveli i tokës, sipas burimit.

Zyrtarët palestinezë kanë fajësuar sulmet ajrore izraelite për incidentin vdekjeprurës, por Izraeli ka këmbëngulur se nuk ishte përgjegjës.

Biden izraelitëve: Mos u rrëmbeni nga inati- Shumica dërrmuese e palestinezëve nuk janë Hamas

Nga: M.L.

Presidenti amerikan Joe Biden në një fjalim në Tel Aviv të mërkurën u ankua për humbjen e jetëve gjatë sulmeve të 7 tetorit në Izrael nga Hamasi, shkruan CNN transmeton “Bota sot”. Por ai gjithashtu paralajmëroi izraelitët që megjithëse mund të ndiejnë zemërim, ata nuk duhet të konsumohen prej tij.

"Unë e paralajmëroj këtë. Ndërsa ju e ndjeni atë inat, mos u konsumoni prej tij. Pas 11 shtatorit, ne u tërbuam në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa kërkuam drejtësi dhe morëm drejtësi, ne gjithashtu bëmë gabime," tha ai.

Vendimet e kohës së luftës nuk janë "kurrë të qarta apo të lehta", tha ai.

"Ka gjithmonë kosto. Por kërkon të jesh i arsyeshëm. Kërkon të bësh pyetje shumë të vështira. Kërkon qartësi rreth objektivave dhe një vlerësim të sinqertë nëse rruga në të cilën po kaloni do t'i arrijë ato objektiva," shtoi ai.

Biden theksoi gjithashtu se "shumica" e palestinezëve nuk janë me Hamasin.

"Shumica dërrmuese e palestinezëve nuk janë Hamas. Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez," tha ai.

"Hamasi përdor të pafajshmit, familjet e pafajshme në Gaza si mburoja njerëzore, duke vendosur qendrat e tyre komanduese, armët dhe tunelet e komunikimit në zonat e banuara. Populli palestinez po vuan gjithashtu shumë," shtoi ai.

Ai gjithashtu vuri në dukje shpërthimin e së martës në spital në qytetin e Gazës, duke thënë: "Ne vajtojmë humbjen e jetëve të pafajshme palestineze si e gjithë bota".

"Shtetet e Bashkuara pa mëdyshje janë për mbrojtjen e jetës civile gjatë konfliktit. Dhe unë pikëlloj, me të vërtetë pikëlloj për familjet që u vranë ose u plagosën nga kjo tragjedi," shtoi ai.

Biden nga Tel Avivi: Nuk do të qëndrojmë pa bërë asgjë

Presidenti amerikan, Joe Biden tha nga Tel Avivi, se ai zotohet të mbështesë me Izraelin, i cili u sulmua më 7 tetor nga Hamasi.

“Hamasi kreu mizori që kujtojnë shkatërrimet më të këqija të ISIS-it, duke lëshuar të keqen në botë,” tha ai.

Presidenti amerikan thotë se sulmi i 7 tetorit nga Hamasi ishte dita më vdekjeprurëse për hebrenjtë që nga Holokausti.

“Bota shikoi atëherë, ajo e dinte por nuk bëri asgjë. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq dhe nuk do të bëjmë asgjë përsëri,” tha Biden.

Presidenti amerikan tha se prioriteti i tij kryesor mbetet lirimi dhe kthimi i sigurt i pengjeve, dhe ai e ka diskutuar këtë çështje me zyrtarët izraelitë.

Biden tha se SHBA-ja “do ta mbajë të furnizuar plotësisht Kupolën e Hekurt” dhe ka zhvendosur asetet në rajon. 

“Nuk mund t’i lejojmë terroristët të fitojnë”, Biden nga Izraeli: Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez, po dërgojmë ndihma në Gaza

Presidenti amerikan, Joe Biden në një konferencë nga Izraeli theksoi se Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez. Ai theksoi se SHBA-të po bashkëpunojnë me Egjiptin dhe qeveritë e tjera të rajonit për të bërë të mundur kalimin e ndihmave humanitare për më shumë se 1 milionë civilët e zhvendosur në Gaza.

“Jam presidenti i parë që vizitoj Izraelin në kohë lufte. E di që zgjedhjet nuk janë të lehta për një lidership por gjithmonë ka kosto. Kërkon qartësi dhe një vlerësim të ndershëm nëse rruga me të cilën po ecën është objektive. Kështu që shumica e palestinezëve nuk janë Hamas. Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez, ai targeton dhe i përdor familjet e pafajshme në Gaza si shënjestër njerëzore. Njerëzit po vuajnë shumë por edhe ka humbje të jetëve. Humbja e paprecedentë e jetëve dje në spitalin e Gazas, e shkaktuar nga hedhja e një rakete nga grupi terrorist në Gaza.

Qëndrojmë për mbrojtjen e jetëve të civilëve. Gaza ka nevojë për ujë, pajisje mjekësore dhe strehim. Për dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza, ndihma të shkojë tek civilët dhe jo tek Hamasi. Izraeli ka rënë dakord që ndihma humanitare të shkojë nga Egjipti në Gaza por kur të qartësohet se do të demonstrojë edhe njëherë që nuk do të ketë, është edhe një çështje praktike, që të mos pengohet komuniteti ndërkombëtar për të dhënë ndihmën. Po punojmë nga afër me qeverinë e Egjiptit dhe partnerë të tjerë në rajon që të kalojmë ndihma përmes kufirit sa më shpejt të jetë e mundur.”, theksoi ai.

Më tej ai shtoi se nuk duhet t’i lejojnë terroristët që të fitojnë.

“I kam kërkuar Izraelit që Komiteti i Kryqit të Kuq të ketë mundësi që të vizitojë dhe kam kërkuar që SHBA mbështesin plotësisht 100 milionë dollarë ndihmë humanitare dhe për Gazën dhe Bregun Perëndimor, që të ndihmojnë më shumë se 1 milionë të zhvendosur palestinezë. Ju jeni shteti hebre, jeni demokraci ashtu si SHBA që luftojnë terroristët. Ju jetoni me sundimin e ligjit dhe besojmë në dinjitetin e çdo jete njerëzore. Nuk mund të hiqni dorë nga ajo që jeni dhe që terroristët të fitojnë. S’mund t’i lejojmë ata që të fitojnë.”, u shpreh Biden.

Biden shpjegon pse bëri komentin e 'skuadrës tjetër' për shpërthimin në spital

Nga: A.Sh

Ne raportuam më herët se Joe Biden i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se shpërthimi në spitalin e Gazës "duket sikur të ishte bërë nga ekipi tjetër".

Presidenti amerikan ka thënë tani se ky koment është bazuar në të dhënat e treguara atij nga departamenti i mbrojtjes amerikane.

Zoti Biden ka thënë se është "thellësisht i pikëlluar dhe i zemëruar nga shpërthimi".

Të shtëna në postën ushtarake izraelite përgjatë kufirit me Libanin

Nga: A.Sh

Ushtria izraelite ka thënë se është duke iu kundërpërgjigjur të shtënave në postet e saj ushtarake përgjatë kufirit me Libanin.

Postimet që sulmohen janë në zonën e Zar'it, tha ai.

Përleshje të përsëritura janë raportuar në kufirin Izrael-Liban, zakonisht brenda një rrezeje prej 2.5 miljesh përgjatë vijës së demarkacionit.

Frika është rritur se përplasjet midis dy palëve mund të çojnë në një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Grupi i armatosur i mbështetur nga Irani, Hezbollah, është dominues në Libanin jugor dhe është kundërshtar i Izraelit.

Izraeli publikon audio-incizimin: Kjo është biseda e terroristëve në sulmin mbi spitalin e Gazës

Zëdhënësi i forcave të armatosura të Izraelit ndryshe të njohur si IDF-ja, admirali Daniel Hagari, ka akuzuar Hamasit se ka filluar “një fushatë globale medial për të fshehur atë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur”.

Ai pretendon se janë “fryrë” numrat e viktimave nga sulmi në spitalin e Gazës dhe se “analiza e pamjeve nga ajri konfirmon se nuk ka patur goditje direkte të spitalit, por se dëmi u shkaktua në parking”, transmeton Telegrafi.

Ai madje ka publikuar një audio-incizim me të cilin thotë se mbështet pretendimet e tij. Hagari akoma këmbëngulë se Hamasi e ka kuptuar se shpërthimi është shkaktuar gabimisht nga një raketë e shkrepur nga Xhihadi Islamik, por se “tani kanë filluar një fushatë globale mediale”, për ta akuzuar Izraelin.

Në audio-incizim flitet për mos-suksesin e shkrepjes së tri raketa nga varrezat prapa spitalit, kurse IDF-ja ka arritur të interceptojë dhe regjistroj bisedën mes militantëve që flisnin për mos-suksesin e shkrepjes së raketave.

Më poshtë ju sjellim transkriptin e plotë të bisedës, sipas izraelitëve:

Militanti 1: Po ju them që kjo është hera e parë që po e shoh një raketë duke rënë në këtë mënyrë dhe për këtë po them se i përket xhihadit islamik palestinez.

Militanti 2: Pse?

Militanti 1: Thonë se i përket xhihadit islamik palestinez.

Militanti 2: Kjo është nga ne?

Militanti 1: Ashtu duket!

Militanti 2: Kush po e thotë?

Militanti 1: Thonë se copëzat e raketës janë copëza të raketës lokale, e jo ato sikurse të izraelitëve.

Militanti 2: Çfarë po flet?

Militanti 2: Por Zoti e ka bekuar, nuk ka mundur të gjej tjetër vend të shpërthejë?

Militanti 1: Nuk ka lidhje, po, kanë shtënë nga varrezat prapa spitalit.

Militanti 2: Pse?!

Militanti 1: E kanë shkrepur nga varrezat prapa spitalit al Ma’amadani dhe humbi drejtimin dhe ra mbi ta.

Militanti 2: Pas spitalit janë varrezat?

Militanti 1: Po, al Ma’amadani gjendet pikërisht aty.

Militanti 2: Ku gjenden saktësisht kur të futeni në kompleks?

Militanti 1: Fillimisht futeni në kompleks dhe nuk shkoni në drejtim të qytetit dhe në anën e djathtë gjendet spitali al Ma’amadani.

Militanti 2: Po, e di.

 

Izraeli publikon pamje nga droni: Ky detaj dëshmon se nuk qëndrojmë prapa sulmit në spital

Ushtria izraelite ka publikuar pamje nga droni që, sipas saj, dëshmojnë se shpërthimi vdekjeprurës në spitalin “Al-Alhi” në Rripin e Gazës nuk është shkaktuar nga armatimi i saj, për të cilin tha se do të shkaktonte një gropë e jo një parking të përfshirë nga zjarri e kulme të ndërtesave që kishin vrima nga copëzat e predhës.

Në videon e publikuar nga ushtria izraelite shihen fotografi të parkingut të spitalit, ku ndodhi shpërthimi dhe ku u vranë qindra njerëz, sipas një zyrtari shëndetësor të Hamasit, raporton gazeta “The Times of Israel”.Fotografitë tregojnë se një zjarr i madh ishte shkaktuar në atë zonë si rezultat i shpërthimit, por aty nuk kishte gropë. Sulmet izraelite në përgjithësi shkaktojnë gropa të mëdha në tokë, tha ushtria izraelite.

Në pamjet e incizuara me dron theksohen edhe copëzat e predhave që kishin rënë në kulmet e ndërtesave përreth vendit të shpërthimit e të cilat kishin mbetur kryesisht të paprekura.

Izraeli i ka mohuar akuzat se njëri nga sulmet e tij ajrore e ka shkaktuar shpërthimin në spital, duke pretenduar se zjarri është shkaktuar nga një raketë e dështuar e grupit Xhihadi Islamik.

Edhe pamje të tjera, përfshirë transmetimin e drejtpërdrejtë të televizionit “Al Jazeera”, duket se e mbështetin më tej pretendimin e Izraelit se shpërthimi është shkaktuar nga një raketë e dështuar nga Gaza, sipas gazetës izraelite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat