LIVE: “Nxehen gjakrat”, rreshtohen tanket dhe ushtria në kufi me Gazën – ja lëvizja urgjente nga Izraeli

Azia

LIVE: “Nxehen gjakrat”, rreshtohen tanket dhe ushtria në kufi me Gazën – ja lëvizja urgjente nga Izraeli

Nga: Bota sot Më: 20 tetor 2023 Në ora: 07:46 Përditësuar në ora: 21:17 më 20.10.2023
Izrael

Hamasi thotë se liroi dy pengje amerikane

Grupi militant palestinez Hamas, ka thënë të premten se i ka liruar dy pengje amerikane – një nënë dhe vajzën e saj – për, siç ka thënë, “arsye humanitare”, pas përpjekjeve të Katarit për ndërmjetësim.

Zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit, Abu Ubaida, e ka lëshuar një deklaratë duke e bërë të ditur lirimin e tyre.

Kjo është hera e parë e lirimit të pengjeve, prej sulmit të armatosur të Hamasit në Izrael, më 7 tetor.

Në sulmet e Hamasit janë vrarë 1.400 persona, kryesisht civilë, dhe janë marrë rreth 200 pengje.

Kanali 13 i lajmeve në Izrael, ka thënë se Izraeli e ka konfirmuar lirimin e dy pengjeve, por pa dhënë më shumë hollësi, raporton Reuters.

Izraeli është zotuar për ta shkatërruar Hamasin, i cili e udhëheq Rripin e Gazës, dhe është duke nisur vazhdimisht raketa në drejtim të atij rajoni me 2.3 milionë banorë, të cilët janë nën rrethim të plotë dhe pa ushqim, ilaçe dhe burime të energjisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka vizituar të premten pikën kufitare mes Gazës dhe Egjiptit, dhe ka thënë se ndihma humanitare duhet të zhbllokohet sa më shpejt që është e mundur.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, të paktën 4.137 palestinezë janë vrarë, përfshirë qindra fëmijë, dhe mbi 13.000 persona janë plagosur.

OKB-ja ka thënë se mbi 1 milion njerëz mund të jenë pa strehë mbi kokë.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë të premten se arritja e synimeve të Izraelit nuk është as e lehtë, as nuk mund të ndodhë shpejt.

“Ne do ta rrëzojmë organizatën Hamas. Ne do ta shkatërrojmë ushtrinë e tij dhe infrastrukturën qeverisëse. Është fazë që nuk do të jetë e lehtë. Do të ketë çmim”, ka thënë ai para një komisioni parlamentar.

Ai ka thënë se qëllimi kryesor është që të Izraeli të mos kërcënohet nga Gaza.

“Nuk është një ditë, as një javë, dhe fatkeqësisht as një muaj”, ka thënë ai, duke iu referuar afateve kohore se kur do të mund të jetësohen synimet e vendit të tij.

Politikani izraelit: Do ta fitojmë këtë luftë, më pas Rusia do ta paguajë çmimin

Politikani izraelit i ka dërguar një paralajmërim presidentit rus Vladimir Putin, rreth luftërave në Izrael dhe Ukrainë, shkruan Newsweek.

Amir Weitmann, shef i klubit të liberalëve në partinë izraelite Likud, është shfaqur në televizionin që financohet direkt nga Kremlini, Russia Today, duke folur për luftërat mes Izraelit dhe Hamasit si dhe për luftën e Rusisë me Ukrainën.

Duke folur për ngjarjen më të fundit – pra bombardimit të spitali Al-Ahli në qytetin e Gazës, Weitmann ka kritikuar Rusinë duke thënë se “do ta përfundojmë këtë luftë, do të fitojmë sepse jemi më të fortë”.

“Pas kësaj Rusia do ta paguaj çmimin, më besoni që Rusia do ta paguaj çmimin”, tha Weitmann.

“Rusia mbështet armiqtë e Izraelit. Rusia mbështet nazistët që duan të kryejnë gjenocid mbi në dhe Rusia do ta paguajë çmimin”, tha Weitmann.

“Do ta fitojmë këtë luftë. Pas kësaj, nuk do të harrojmë çfarë po bëni, nuk do të harrojmë, do të kthehemi dhe të sigurohemi që Ukraina të fitojë. Do të kujdesemi që të paguani çmimin për atë çfarë keni bërë ju si Rusi”, shtoi politikani izraelit.

Izraeli gati për pushtim, rreshton tanket dhe ushtrinë në kufi me Gazën

Kolona të tankeve izraelite të grumbulluara në kufirin Izrael-Gaza dhe mijëra ushtarë janë përgatitur për betejë sot, ndërsa një pushtim i enklavës së shkatërruar nga lufta duket i pashmangshëm.

Dhjetëra mijëra ushtarë izraelitë dhe shumë tanke dhe automjete të blinduara janë vendosur tani në kufi – gati për një sulm tokësor në Rripin e Gazës, ku 203 pengje mbahen rob nga terroristët e Hamasit.

Rreshtimi i artilerisë dhe njerëzve në kufi vjen pasi orët e para të mëngjesit të sotëm janë dëgjuar të shtëna të forta automatike përgjatë kufirit.

Dhe sot, Izraeli vazhdoi të godasë Gazën me një rrymë të pamëshirshme sulmesh ajrore me IDF duke thënë se avionët e tyre luftarakë goditën mbi 100 ‘objektiva operacionale’ të terroristëve të Hamasit gjatë natës. Sulmet shkatërruan boshte tunelesh, depo municionesh dhe dhjetëra shtabe operative, tha IDF.

Izraeli gjithashtu filloi evakuimin e një qyteti verior izraelit pranë kufirit libanez në një tjetër shenjë të një pushtimi tokësor të afërt që mund të shkaktojë trazira në të gjithë Lindjen e Mesme.

Dy milionë palestinezë të bllokuar në enklavën e vogël, ku mijëra janë vrarë dhe qytete të tëra janë shkatërruar nga sulmet ajrore izraelite, tani po përgatiten për pushtimin që pritet të rezultojë në viktima të tjera të mëdha.

Kjo vjen pasi Yoav Gallant, ministri izraelit i mbrojtjes, vizitoi të enjten trupat e pozicionuara përgjatë kufirit të Gazës dhe u tha atyre se së shpejti do ta shihnin enklavën palestineze ‘nga brenda’.

Netanyahu bën lëvizjen urgjente në Rripin e Gazës

“Urdhri do të vijë. Ju premtoj se kushdo që e ka parë Gazën nga larg, tani do ta shohë atë nga brenda”. Ishte ky mesazhi i ministrit izraelit të Mbrojtjes, Joav Gallant, i cili vizitoi trupat e vendosura në kufi me Rripin e Gazës, në pritje të operacionit tokësor. Më herët ishte kryeministri Netanyahu që shkoi të takonte ushtarët.

Ushtria izraelite është pozicionuar prej ditësh në atë zonë dhe pret që ofensiva të nisë. Por ka shumë faktorë që po e vonojnë atë; përfshirë presionin ndërkombëtar.

“Nuk ka asnjë kontradiktë të qëndrosh përkrah Izraelit dhe të veprosh për nevojat humanitare të palestinezëve”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.

“Sikurse e thash në Izrael, ne nuk mund të heqim dorë nga paqja dhe as nga zgjidhja me dy shtete. Izraeli dhe Palestina meritojnë të dyja të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet”, u shpreh Joe Biden, president i Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, ndihma amerikane në Izrael ka mbërritur. Në aeroportin “Ben Hurion” kanë mbërritur autoblinda dhe pajisje ushtarake.

Sa i takon shpërthimit në spitalin në Gaza, “NYT” duke cituar burime pranë shërbimeve të inteligjencës ka raportuar se bilanci i viktimave varion nga 100 deri në 300 të vdekur.

Egjipti vazhdon të ketë hezitime për hapjen e kufirit me Rripin e Gazës

Egjipti deri tani nuk ka pranuar të hapë kufirin e tij për palestinezët që po përpiqen t’u shpëtojnë bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës, pas sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit në jug të Izraelit. Egjipti druhet nga mundësia e kalimit të mijëra refugjatëve në anën e tij të kufirit.

Mijëra tonë ndihma po presin në anën egjiptiane të kufirit me Rripin e Gazës, ndërsa po vështirësohet gjendja humanitare e palestinezëve atje.

Në anën tjetër të vendkalimit, në qytetin Rafah dhe në të gjithë Rripin e Gazës, civilët po vuajnë pasojat e sulmit të Hamasit në Izrael dhe ato të përgjigjes së ushtrisë izraelite.

Egjipti nuk po lejon kalimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës në gadishullin e Sinait.

“Transferimi i palestinezëve nga Rripi i Gazës në Sinai thjeshtë nënkupton një transferim të rezistencës, të luftës nga Rripi i Gazës në Sinai, duke e shndërruar pastaj atë në një bazë të operacioneve kundër Izraelit”, thotë Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sissi.

Qindra mijëra palestinezë janë larguar nga shtëpitë e tyre në konfliktet e kaluara me Izraelin. Shumë prej tyre nuk janë lejuar të kthehen në zonat nga kanë ikur. Egjipti, dhe shumica vendeve arabe, janë të shqetësuar nga pasojat e largimit të palestinezëve nga Rripi i Gazës, thotë analisti Chris Doyle nga Këshilli Arabo-Britanik i Mirëkuptimit.

“Egjipti nuk dëshiron të pranojë qindra mijëra civilë palestinezë në Sinai, në kampe refugjatësh me çadra, me një axhendë shumë të qartë, dhe që kjo të shndërrohet në një realitet të përhershëm. Palestinezët dhe egjiptianët janë të vetëdijshëm për këtë dhe janë të frikësuar nga mundësia e përsëritjes së asaj që ndodhi në vitet 1948 dhe 1967, kur mijëra njerëz u larguan nga territoret palestineze. Ata po flasin për një “Nakba” tjetër, për katastrofë tjetër, të ngjashme me atë që ndodhi dekada më parë", thotë ai.

Ashtu si në shumë qytete të tjera në botën arabe, edhe në qytetet e Egjiptit janë mbajtur protesta kundër bombardimit të Rripit të Gazës nga Izraeli.

“Po shohim zemërim të madh në Egjipt për atë që po ndodh tani. Kështu që, ata kanë frikë të duken se po mbështesin veprimet e Izraelit, megjithëse në bisedat e tyre private ata e kritikojnë edhe Hamasin”, thotë analisti Chris Doyle.

Presidenti i Egjiptit mori pushtetin përmes një puçi ushtarak në vitin 2013, duke rrëzuar qeverinë e zgjedhur, të udhëhequr nga Vëllazëria Myslimane.

Nuk duhet ta harrojmë se Hamasi është një degë e Vëllazërisë Myslimane. Me rritjen e numrit të civilëve palestinezë të vrarë, ka të ngjarë të rritet edhe numri i protestave në rrugët e qyteteve të Egjiptit. Kjo mund të tensionojë situatën politike në vend. Për këtë arsye egjiptianët janë të interesuar për një armëpushim të shpejtë”, thotë Yossi Mekelberg nga organizata Chatham House.

Egjipti ka kanale komunikimi me Hamasin dhe mund të zhvillojë bisedime edhe me Izraelin.

“Nga pikëpamja strategjike, ka patur një kuptim të mirë mes Izraelit dhe Egjiptit në 10-11 vitet e fundit. Egjipti është një fqinj i përshtatshëm për Izraelin. Qeverisja e Egjiptit nga Vëllazëria Myslimane nuk do të ishte një alternativë e mirë për Izraelin”, thotë Yossi Mekelberg nga organizata Chatham House.

Analistët thonë se tani Izraeli nuk duket se është i gatshëm për një ndërmjetësim nga një fuqi rajonale për dialogun me palestinezët sepse po përgatitet të fillojë një operacion për çrrënjosjen e Hamasit nga Rripi i Gazës./VOA

Gaza nën rrethim: Radhë për bukë, ujë i ndotur dhe shpërthime të pareshtura

Në dhomën e vogël të Azmi Keshawit, ku po strehohet familja e tij në qytetin jugor të Gazës Han Jounis, dëgjohen shpërthime. Bombardimet sa vijnë e afrohen, thotë ai, dhe ato po shkaktojnë vdekje dhe shkatërrim.

Keshawi, gruaja e tij, dy djemtë, dy vajzat dhe nipërit e tij të vegjël, po tentojnë të mbijetojnë duke qëndruar në këtë hapësirë që ka lagështi.

Ushtria izraelite në mënyrë të pareshtur ka sulmuar Gazën në kundërpërgjigje ndaj sulmeve shkatërruese të Hamasit në jug të Izraelit pothuajse dy javë më parë. Familja Keshawi e ndjenë se dëshpërimi po rritet. Ushqimet po mbarojnë dhe Izraeli deri më tani ka ndaluar përpjekjet që në Gazë të dërgohen ndihmat humanitare.

Kjo familje nuk është larë që kur Izraeli ndërpreu furnizimet me ujë dhe ato me karburante në Rripin e Gazës. Ata po furnizohen me ujë për pije nga një shkollë që udhëhiqet nga Kombet e Bashkuara, ku punëtorët u shpërndajnë banorëve të Gazës bidona me ujë. Uji ka shije të kripur. Stacionet e distilimit të ujit nuk po funksionojnë që kur kanë mbetur pa karburante.

Keshawi e vlon ujin dhe shpreson se kjo do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së ujit.

“Si dreqin e gjithë bota vetëm shikoi dhe e la Izraelin që të ndalë ujin?”, thotë Keshawi, 59 vjeç, një hulumtues në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, i cili ka studiuar në Shtetet e Bashkuara.

Bota po vëzhgon, thotë ai, duke shtuar se kjo e pikëllon edhe më shumë.

Nganjëherë ka aq shumë sulme ajrore që u pamundësojnë banorëve të dalin për të siguruar ushqime. Por, furnizimet e familjes së tij po pakësohen, prandaj ai tenton që të dalë për të blerë bukë sa herë të mundet. Të enjten, më 19 tetor, radha para një furre buke ishte aq e gjatë dhe kaotike sa disa banorë pritën deri në pesë orë. Disa furra buke janë bombarduar. Të tjerat janë mbyllur sepse nuk kanë ujë apo rrymë të mjaftueshme. Autoritetet ende po punojnë në aspektet logjistike për dërgimin e ndihmës humanitare nga Egjipti për në Gazë.

Keshawi ka para për të blerë ushqime për nipërit e tij. Por, në Gazë pothuajse nuk ka asgjë për të blerë. Fëmijët shpesh hanë bukë bajate dhe pinë qumësht pluhur. Disa palestinezë që kanë ferma të pulave dhe kanë soba me gaz, po përgatisin pjata me oriz dhe pulë dhe qytetarët po presin me orë të tëra para shtëpive të tyre për të blerë këto ushqime. Keshawi thotë se shpresonte që nuk do ta shihte ujin që përdorin në këto kuzhina – një lëngë me nuanca të ngjyrës së verdhë. Ai thotë se për cilësinë e ujit nuk i ka treguar gruas së tij.

“Nuk është koha që të zgjedhin”, thotë ai teksa po strehohet në shtëpinë e një miku, pas urdhrit për evakuim të lëshuar nga Izraeli për Qytetin e Gazës. “Nuk e dimë nëse nesër do të kemi furnizime”, shton ai.

Për shkak të ndërprerjes së furnizimeve me ujë, tualeti në shtëpinë ku po qëndron Keshawi është shumë i papastër. Me aq pak ujë sa kanë, ata lajnë pjatat dhe nuk e përdorin atë për të pastruar tualetin.

Netët janë më të rënda, thotë ai. Kur sulmet ajrore godasin në afërsi dhe shpërthimet ndriçojnë qiellin, të rriturit mundohen që të qetësojnë fëmijët.

“Boom” bërtasin ata kur bien bombat dhe fëmijët qeshin.

Por, fëmijët që janë më të rritur, tmerrohen nga sulmet. Ata shohin lajmet dhe e dinë se sulmet kanë shkatërruar mijëra shtëpi dhe kanë vrarë mbi 3.000 palestinezë në Gazë, përfshirë edhe dhjetëra persona as një kilometër larg vendit ku Keshawi me familjen e tij po strehohet.

Keshawi thotë se ai po tenton të paraqitet i fortë. Por, shpesh, siç thotë ai, nuk mund të ndalë lotët.

“Kjo situatë po më vret. Po ma thyen zemrën”, shprehet ai./REL

Thellohet bilanci tragjik nga lufta Izrael-Palestinë

Në një vlerësim të paklasifikuar të inteligjencës amerikane, që i është dërguar Kongresit, bëhet e ditur se nga shpërthimi në spitalin në qytetin e Gazës kanë humbur jetën nga 100 deri në 300 persona. Këto shifra paraqesin “numër të lartë të humbjes së jetës”, thanë zyrtarët e inteligjencës amerikane, shkruan Associated Press. Zyrtarët e inteligjencës ende po shqyrtojnë provat dhe vlerësimi i tyre mund të evoluojë.

Shpërthimi ndodhi në spitalin Al-Ahli të Gazës më 17 tetor, në objektin e të cilit ishin strehuar palestinezë. Zyrtarët e grupit militant palestinez Hamas menjëherë fajësuan një sulm ajror izraelit për shpërthimin në spital. Izraeli mohoi përfshirjen. Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe zyrtarë të tjerë amerikanë veçse kanë deklaruar se inteligjenca amerikane beson se shpërthimi nuk është shkaktuar nga një sulm ajror izraelit. Edhe në vlerësimin dërguar Kongresit përmendet ky qëndrim.

Në vlerësimin e inteligjencës amerikane po ashtu u tha se “vetëm dëmtime të lehta strukturore” ishin të dukshme në spital dhe nuk është parë ndonjë krater i krijuar. Izraeli ka fajësuar për shpërthimin në spital grupin tjetër palestinez, Xhihadi Islamik.

Por, ky grup ka mohuar përfshirjen. Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë grupin Hamas, pasi ky i fundit nisi sulme të koordinuara nga toka, ajri dhe deti ndaj Izraelit më 7 tetor. Që atëherë, Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës – ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë – dhe ka urdhëruar evakuimin e banorëve nga veriu për në jug të këtij territori, duke u zotuar se do të kryejë një pushtim tokësor të Gazës.

Izraeli publikon arma e re super-moderne, do të rrëzojë raketa dhe dron pa humbur asnjë copë municioni

Kompania izraelite për sistemet e avancuara të mbrojtjes Rafael po zhvillon sistemin e mbrojtjes kundërajrore Iron Beam, i cili përbëhet nga një sistem armësh lazer i krijuar për të mbrojtur vendin nga raketat që vijnë, shkruan Business Today .

Teknologjia e re duket shumë si armët që shihen në filmat fantastiko-shkencor si Star Wars dhe Star Trek. Ky sistem inovativ u zbulua në Panairin Ajror të Singaporit më 11 shkurt 2014. Tani është përsëri në qendër të vëmendjes për aplikimin e tij të mundshëm në konfliktin aktual me Hamasin.

Karakteristikat e traut të hekurit

Iron Beam duhet të bëhet elementi i gjashtë i sistemit të integruar të mbrojtjes kundër raketave të Izraelit, pas sistemeve Arrow 2, Arrow 3, David's Slingshot dhe Iron Dome.

Iron Beam përdor një lazer për të eliminuar kërcënimet në ajër dhe është një zgjidhje ekonomike dhe efektive - ndryshe nga raketat Iron Dome të cilat janë shumë të shtrenjta.

Ky sistem mund të funksionojë si një mekanizëm i pavarur mbrojtës ose mund të integrohet në një sistem më të gjerë të mbrojtjes ajrore.

Krahasuar me përgjuesit tradicionalë të raketave, Iron Beam ka kosto dukshëm më të ulëta për gjuajtje, kapacitet të pakufizuar të qitjes, kosto të reduktuara operacionale dhe eliminon rrezikun e rënies së mbeturinave të raketave të përgjuara në zonat e mbrojtura.

Në vitin 2020, sistemi demonstroi një rreze efektive shumë mbresëlënëse deri në 7 km dhe është në gjendje të neutralizojë me shpejtësi raketat, dronët dhe predha mortajash brenda sekondave nga goditja e një objektivi. Për më tepër, ka plane për të rritur nivelin e fuqisë dhe ka potencial për të arritur 100 kW ose më shumë.

Futja e Rrezit të Hekurt në përgjigje të konfliktit me Hamasin

Nëse Rrezja e Hekurt fillon të përdoret në mënyrë aktive në luftime, do të jetë një veprim kyç nga Izraeli për të forcuar mbrojtjen e tij ajrore në mes të konfliktit të vazhdueshëm me Hamasin. Fillimisht, kjo teknologji e re nuk ishte planifikuar të zbatohej për disa vite.

Rafael zhvillon gjithsej dy sisteme lazer me energji të lartë: Iron Beam dhe Lite Beam. Lite Beam është një interceptor 7,5 kW i projektuar për të luftuar mini mjetet ajrore pa pilot (C-mUAV) dhe objektivat tokësorë si pajisjet shpërthyese të improvizuara (IED) dhe municionet e pashpërthyera (UXO). Mund të neutralizojë objektivat nga një distancë prej disa qindra metrash deri në 2000 metra. Prototipi i parë Lite Beam është tashmë i disponueshëm.

Iron Beam, nga ana tjetër, është një sistem armësh lazer me energji të lartë 100 kW (HELWS). Ai është projektuar për të kapur një gamë të gjerë kërcënimesh si raketa, artileri dhe mortaja nga një distancë prej disa qindra metrash deri në disa kilometra.

Biden thotë se ka diskutuar nevojën që Izraeli t'i bindet ligjeve të luftës me Netanyahun

Biden tha se ai dhe Netanyahu "diskutuan nevojën kritike që Izraeli të veprojë sipas ligjeve të luftës" në luftën e tij me Hamasin.

"Kjo do të thotë të mbrosh civilët në luftime sa më mirë që të jetë e mundur," tha Biden.

Ai tha se civilët në Gaza kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë dhe ilaçe, dhe ai iu referua një marrëveshjeje që arriti me Izraelin dhe Egjiptin për të lejuar ndihmën humanitare të hyjë në Gaza përmes portës Rafah në Egjipt.

Biden i bëri thirrje gjithashtu Kongresit të miratojë një kërkesë buxhetore për ndihmë për Izraelin dhe Ukrainën dhe ai tha se SHBA duhet të sigurohet që izraelitët të kenë "atë që u nevojitet për të mbrojtur popullin e tyre, sot dhe gjithmonë".

“Ne do të sigurohemi që aktorët e tjerë armiq në rajon ta dinë se Izraeli është më i fortë se kurrë dhe të parandalojmë përhapjen e këtij konflikti”, tha ai.

Biden: Do të mbrojmë çdo pëllëmbë të NATO-s

Nga: Bota sot

Duke paraqitur rastin për mbështetjen amerikane për Ukrainën dhe Izraelin, Biden paralajmëroi se nëse presidenti rus Vladimir Putin sulmon një vend të NATO-s, "ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të NATO-s".

"Ne do të kemi diçka që nuk e kërkojmë - bëjeni të qartë, ne nuk e kërkojmë," tha ai.

"Ne nuk kërkojmë që trupat amerikane të luftojnë në Rusi ose të luftojnë kundër Rusisë."

Biden e quajti NATO-n "gur themeli i sigurisë amerikane" që për 75 vjet ka ruajtur paqen në Evropë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat